REPORT TV siguron ekskluzivisht dëshminë e kryebashkiakut të Lezhës, Fran Frrokaj, i cili u lirua dje nga burgu dhe po hetohet në ‘arrest shtëpie’ për akuzën e tjetërsimit të pronave përmes falsifikimit në Shëngjin. Frrokaj ka pranuar se ka firmosur dokumentet e përgatitura nga vartësi, por ka mohuar që të ketë lidhje me skandalin e tjetërsimit të pronave. Ai ka deklaruar se nuk ka lidhje me akuzat dhe se nuk ka asnjë provë që e implikon.
“Një kryetar Bashkie arrestohet në flagrancë kur kryen një krim apo vepër tjetër penale, arrestohet kur ka shkaktuar një dëm ekonomik, apo kur ekziston mundësia për tu larguar jashtë shtetit. Në asnjë prej këtyre rasteve unë nuk jam pjesë dhe arrestimi im është bërë pa asnjë provë.
Unë kam qenë i gatshëm për prokurorinë dhe për këtë çështje jam pyetur aq herë sa ka kërkuar Prokurori. Nuk kam asnjë lidhje me akuzën. Kam sigluar një shkresë që ka përgatitur vartësi im mbi bazën e dokumenteve që ka dorëzuar qytetari. Por nuk jam unë pjesë e kësaj skeme dhe nuk kam patur dijeni për këtë tjetërsim pronash. Akuzat ndaj meje janë pa fakte dhe nuk ekziston asnjë provë” ka deklaruar Frrokaj.
Kryebashkiaku së bashku me 11 zyrtarë të tjerë u arrestuan të premten për tjetërsimin e pronave në Shëngjin, ndërsa dje gjykata vendosi që për Fran Frrokajn dhe 9 të tjerë të vijojnë hetimet në ‘arrest shtëpie’, ndërsa vetëm për 2 në burg. Ndërkohë që 11 persona të tjerë, zyrtarë dhe përfitues të pronave janë në kërkim nga policia prej 5 ditësh.
d.b/shqiptarja.com