Skandal, kërkoi favore seksuale
gjykata pezullon gjyqtarin Çobo

Drejtësia Shqiptare është përfshirë nga një skandal seksual. Me kërkesë të prokurorisë krimet e rënda kanë pezulluar nga detyra gjyqtarin e Beratit Shyqyri Çobo që shihni në këtë foto, kjo pasi ai rezulton se ka shpërdoruar detyrën duke kërkuar favore seksuale nga një 32-vjeçare.

Sipas prokurorisë është shtetësja I.T nga Berati që ka kallëzuar në polici gjyqtarin për ngacmim seksual. 32-vjeçarja kishte depozituar në gjykatën e Beratit një kërkesë për tu divorcuar nga i shoqi, por këtu ka nisur dhe tmerri i saj me drejtësinë ku gjyqtari i çështjes Çobo në vend të drejtësisë i ka kërkuar favore seksuale.

Nga hetimet rezulton se qytetarja është takuar me gjyqtarin jashtë orarit të punës dhe ambienteve të gjykatës. Ajo ka deklaruar para hetuesve se e ka takuar pasi kishte frikë se ai s’do ti jepte divorcin me të shoqin.

Kjo nuk është hera e parë që Çobo përballet me drejtësinë pasi në 2013 ai u hetua për fshehje pasurie, por fati i kësaj akuze mbeti mister ndërsa KLD refuzoi ta shkarkoj nga detyra dhe pse ministri asokohe Nasip Naco kërkoi masën ndaj gjyqtarit.

Më kosidero mik”, është një nga sms e shumtë që gjyqtari i ka dërguar 32-vjeçares e cila shkëmbeu numrin me gjyqtarin me qëllimin se ai do ta ndihmonte për të gjetur një avokat mbrojtës.

Por sms nuk ishte i vetmi pasi nga hetimet dhe përgjimet e kryera kanë rezultuar plot 300 telefonata në drejtim të numrit të 32 vjecares.

Vetë gjyqtari e ka mohuar të ketë pasur qëllimin e krijimit të një lidhje intime me I.T palë në çështjen e gjykuar prej tij, por për prokurorinë sms dhe telefonatat e shumta janë prova që kanë zbuluar skandalin seksual.

Skandali seksual që ka përfshirë drejtësinë i shtohet atij të të zgjedhurit lokal në Bashkinë e Peshkopisë kryebashkiakut Shukri Xhelili për të cilin qeveria shqiptare vendosi ta shkarkoj nga detyra dhe ai ndodhet pas hekurave.


Ja njoftimi i Prokurorisë
Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “pezullim nga detyra” për gjyqtarin e Gjykatës së Beratit, Shyqyri Çobo, i dyshuar për konsumimin e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit….” në formën e kërkimit të favoreve seksuale.
Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin në bazë të kallëzimit të dorëzuar nga shtetasja I.T. pranë Policisë Vendore, Berat.
Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se kallëzuesja ka qenë palë në një proces civil divorci, ku gjyqtar i çështjes ishte Shyqyri Çobo. Në seancën e parë të atij procesi, gjyqtari i është ofruar kallëzueses që t’i siguronte një avokat, meqë kjo e fundit nuk kishte mundësi financiare. Për këtë arsye, ata shkëmbejnë numrat e telefonit. Pasditen e së njëjtës ditë, gjyqtari i dërgon mesazh në telefon kallëzueses, ku, pasi e njofton për gjetjen e një avokati, i kërkon në mënyrë indirekte që “ta konsiderojë mik”.
Në vijim, nga kqyrja e aparatave dhe tabulateve telefonikë, rezulton se gjyqtari Çobo i ka dërguar shpesh mesazhe dhe e ka telefonuar kallëzuesen. Kjo e fundit, megjithëse e ka kuptuar qëllimin e gjyqtarit për krijimin e një lidhjeje intime, është ndjerë e friksuar për faktin se refuzimi i prerë nga ana e saj do të sillte si pasojë humbjen në procesin gjyqësor ku ishte palë.
Për këtë arsye, shtetasja I.T. i është shmangur në çdo kohë gjyqtarit dhe e ka kallëzuar atë pranë Policisë Vendore, e cila e referoi rastin pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.
Në vijim të hetimeve, Prokuroria ka realizuar kqyrjen e telefonave, nga të cilët ka rezultuar se për një periudhë gati 3-mujore para kallëzimit, gjyqtari Çobo kishte kryer mbi 300 telefonata në drejtim të kallëzueses, si edhe një numër të lartë mesazhesh me tekst.
Në mesazhet e dërguara nga gjyqtari konstatohet qartë tendenca e tij për të bindur kallëzueses që të krijonin një lidhje intime.
I pyetur si person nën hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda, i dyshuari e ka mohuar faktin se mesazhet e tij kanë pasur si qëllim kërkimin e favoreve seksuale dhe se nuk ka pasur raporte jashtëgjyqësore me të pandehurën.
Por, nga provat e administruara gjatë procesit hetimor, rezulton e provuar se shtetasi Shyqyri Çobo ka tentuar për një kohë të gjatë të krijojë lidhje intime me kallëzuesen, e cila ishte palë në një proces gjyqësor të drejtuar prej tij në Gjykatën e Beratit.
Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme se gjyqtari Shyqyri Çobo ka konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit….”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
Për këtë arsye, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi caktimin e masës së sigurimit “pezullim nga detyra”. Gjykata për Krime të Rënda pranoi këtë kërkesë ditën e Mërkurë, në dt. 29.06.2016.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ Vijon Java e Dokumentarëve ‘Tek Bunkeri’! ‘Ëndërr apo e vërtetë’, shfaqje teatrore në Pallatin e Kulturës në Patos

Aktivitetet kulturore/ Vijon Java e Dokumentarëve ‘Tek Bunkeri’! ‘Ëndërr apo e vërtetë’, shfaqje teatrore në Pallatin e Kulturës në Patos