Situata nga zjarri në lagjen Pepaj të fshatit Gojan në Pukë mbetet e vështirë. Zëvendëskryetari i Bashkisë Pukë, Ferit Ringaj, tha për Report TV se ekipet e shpëtimit dhe zjarrfikësit po punojnë për të shpëtuar jetën dhe pronën e banorëve, ndërsa deri tani janë evidentuar katër banesa që po digjen.

“Është një situatë e vështirë që po përjetojmë këtu në lagjen Pepaj të fshatit Gojan. Ekipet e shpëtimit dhe zjarrfikësit po bëjnë ç’është e mundur për të bërë shpëtimin e jetës dhe pronës së qytetarëve. Momentalisht janë evidentuar katër banesa që janë duke u djegur, ndërsa banorët janë evakuuar të gjithë dhe nuk kemi problematika”, tha Ringaj.

Sipas tij, Bashkia ka marrë masa edhe për akomodimin e banorëve të evakuuar, ndërsa në operacion është angazhuar edhe një helikopter i Forcave të Armatosura, i cili po ndërhyn nga ajri për të shuar flakët.

“Në zbatim të urdhrit të kryetarit të Bashkisë janë marrë të gjitha masat edhe për akomodimin dhe trajtimin e tyre. Momentalisht kemi ndihmë nga ajri. Një helikopter i Forcave të Armatosura po kryen hedhjen e ujit në të gjithë vatrën problematike. Shpresojmë në vënien nën kontroll të zjarrit që të kemi sa më pak dëme”, u shpreh ai.

Ringaj shtoi se në terren ndodhen forca nga Puka, Fushë-Arrëzi, Kukësi dhe Shkodra, ndërsa theksoi se flakët dolën jashtë kontrollit për shkak të erës.

“Po bëhen përpjekje maksimale. Ne kishim shpresë që mund të evitohej djegia e banesave, por për shkak të erës dolën flakët jashtë kontrollit. Po përpiqemi të minimizojmë sa më shumë dëmet”, përfundoi zëvendëskryetari i Bashkisë Pukë.


Lajmi kryesor:

Beteja me flakët/ ‘Lëvizni, të gjithë jashtë’, evakuime në Gojan të Pukës, digjen 4 banesa! Largohen banorët nga shtëpitë në Tenë të Mirditës (VIDEO)