“Arrestimi i Agron Canes është  i paligjshëm, pasi historia është e stisur dhe me prapavijë politike, prapavijë politike.” Kështu është shprehur avokati mbrojtës i ish-aktivistit të PS, Gjergji Imeraj në një intervistë ekskluzive për A1 Report. Sipas Imeraj, ndaj klientit të tij nuk ka asnjë provë ligjore, por vetëm zhurmë mediatike.

“Arrestimi është i paligjshëm për arsyen se që në momentin e parë, policia gjyqësore, është nxitur nga deklaratat e shtypit të cilat janë të paautorizuara, janë të paligjshme, dhe janë me prapavijë të pastër politike. Jemi të bindur se video është e montuar, historia është e montuar, sepse edhe gazetarët që kanë marrë pjesë në këtë histori janë gazetarë, problematikë me faktet dhe provat që ata kanë paraqitur në opinionin publik, edhe në raste të tjera analoge.” shprehet avokati i Canes, Gjergji Imeraj.

Avokati mbrojtës, shprehet se Cane dhe vajza 14 vjeçare nuk njihen fare mes tyre dhe se minorenja nuk ka qenë kurrë në zyrën ku përflitet historia. Imeraj nënvizon ndër të tjera se kallëzuesja, nëna E.G e 14 vjeçares, si dhe klienti i tij, janë nga i njëjti fshat, dhe këtë sipas tij ka shfrytëzuar kallëzuesja për të përdorur ndaj tij. Avokati, në fund thekson se i është drejtuar Prokurorisë, me pretendimin se ky arrestim i Canes është i paligjshëm dhe se ndaj tij nuk ka prova ligjore por vetëm zhurmë mediatike.

“Kallëzuesja E. G. është një qytetare e thjeshtë si të gjithë në Sarandë. Ajo është drejtuar çdo ditë tek Zyrat e Partisë Socialiste, nga të dhënat që kemi, duke kërkuar punë, por duke mos patur asnjë lloj profesioni, asnjë lloj shkollimi. I dyshuari dhe E. G. janë nga i njëjti fshat, nga Navareci. Këtë ka shfrytëzuar kallëzuesja duke pasur njohjen me të arrestuarin. Pasi ka ndërmjetësuar duke parë varfërinë e saj tek një firmë private, nuk e ka mbajtur në punë se ishte jo korrekte. Ne menjëherë i jemi drejtuar Prokurorisë për ta quajtur të paligjshëm arrestimin pasi nuk ka asnjë provë ligjore veç zhurmës që është bërë në media dje dhe sot.” tha Imeraj për A1 Report. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)