Gjashtë emigrantë të huaj janë zbuluar të fshehur në pjesën e pasme të një kamioni në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës. Ata kishin hipur në kamion në Turqi dhe synonin të mbërrinin në vendet e Bashkimit Europian.

Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:00, gjatë kontrollit të një kamioni që vinte nga Turqia dhe kishte si destinacion Durrësin.

Sipas njoftimit të Doganës Shqiptare, gjatë skanimit të automjetit janë konstatuar shenja të dyshimta në pjesën e pasme të trajlerit, të ngjashme me silueta njerëzish.

Pas këtij konstatimi, punonjësit e Doganës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, kanë ushtruar kontroll fizik në kamion. Edhe pse vula e sigurisë në kavo rezultoi e paprekur, në hapësirën e ngarkesës u gjetën të fshehur gjashtë shtetas të huaj.

Nga intervistimi paraprak rezultoi se pesë prej tyre ishin nga Sudani dhe një nga Kuvajti. Dy prej emigrantëve deklaruan se nuk kishin dokumente identifikimi me vete.

Sipas dëshmive të tyre, ata kishin hipur në kamion në Turqi, me synimin për të kaluar drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Administrata Doganore ka vlerësuar bashkëpunimin me Policinë e Shtetit për zbulimin e rasteve të dyshuara të kalimit të paligjshëm të kufirit, si dhe të rasteve që mund të lidhen me trafikimin apo kontrabandimin e personave.