Nga monitorimi që Instituti i Studimeve Publike e Ligjore i ka bërë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, rezulton se një pjesë e madhe e vendimeve vonojnë shumë kohë, edhe mbi 2 vjet. Ceket që vendimet që nuk janë të nevojshme të argumentohen me qindra faqe të shmanget. Ata sugjerojnë edhe ndërhyrjen e teknologjisë për menaxhimin e çështjeve.

Në gjykatën e apelit të juridiksionit të përgjithshëm, mungojnë të paktën 2/3 e numrit total të gjyqtarëve, dhe kjo sjellë një drejtësi të vonuar për qytetarët.

Një monitorim i Institutit të Studimeve Publike e Ligjore, thotë se gjyqtarët punojnë me kapacitete maksimale, ndërsa problem thelbësor është zbardhja e vendimeve dhe arsyetimeve me qindra faqe, edhe në çështje të thjeshta, e cila mund të reduktohet.

“Në një proces penal jashtëzakonisht të thjeshtë. 1 fshatari i kishin vjedhur një lopë dhe gjyqtari harton një vendim në një nga gjykatat me rreth 55 faqe. Po çfarë mund të ketë shkruar atje gjykata? Dhe i vjen në dorë atij që ka interes të drejtpërdrejtë për çështjen dhe kur shikon këto 55 faqe, i shfleton një për një dhe në fund thotë: Lopa ime këtu ku është se nuk e gjej?”, shprehet Ardian Kalia , ekspert ligjor.

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka një stok prej më shumë se 41 mijë dosjesh të prapambetura, për të cilat duhet kohë e gjatë të shqyrtohen me gjyqtarët aktual. Një mënyrë më e mirë e menaxhimit sipas ISPL-së mund të jetë digjitalizimi i plotë i sistemeve të gjykatës do të ndihmonte në ulje të kohës për menaxhimin e çështjeve, deri tek caktimi automatik i çështjeve te gjyqtarët për shmangien e mbingarkesës së panevojshme.

“Shmangie të regjistrave manual. Kjo do të ishte e rëndësishme qoftë sa i përket aksesit, qoftë transparencës. Do të ishte shumë e rëndësishme që të kishte algoritme të tillë që të mundësonin edhe një ngarkesë të barabartë të çështjeve për gjyqtar. Pra, të realizohej kjo shpërndarje për të ndihmuar gjyqtarët në ngarkesën e tyre”, thekson Albana Tushe, eksperte ligjore.

Gjatë vitit të shkuar janë marrë 9850 vendime penale dhe civile. 53% prej vendimeve civile u janë dashur më shumë se 2 vjet, në raport me 25% për dosjet penale. Sa i përket çështjeve të reja të regjistruara, janë 13,888 në total. Në mesin e tyre janë edhe 334 çështje të ardhura për rrjedhojë e vendimmarrjes së Gjykatës së Lartë për prishjen e vendimit të apelit dhe kthim e tyre për rigjykim po pranë kësaj gjykate.