Skandali/ Sali Berisha pagoi lekë
për të denigruar Edi Ramën

Skandali/ Sali Berisha pagoi lekë<br />për të denigruar Edi Ramën
TIRANE- Qeveria e Sali Berishës ka shpenzuar paratë e taksapaguesve për një fushatë denigruese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëri, drejtuar kundër kundërshtarit të tij politik, Edi Rama, fushatë, që u përdor nga republikanët amerikanë, duke bërë thirrje për një investigim nga FBI ndaj presidentit Barak Obama. 

Agjencia Balkan Insight ka siguruar raportimet e Podesta Group, një kompani amerikane lobimi, të angazhuar për më se dy vjet nga Berisha bërë Departamentit të Drejtësisë, ku duket se ajo qendron prapa tre artikujve negativë kundër Ramës. Podesta Group, që u angazhua nga Berisha për 60 mijë dollarë në muaj, konsiderohet si një ndër firmat më të fuqishme të lobimit në Uashington.
 
ARTIKUJT
Shkrimet janë botuar në një portal interneti konservator amerikan, “Daily Caller”, midis 29 majit dhe 18 qershorit të vitit të kaluar, pak para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri, që u fituan nga koalicioni i qendrës së majtë i Ramës me diferencë të thellë. Aleanca për Shqipërinë Evropiane, e udhëhequr nga socialistët, fitoi 84 nga 140 vende në Kuvend, mbi bazën e 57.7 për qind të votave në shkallë vendi. “Daily Caller” e akuzonte Ramën se ka financuar ilegalisht Partinë Demokrate të Obamës nëpërmjet një biznesmeni shqiptaro-amerikan, për të siguruar një mundësi që të dilte në fotografi më presidentin amerikan më 8 tetor 2012.

Sipas Aktit Federal amerikan të Fushatave Zgjedhore, ndalohet çdo i huaj të kontribuojë apo të shpenzojë para për zgjedhje në shkallë shtetesh, federate apo lokale në SHBA, direkt apo indirekt. Media proqeveritare shqiptare dhe PD e Berishës riprodhuan akuzat e publikuara nga “Daily Caller” gjatë zgjedhjeve, duke kërkuar që FBI të hetonte Ramën. Një kongresmen republikan dërgoi një letër, duke kërkuar hetim nga ana e FBI dhe Komisioni Federal Zgjedhor, por gjithshka përfundoi me kaq: as akuzat nuk u provuan dhe as ndonjë hetim nuk u krye.
 
Anashkalimi i ligjit amerikan   
“Daily Caller” aludonte se Rama kishte anashkaluar kufizimet për të huajt që të financojnë kandidatë në zgjedhjet amerikane, duke dhënë donacione nëpërmjet një biznesmeni nga Nju Xhersi, Bilal Shehu. Ky ka dhënë fonde të konsiderueshme për Komitetin Kombëtar Demokrat dhe fondin elektoral të Obamës, pak para se Rama të takonte presidentin e SHBA më 2012. Sipas Komitetit Elektoral Federal, Shehu dhe gruaja e tij Aida kontribuan me afro 80.000 dollarë për Partinë Demokrate midis 28 gushtit dhe 26 tetorit 2012. 38.000 dollarë i kishin kaluar direkt një fondacioni që është i lidhur me Demokratët dhe pjesa tjetër u shpërnda në fondet e fushatës së Obamës dhe disa linjave locale.

Shehu ka postuar një foto në Facebook, që paraqiste atë bashkë me Obamën në një fushatë për mbledhje fondesh në San Francisko më 8 tetor 2012. Në të njejtën ditë, një tjetër foto e hedhur në rrjet paraqiste Ramën duke takuar Bilal Shehun. Ky i fundit është pronar i një biznesi limuzinash në Nju Xhersi, Eliot and Kleri LLC. Megjithëse shifra e dhuruar prej tij duket e madhe, ajo është brenda mundësive të një biznesmeni të tillë. Sipas të dhënave nga Hipoteka, shtëpia në pronësi të tij në Kontenë Bergen, e blerë më 2010, ka një vlerë 922 mijë dollarë.  

