Vllaznia nis sonte në orën 20:00 aventurën në Evropë, teksa luan në turin e parë të Conference League kundër Malishevës së Kosovës. Përgatitjet për këtë duel kanë qenë ta paprecendentë pasi skuadra dhe trajneri Martini janë çoroditur nga lajmet e merkatos. FIFA kishte bllokuar merkaton për shkak të borxheve dhe pas shlyerjes ka sërish pengesa nga UEFA. Lajmet e fundit janë që shkodranët kanë regjistruar 13 lojtarë nga ekipi A dhe 6 nga ekipi i të rinjve.

“Është kohë e shpejtë dhe duan kohën e vet për t’u koaliduar me ekipin. Ndryshe kanë luajtur atje ku kanë qenë dhe ndryshe do të luajnë këtu. Megjithatë me kalimin e kohës do të bëhen 1 me ekipin pavarësisht se për momentin s’janë të shkrirë me skuadrën,”-u shpreh Edi Martini, trajner i Vllaznisë.

Përpos të gjitha problemeve shkodranët ndihen të tradhtuar edhe nga shorti, pasi nuk donin që të përballeshin me një skuadër shqiptare.

“Nuk kisha dëshirë të përballesha me ekip shqiptar. Megjithatë ky është fati i shortit. Kapriço e tij. Është kundërshtari më i fortë i mundshëm që mund të na binte. Është ndeshje e fortë, por ne do ta kërkojmë me ngulm kualifikimin,”-tha Edi Martini, trajner i Vllaznisë.

Trajneri i Malishevës është Thomas Brdaric, kroato-gjermani që ka drejtuar në dy periudha të ndryshme Vllazninë dhe e njeh mirë Shkodrën.

“Përshëndetje Shkodra. Më vjen mirë që ju shoh përsëri,”-deklaroi Thomas Brdaric, trajner i Malishevës.

"Është emocion i veçantë kur luan në tokën shqiptare. Shpresoj që të fitojë më i miri,”-tha Dreni Kryeziu, kapiten i Malishevës.

Po sonte në orën 21:00 për Conference League, në stadiumin Elbasan Arena, Dinamo do të përballet me kazakët e Astanës, ndërsa të mërkurën kampionia e Shqipërisë Egnatia barazoi 1-1 në Moldavi kundër Petrocub për raundin e parë kualifikues të Champions League. Vendasit zhbllokuan në minutën e parë, ndërsa rrogozhinasit barazuan me Kryeziun para se Aleksi të linte ekipin me 10 lojtarë në fundin e pjesës së parë. Skuadra e parë shqiptare që zbriti në fushë këtë sezon ishte Elbasani që barazoi në shtëpi 1-1 kundër Bate Borisov.