TIRANË- Pasi SPAK shpalli moskompetencën për dosjen e skandalit të Onkologjikut, Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-zv.drejtoreshën e QSUT-së, Brikena Qirjazi dhe 6 të tjerë. Dosja i kaloi Prokurorisë së Tiranës si organ kompetent pasi prokurori i SPAK, Elvin Gokaj argumentoi se nuk ka elemente të veprës penale të korrupsionit apo të grupit të strukturuar kriminal.

Në Prokurorinë e Posaçme po hetohet vetëm mjeku Edmond Gashi, i akuzuar për korrupsion aktiv, ndërsa në kuadër të së njëjtës çështjes po hetohen edhe disa persona të tjerë, ku mësohet se SPAK ka bashkuar katër procedime në një të vetme, pjesë e të cilit është edhe “Kobalti”. Gjatë kësaj kohe, SPAK ka kryer veprime përfshirë ekspertiza dhe kontrolle pranë Onkologjikut, verifikimin e faturave dhe deklarimeve doganore, marrjen e dëshmive , ekspertime të pajisjeve të përdorura etj.

6 të pandehur në gjyq

Skema e zhvatjes dhe mashtrimit me pacientët të sëmurë me tumor u zbulua në qershor 2024. Mjekët e akuzuar, i orientonin pacientët e Onkologjikut të diagnostikuar me tumor, që shërbimet që t’i merrnin në në klinikën mjekësore “Megis” në pronësi të mjekut Edmond Gashi, që është në zonën e Astirit  në Tiranë. 

“Arritën të dokumentojnë raste ku pacientëve të ndryshëm, pasi nuk i jepej trajtimi i duhur mjekësor orientoheshin në klinikat private ku kundrejt tarifave të fryra kryheshin shërbime dhe ndërhyrje kirurgjikale të cilat duhet t’i jepeshin falas nga mjekët e spitalit onkologjik pranë QSUNT.

Gjithashtu rezultoi se pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT ishte instaluar një aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tomorale. Që të përdorej kjo aparaturë duhet të krijohej më parë një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjensia Atomike e Vienës ose agjencia ndërkombëtare IEAHEA. Ky bunker jo vetëm nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike e në dhomën ngjitur kabinetit të radiologjisë me një lloj radioaktiviteti që nuk mund të lejohet të vendoset në ambiente jo specifikë. Nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri nuk është në shfrytëzim por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vetë personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emëton.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Për gjykim janë dërguar ish-zv.drejtoresha e QSUT Brikena Qirjazi, mjekja onkologe Alketa Pere, koordinatori i Onkologjikut Emiljano Lela, ish-specialistja Drilona Kishta, të akuzuar për shpërdorim detyre. Në gjyq u çuan edhe administratori i klinikës “Megis” Halil Gashi dhe administratori i farmacisë “Flori”, Florjan Marku. Tashmë, do të jetë Gjykata Penale e Tiranës që do vendosë për kalimin ose jo të çështjes për gjykim.

Prokuroria thotë se provoi se Emiljano Leka, i akuzuar për shpërdorim detyre, në cilësinë e koordinatorit pranë Spitalit Onkologjik, ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në procesin e administrimit dhe orientimit të pacientëve tek klinikat private për të marë kurën e trajtimit në luftën kundër sëmundjeve tumorale, në një kohë kur sigurohej nga shteti. Ai përzgjidhte pacientë nga radha e pritjes dhe i orientonte jo tek mjeku që kishin të rekomanduar sipas procedurave, por tek klinikat private, duke përfituar përqindje monetare.

Po kështu edhe e pandehura Alketa Pere në cilësinë e administratores pranë Spitalit Onkologjik të QSUT, u provua se dërgonte pacientët drejt klinikave private, në tejkalim të kompetencave dhe në kundërshtim me rregullat ligjore dhe procedurale që rregullojnë ushtrimin e profesionit mjekësor dhe administrimin e dokumentacionit shëndetësor.

Prokuroria provoi gjithashtu se edhe Brikena Qirjazi në cilësinë e Zv/Drejtoreshës në QSUT e ngarkuar me mbulimin e shërbimit onkologjik, nuk ka marrë masat e nevojshme për garantimin e funksionimin e rregullt dhe të sigurt të pajisjes së burimit të kobaltit. Ajo nuk ka marrë masa për vënien në funksion të kësaj pajisjeje, duke bërë që pacientëve të mos u ofrohej në kohë shërbimi i nevojshëm mjekësor. Për pasojë, pacientëve nuk u është dhënë mundësia e zgjedhjes së metodës së trajtimit, duke u kufizuar vetëm në një alternativë të vetme trajtimi. 

Në vijim të hetimeve, rezultoi se edhe Drilona Kishta në cilësinë e specialistit pranë QSUT ka pasur detyrimin ligjor të kryejë ekspertizën lidhur me menaxhimin e burimeve radioaktive dhe mbetjeve të tyre. Kjo shtetase hartoi një ekspertizë që nuk ishte në përputhje me gjendjen reale dhe me të dhënat e dhëna nga përfaqësuesit e njësisë së Radioterapisë. Gjithashtu rezulton se kjo ekspertizë është kryer përpara procesit të porositjes së burimit të kobaltit, çka ka sjellë si pasojë marrjen e një vendimi për porositjen e një burimi radioaktiv që nuk është vendosur në funksion dhe nuk është përdorur. Si pasojë e kësaj veprimtarie është shkaktuar dëm ekonomik për institucionin, duke cenuar interesat e ligjshme të shtetit. 

Përsa i përket Halil Gashi rezultoi se ai nuk ka lëshuar fatura tatimore për operacionet dhe shërbimet e kryera në klinikë, duke përfshirë shërbime si skaner dhe mamografi, si dhe ka lejuar që mjekë të punojnë në mënyrë të paregjistruar. Ai nuk ka lëshuar fatura tatimore për shërbimet dhe operacionet e kryera në klinikën që administronte, ka lejuar mjekë të punojnë pa regjistrim ligjor dhe ka përfituar materialisht nga ky sistem i fshehjes së të ardhurave. Sa më sipër rezultoi e provuar se i pandehuri Halil Gashi  ka konsumuar veprën penale të “Fshehja e të ardhurave”.

Florian Marku në cilësinë e administratorit të “Flori Farma”, ka bërë blerjen dhe vënien në qarkullim të barnit “Valamor”, të cilin e dinte ose duhej të dinte se ishte kontrabandë (pa pullë të AKBPM-së dhe me barkod të dëmtuar). Si administrator i Farmacisë "Flori"  ka marrë pjesë në aktivitetin e paligjshëm të tregtimit të barnave kontrabandë, duke ditur ose duke qenë i vetëdijshëm për statusin e paligjshëm të barnit të blerë duke konsumuar veprën penale ‘Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë’.

Të pandehurit
-Alketa Pere Ymeri mjeke onkolog në spitalin e Onkologjikut
-Brikena Qirjazi Ish zv.drejtoreshë e QSUT
- Emiljano Lela Koordinatori pranë onkologjikut
-Drilona Kishta ish-specialist pranë QSUNT banuese në Amerikë 
-Halil Gashi administrator i klinikës  Megis, babai i mjekut Edmond Gashi
-Florian Marku administrator farmacie 

Lajmi në përditësim....

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë