Skandali me mbetjet spitalore/ Pronari i kompanisë mori 65 mln lekë tenderë për riciklim, por s’kishte pajisje

Skandali me mbetjet spitalore/ Pronari i kompanisë mori 65 mln lekë tenderë për riciklim, por s’kishte pajisje

Prokuroria e Tiranës njoftoi të mërkurën arrestimin e Elvis Mirit, administratori i kompanisë Vale Recycling Shpk, i cili akuzohet se përmes dokumenteve të falsifikuara përfitoi tendera në vlerë mbi 65 milionë lekë nga një sërë spitalesh publike.  Miri dyshohet se ka falsifikuar dokumentet për pasjen në zotërim të një autoklave Econos Tsc 150, të specializuar në përpunimin e mbetjeve spitalore, ndërkohë që nuk e kishte këtë paisje në punë.

“Rezulton e provuar se personi nën hetim E.M, ka marrë pjesë në mbi 200 procedura tenderi për asgjësim mbetjesh spitalore, prej vitit 2016 e në vijim, duke dorëzuar dokumentacion të rremë. Personi në hetim pretendonte se kishte kapacitete për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve spitalore duke i kthyer ato nga të dëmshme në të padëmshme por nga hetimi rezultoi se i mungonin pajisjet për ta realizuar një gjë të tillë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.

Prokuroria bëri me dije se rasti i Mirit u denoncua nga emisioni televiziv STOP, ndërsa thotë se hetimet provuan përfshirjen e tij në tre vepra penale, falsifikimin e dokumenteve, keqmenaxhim të mbetjeve dhe aktivitete të rrezikshme për mjedisin.

Përveç Mirit, prokuroria kërkoi masë sigurimi “detyrim paraqitje” edhe për dy ekspertët e mjedisit, Elidiana Shehu, administratore e kompanisë EMC dhe Laert Shehu, administrator i kompanisë Swot Shpk, të dy të akuzuar se në përpilimin e raporteve të vetëmonitorimit të mjedisit ndihmuan Mirin të fshihte mungesën e paisjes.

Tetë inspektorë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Agjencisë Rajonale të Mjedisit Lezhë, që kishin kryer detyra inspektimi pranë kompanisë Vale Recycling prej vitit 2016 e në vijim u pezulluan nga detyra dhe po ashtu u është ndaluar largimi nga Shqipëria.

Sipas prokurorisë, inspektorët Jorida Shabaku, Edmond Palushi, Arben Marku, Norbert Dacaj, Alba Kurti, Besarta Leka, Ilir Bardhi, Kejdi Ahmetaj dyshohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Në kërkesën për masë sigurimi, Prokuroria rendit një sërë tenderash në të cilat Vale Recycling është shpallur fituese duke pretenduar se kishte paisjet e nevojshme për riciklimin e mbetejeve spitalore. Prokuroria thotë se kompania fitoi tendera në spitalet e  Beratit, maternitetin Koço Gliozheni, Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Spitalin Shefqet Ndroqi. Sipas të dhënave të prokurorisë, fondi limit në tederat ko kompania është shpallur fituese është mbi 65 milion lekë. Në të gjithë këto tendera, sipas prokurorisë kompania ka pretenduar pasjen e paisjes Econos Tsc 150.

I pyetur në prokurori për kohën e blerjes së kësaj paisje, Miri ka këmbëngulur se ajo ishte importuar në vitin 2016. “Paisja Econos ka ardhur në vitin 2016, nga Italia dhe më pas është bërë instalimi”, citohet ai në kërkesën për masë sigurimi. Miri ka pretenduar padijeni për një paisje me të njëjtin emër të blerë nga kompania e tij në vitin 2024 dhe ka këmbëngulur se kompania ka kryer procesin që “i kthen ato  (mbetjet spitalore) të pa dëmshme për ambjentin”.

Dy drejtuesit e kompanive të ekspertizës mjedisore dhe 8 inspektorët e AKM kanë mohuar të kenë identifikuar paisjen gjatë inspektimeve të tyre apo përpilimit të raporteve të nevojshme për pasije me leje mjedisore të tipeve A dhe B.

Kjo nuk është çështja e parë për keqmenaxhim të mbetjeve të rrezikshme në vend. Prej disa vitesh, SPAK po heton skandali i tre inceneratorëve në Tiranë, Elbasan dhe Fier, ku dyshohet se janë zhdukur miliona euro.

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste Alqi Bllako janë dënuar ndërkohë për abuzimet financiare në ndërtimin e kompanive të menaxhimit të mbetjeve në Elbasan dhe Fier. Ndërkohë ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe është ende nën hetim. Po ashtu të  dënuar dhe të shpallur në kërkim janë edhe biznesmenët kontraversë Mirel Mërtiri, Stela Gugallja e Klodian Zoto./BIRN

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Mandarinat me pesticide, Ministria e Bujqësisë: Kemi bërë kallëzim penal për grumbulluesit! Gjobë e bllokim aktiviteti për shkelësit

Mandarinat me pesticide, Ministria e Bujqësisë: Kemi bërë kallëzim penal për grumbulluesit! Gjobë e bllokim aktiviteti për shkelësit