SIRI- Gjatë orëve të fundit raportohet për luftime intensive mes Kurdëve dhe luftëtarëve të ISIS, të cilët vazhdojnë ende të insistojnë për të venë nën kontroll Kobanin. Kurdët sirianë po luftojnë të vetëm kundër militantëve të Shtetit Islamik në qytetin kufitar Koban, mes Sirisë dhe Turqisë, dhe morën ndihmën e parë me armatime ushtarake nga Amerikanët pas dhënies së lejes nga Turqia fqinje për të kaluar nëpërmjet kufirit të saj.
 
Turqia dha leje gjithashtu për të lejuar luftëtarët kurdë në Irak që të kalojnë nëpërmjet kufirit Turk në Siri, për t’ju bashkuar luftimeve.
 
Këto përforcime mund të shënojnë një kthesë për të ardhmen e Kobanit, ku luftëtarët janë përpjekur prej muajsh të përballojnë sulmet nga luftëtarët e ISIS me armatime shumë më të rënda. Gjithashtu dhe hapja e kufinjve është një mundësi për shtimin e vullnetarëve që janë kundër Shtetit Islamik.

Megjithatë pas hedhjes së ndihmave nga avionët e SHBA, me armë dhe ndihma mjekësore, një video amatore e ISIS tregon se këto ndihma kanë përfunduar në duart e luftëtarëve islamikë. Por sekretari i Pentagonit Admirali John Kirby, në një deklaratë për shtyp, deklaroi se po punojnë për të përcaktuar vërtetësinë e videos dhe shtoi se shumica e ndihmave kanë mbërritur në duart e duhura, ndaj për këtë rast, do të bëhet një kontroll i veçantë nga specialistët për të kuptuar nëse të dhënat janë të sakta.