Igli Kamberi dhe Ergys Kastrati njihen si dy prej personazheve kryesore të grupit kriminal që u shkatërrua pas një hetimi të përbashkët të SPAK dhe antimafies italiane. Kamberi konsiderohet kreu i grupit kriminal në fushën e pastrimit të parave. Autoritetet italiane, përveç vrasjes së një berberi 24-vjeçar në Itali, e akuzojnë edhe për episode të tjera, ruajtjen e 24 kilogramëve drogë në blloqe në një garazh në zonën industriale të Barlettës, në bashkëpunim me dy italianë, apo edhe për posedim të 11 kilogramëve kokainë, e sekuestruar dhjetorin e kaluar.
Personazh tjetër i rëndësishëm i grupit është Ergys Kastrati alias alias Bishja. Ai rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej dy vitesh, si nga autoritetet shqiptare ashtu edhe ato italiane. Forcat speciale e kanë prangosur në një prej rezidencave luksoze të kryeqytetit, afër TEG.
Të dyve por edhe anëtarëve të tjerë të grupit, apo të të lidhurve me ta i janë sekuestruar plot 23 pasuri, me vlerë miliona euro. Mes pasurive të sekuestruara me vendim të Gjykatës së Posaçme pas kërkesës së prokurorëve të SPAK, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, rezultojnë katër biznese, 680 mijë euro cash, 10 llogari bankare dhe 8 automjete.
Numri më i madh i pasurive janë në emër të një personazhi me emrin Bardhok Gjergji, lidhja e të cilit me grupin është ende e paqartë. Gjergjit i është sekuestruar biznesi i tij i shitjes dhe dhënies me qira të makinave, “AUTO REND & SELL - ALBANIA", të gjitha kuotat, aksionet dhe asetet e kësaj shoqërie tregtare, të krijuar që në vitin 2017. Bashkë më biznesin Bardhok Gjergjit i janë sekuestruar edhe 5 makina të markave të ndryshme dhe një llogari bankare.
Vetë kreut të grupit Igli Kamberi i është sekuestruar një biznes në emrin e tij, restorant dhe shërbim katering, i hapur në gusht 2024 me adresë në Kashar Tiranë.
Dy llogari bankare të vendosura në sekuestro preventive i përkasin bashkëshortes së Igli Kamberit, Nevila Kamberi dhe së ëmës së saj, Dituri Buzi. Ndërsa të atit, Fatos Buzi iu sekuestrua një biznes me emër “Fermer Fatos Buzi”, për prodhimin e fruta perimeve në Mbrostar të Fierit.
Edhe bashkëshortes së Ergys Kastratit, Desmira Ceco, i janë bllokuar dy llogari bankare. Ndërkohë që pasuritë e tjera të bllokuara janë në emër të personazheve të tjerë, ende e pazbuluar lidhja me grupin. Bëhet fjalë për dy llogari bankare në emër të Saimir Pirrës, si edhe një automjet i tij, 2 llogari bankare në emër të Sokol Fusha, një biznes dhe një llogari bankare në emër të Lefter Nelaj, si dhe dy automjete të Edi Brahajt. Administratori i biznesit të Nelajt, një kompani ndërtimi në Laç, rezulton pronari i kompanisë së dhënies me qira të automjeteve Bardhok Gjergji.
Lefter Nelajt, një 53 vjeçar nga Fushë Miloti, i është vendosur në sekuestro edhe shuma e parave prej 680,595 euro që iu zbulua më 14 nëntor 2024, teksa po tentonte ta fuste në Shqipëri përmes pikës kufitare të Muriqanit në Shkodër.
Sekuestrimi i pasurive zbulon një fakt interesant për të gjithë grupin, shpërndarjen në një territor të gjerë të vendit me biznese, nga jugu në veri, me qëllim pastrimin e parave të pista, të siguruara nga trafiku i drogës dhe zhvatja.
Makinë Mercedes Benz
Makinë Hyundai Tucson
Makinë Lexus
Makinë Daimler Chrysler Mercedes Benz
Makinë Toyota Prius
Llogari bankare
Biznesi i ndërtimit me emrin "Lefter Nelaj"
Komente








Ju merreni me vis martinin e shkret me humb gjurmet Kot pa lidhje dhe me histori te vjetra, nderkohe ktu ka me qindra kriminel E vrases me pagese dhe trafikant italie e spanje e gjermanie e zvicre e anglie e hollande belgjike.. Po mbushin shqiperine me beton dhe gropa nen dhe, spo dijne ku cojne leket, ju merreni akoma me zani caushin e aldo baren e njerez te vdekur.. Bandat e fierit beratit shkodres vlores lezhes mirdites e burrelit e sarandes, korces e elbasanit me triliona euro ne vit me tonelata droge me kontenier pafund cdo muaj... Barra mbi mbi shqiperine se rriten cmimet e cdo produkti! Te gjitha kullat qe po ndertohen jane kto leke, dhe biznesmenet e medhenje jane peng te ktyre dhe si ze gjumi nates.. Me pas do e kuptoni kur te perfundojne si Artan Santo Qe ju doli nga fjala trafikanteve !
PërgjigjuHe pra, ca te komentojme ktu? Keto jane provat se pse euro bie, se pse rritem cmimet e apartamenteve, etj. etj. Se pastaj del Guvernatori i Bankes e na tregon perrallen e ekonomise shqiptare qe po lulezin, ku po rritet kerkesa konsumatore e barcoleta si kto. Ne Shqiperi ka dy ekonomi: njera ne reanimacion, me oksigjen te hunda, tjetra ekonomia kriminale ku bandat konkurrojne me njera - tjetren ne segmentin e droges dhe pastrimit te parave. Ekonomia kriminale mban lart tregun imobiliar dhe e ushqen me para si kto qe kap SPAK...dhe nuk jane asgje para asaj qe realisht ndodh.
Përgjigju