Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për dosjen e Onkologjikut dhe ka dërguar çështjen në gjykatë për seancë paraprake për tre persona të dyshuar për korrupsion aktiv dhe pasiv.
Prokurori Elvin Gokaj ka dërguar për gjykim Edmond Gashin, koordinatorin Emiljano Lela, si dhe Mustafa Xhepmetajn, personin që dyshohet se ka korruptuar mjekët.
Hetimet zbuluan se mjeku Edmond Gashi, në bashkëpunim me kolegët e tij, orientonte pacientët e diagnostikuar me kancer drejt një klinike private, e cila rezulton të jetë në emër të babait të tij, Halil Gashi. Koordinatori Lela dyshohet se gjente në spital të sëmurët dhe duke i paraqitur një situatë të zymtë se te Onkologjiku do prisnin gjatë, i çonte te klinika e Gashit. Për secilin merrte përqindjen e tij.
Për çdo pacient që orientohej për trajtim tek spitali privat, mjekët e Onkologjikut përfitonin shuma të konsiderueshme parash.
Nga hetimet u zbulua se në vitin 2021 në Onkologjik u instalua një aparaturë kobalto-terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës. Që të përdoret Cobalt Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vienës.
Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua, por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike. Rasti u kallëzua në SPAK edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Ndërkohë, më herët, Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim 6 mjekë, specialistë, drejtues të QSUT dhe drejtorin e një kompanie private për mohimin e trajtimit të pacientëve në spital dhe skemën e përfitimit të tyre përmes klinikave private.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
-
Histori katunaresh pa shtylle kurrizore qe ja fusin njeri tjetrit. Eshte e veshtire sot te gjesh ne Shqiperi njerez me integritet dhe karakter.
Përgjigju






Komente
Komento