Rama e ka takuar me të vërtetë Obamën, por ka mohuar që të ketë paguar për të siguruar një mundësi të tillë për të dalë në fotografi. “Foto e Edi Ramës është bërë në San Francisko, por ai nuk ishte në asnjë fushatë për mbledhje fondesh”, deklaroi Endri Fuga, zëdhënës i Ramës.
 
“PODESTA" NE VEPRIM
Të dhënat tregojnë se ndërkohë që “Daily Caller” publikonte këto artikuj, Podesta kishte kontakte intensive me themeluesin e faqes, Tucker Carlson dhe me reporterin që i shkruante, Patrick Hoëley. Podesta i telefonoi Carlson më 24 maj, ditën kur Rama postoi fotografinë me Obamën në Facebook. Telefonata u pasua nga emaile me Carlson dhe Hoëley më 28 maj, kur faqja në internet publikoi artikullin e parë me akuza. Më 6 qershor, kur Hoëley publikoi një shkrim pasues për këtë çështje, ai mori shtatë emaile të tjera nga Podesta. Hoëley publikoi edhe një shkrim të tretë dhe të fundit për këtë çështje më 18 qershor, duke cituar kongresmenin republikan nga Kalifornia, Dana Rohrabacher, që i kishte dërguar një letër FBI dhe Komitetit Federal Elektoral, duke u kërkuar që të hetojnë Ramën si pjesë e një komploti për të shkelur ligjet elektorale amerikane.

Edhe pse Rohrabacher bëri thirrje të hetojë Ramën, ai kurrë nuk depozitoi një ankesë zyrtare, duke ngritur dyshime për vlefshmërinë e akuzave dhe konfliktin e interesit. “Kam pyetur në lidhje me një ankesë nga Dana Rohrabacher kundër Bilal Shehut, por nuk mund të konfirmoj që ne kemi marrë një të tillë,” tha Julia Queen, një zëdhënëse e Komitetit Elektoral. Të dhënat tregojnë se përfaqësuesit e Podestës u takuan me Rohrabacher më 13 qershor, pasuar kjo nga emaile dhe telefonata me dy anëtarë të stafit një ditë më vonë.
Në vitin 2009, Rohrabacher mori një kontribut për fushatën nga PLM Group, tashmë e shpërbërë, që ishte një sipërmarrje mes Podesta dhe Livingston Group. Në vitin 2012, ai mori një donacion prej 5 mijë dollarësh nga PAC, një komitet veprimtarie politike shqiptaro amerikan, i drejtuar nga gruaja e ish-kongresmenit republikan, Xho DioGuardi.

Sipas Qendrës për Politika të Përgjegjshme me qendër në SHBA, Rohrabacher ka marrë 22.500 nga organizata PAC shqiptaro-amerikane nga viti 1998 deri në 2012. Themeluesi i Ligës Civile Shqiptaro-Amerikane, DioGuardi kishte lidhje të ngushta me Berishën kur ai ishte president i Shqipërisë në vitet 1992-1997. PAC është krahu politik për mbledhjen e fondeve i Ligës Civile. Një ditë përpara se të publikonte artikullin e fundit për Ramën, më 17 qershor, Hoëley mori një email final nga Podesta. Të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë tregojnë se të gjitha partitë kryesore në Shqipëri kanë firma të njohura lobimi në SHBA, që angazhohen për mbulim mediatik.

Përveç Podesta Group ata kanë përdorur edhe Blue Star Strategies, Dutko International, BKSH& Associates dhe Rasky Baerlain Strategic Communications. Firma që punon për Partinë Socialiste të Ramës, Rasky Baerlain dërgoi me dhjetëra kërkesa në median ndërkombëtare në vitin 2010 në përpjekje për të organizuar intervista dhe për të promovuar mbulimin e krizës politike në Shqipëri. Por, ndryshe nga firmat e tjera të paguara për të përfaqësuar partitë shqiptare, qeveria e mëparshme në Shqipëri paguante për shërbimet e Podestës duke përdorur paratë e taksapaguesve.


Shkrimi u publikua sot (25.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat