Rënia e Bashar al-Assadit ishte e paimagjinueshme vetëm një javë më parë, kur rebelët filluan fushatën e tyre nga baza në Idlib, në veriperëndim të Sirisë. Por tashmë është fakt. Pas më shumë se 24 vitesh në pushtet Presidenti i hekurt, në shpinën e të cilit rëndojnë edhe akuza për krime kundër njerëzimit, në dëm të popullit të tij, tashmë është arratisur.
Si dhe pse ra Asad në vetëm kaq ditë?
Aleatët e tij, Rusia dhe Irani, të zënë me problemet e veta, e braktisën këtë herë., Pa ndihmën e tyre, trupat e Assadit nuk ishin në gjendje – dhe, në disa vende, me sa duket nuk dëshironin – të ndalonin rebelët, të udhëhequr nga grupi militant islamik Hayat Tahrir al-Sham, të cilët ‘pushtimin’ e nisën nga qyteti I dytë më I madh sirian, Aleppon. Pastaj Haman, dhe ditë më vonë, qendrën kryesore të Homsit, duke thuajse rrethuar kryeqytetin historik, Damaskun. Në pak orë, ata hynë në kryeqytet, në selinë e pushtetit të Asadit.
“Lojërat” gjeopolitikë rajonale?
Fundi i sundimit pesë dekadësh të familjes Assad do të riformësojë ekuilibrat e pushtetit në rajon. Irani gjithnjë e më i dobët po sheh ndikimin e tij të pësojë një goditje të fortë. Siria nën Assadin ishte pjesë e lidhjes midis iranianëve dhe Hezbollahut dhe ishte kyçe për transferimin e armëve dhe municioneve grupit. Vetë Hezbollahu është dobësuar shumë pas luftës së tij me Izraelin. Kjo situatë e re do të festohet në Izrael, ku Irani shihet si një kërcënim ekzistencial. Shumë besojnë se kjo ofensivë nuk mund të kishte ndodhur pa bekimin e Turqisë. Prej disa kohësh, presidenti Rexhep Tajip Erdogan i kishte bërë presion Asadit që të angazhohej në negociata për të gjetur një zgjidhje diplomatike për konfliktin, që të mund të lejonte kthimin e refugjatëve sirianë. Vetë Ankaraja e ka mohuar mbështetjen për rebelët e HTS.
Kush janë rebelët që marrin pushtetin?
Tashmë pushtetin në Siri Abu Mohammad al Jolani, udhëheqësi i Hayat Tahir al-Sham (Hts), lëvizjes islamike që doli nga dy organizata terroriste, Al Kaeda dhe ISIS. Megjithatë Jolani i ka prishur marrëdhëniet disa kohë më parë, duke braktisur ideologjinë e luftës së shenjtë globale për të adoptuar një identitet nacionalist sirian. Mesazhet e tyre të fundit kanë një ton diplomatik dhe pajtues. Por shumë aktorë nuk janë të bindur dhe janë të shqetësuar se çfarë mund të planifikojnë të bëjnë pas rrëzimit të regjimit.
Kush kontrollon sot territorin në Siri?
Siria mbetet e ndarë në të paktën tre pjesë: rebelët islamikë kanë kontrollin e qyteteve kryesore përgjatë një brezi vertikal në anën perëndimore të vendit, nga Alepo në Hama deri në Damask; Forcat kurde kontrollojnë anën verilindore, në kufirin me Turqinë; Ndjekësit e ISIS-it mbajnë kontrollin e xhepave të izoluar në rajonet qendrore. Detashmente ushtarake nga Rusia, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara veprojnë gjithashtu brenda Sirisë, ndërsa personeli ushtarak dhe civil iranian janë kthyer me nxitim në atdheun e tyre.
Po tani?! Çfarë mund të ndodhë?
Se ç’do të ndodhë shumë varet nga reagimet e fuqive në terren, në veçanti të Turqisë. Al-Jolani, lideri i rebelëve, është zotuar për bashkëjetesë midis të gjithë elementëve të shoqërisë siriane, si nga pikëpamja politike ashtu edhe fetare, madje ka folur edhe për shpërbërjen e lëvizjes së tij, por nuk është e qartë nëse ajo është qëllime të sinqerta ose një taktikë për të fituar favorin e të gjithëve deri në momentin kur ai në fakt merr pushtetin. Diplomacia perëndimore deri më tani po reagon në mënyrë të kujdesshme.
U liruan nga nje tirani do bien ne nje tjeter. S kemi pare ndonje mrekulli ne gjithe keto vende deri tani.
Përgjigju