Gruaja që denoncoi në përmjet një audio-skandali kryetarin e Gjykatës së Gjirokastrës Guxim Boçi, ka dëshmuar këtë të premte përpara prokurorëve të Krimeve të Rënda.
 
Sipas burimeve të Report Tv mësohet se denoncuesja ka deklaruar se këtë regjistrimin e ka bërë pasi, sipas saj, veç vendimit të njëanshëm, kryetari i Gjykatës tentoi të abuzojë seksualisht me të.
 
Dëshmia e saj në prokurori ka zgjatur për afro 6 orë, ndërsa denoncuesja e gjyqtarit ka rrëfyer të gjithë ngjarjen, që në nisjen e konfliktit me vjehrrën për çështjen e pronësisë së shtëpisë e deri tek trajtimi i çështjes në të gjitha shkallët e gjyqësorit.
 
Dëshmia denoncueses i është marrë në qytetin e Gjirokastrës ku ajo banon së bashku me dy fëmijët e saj, aktualisht e marrë në mbrojtje nga policia.
 
Nga burimet mësohet, se denoncuesja e kishte takuar Boçin për të diskutuar për procesin që ajo kishte në gjykatës, pasi sipas saj kishte dyshime se nuk do të jepej drejtësi.
 
Edhe pas këtij regjistrimi, denoncuesja ka treguar se është takuar me Guxim Boçin për të diskutuar rreth vijimit të procesit në Gjykatën e Apelit, por sipas saj, ai ka refuzuar që ta ndihmonte.
 
 


d.b/shqiptarja.com