Refugjatët sirianë të cilët ishin strehuar në Turqi për disa ditë, kanë nisur sot të kthehen në shtëpitë e tyre, tashmë të vendosur për t’i bërë ballë militantëve të shtetit islamik.
 
ISIS ka përparuar kohët e fundit duke vënë nën kontroll territore deri në afërsi të Kobanit, në krahinat veriore të Aleppos, në kufi me Turqinë. Dy ditë më parë, ushtria amerikane dhe aleatët e saj arabë sulmuan Raka-n dhe Deir El Zour provincat veriore të Sirisë.
 
Megjithatë, sipas refugjatëve sirianë sulmet ajrore amerikane nuk kanë patur efektin e pritur, pasi sipas tyre janë kryer shumë larg nga rajoni kurd. Mbi 150 mijë refugjatë sirianë janë dyndur në krahinat juglindore të Turqisë që nga dita e premte, të detyruar nga dhunë e ekstremistëve islamikë.
 
Sipas të dhënave nga zyra për refugjatët e OKB-së, pritet që numri i të larguarve të rritet nga 200 në 400 mijë refugjatë.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)