Në zgjedhjet e ardhshme vendore, shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit për 46 bashki, nga 61 që janë aktualisht. Me votën e 85 deputetëve të mazhorancës Kuvendi vendosi hartën e re territoriale të vendit, që shkriu 15 bashki aktuale. 32 bashki mbeten me kufij të pandryshuar, ndërsa 29 nga ato aktuale pësojnë  ndryshime të rëndësishme. Dallojnë bashkimet e Elbasanit me Cërrikun dhe Belshin, apo Beratit me Dimalin dhe Poliçanin. 


Tabela që tregon bashkitë që bashkohen në një

12 qarqet mbeten ato që janë, pa ndryshime kufiri, ndërsa elementi shtesë i rëndësishëm është krijimi i një koncepti të ri të qeverisjes vendore, ai i qytetit. Bashkitë do të kenë në përbërje të tyre qytetet, që do të kenë nga një nënkryetar të posaçëm dhe përfaqësinë e tyre në Këshillin Bashkiak, të rezervuar në proporcion me përqindjen e popullsisë. Gjithsej do të jenë 77 qytete, që përbëjnë 61 qendrat urbane të bashkive aktuale dhe 16 të tjera të shtuara, që do të gëzojnë statusin e qytetit.


Harta e re e 46 bashkive në vend

Por cila është harta e re administrativo-territoriale e vendit, qarqet, bashkitë dhe qytetet?
Në Qarkun Shkodër Bashkia e Pukës përthith atë të Fushë-Arrëzit, duke bërë që qarku të ketë 4 bashki pas zgjedhjeve të ardhshme vendore nga 5 që janë aktualisht. Përveç Pukës me statusin qytet do të jete edhe vetë Fushë-Arrëzi, ndërsa 7 qytetet e tjera do të ndahen mes bashkive Shkodër, Malësi e Madhe dhe Vau i Dejës. 

Në Qarkun e Dibrës bashkimi i Klosit nën ombrellën e Bashkisë së Matit është ndryshimi i vetëm, duke e bërë qarkun me 3 bashki gjithsej. Dibra dhe Bulqiza mbeten në kufijtë aktuale. Edhe ky qark do të kenë 9 qytete gjithsej, të ndara në 3 bashkitë. 

Qarku i Kukësit mbetet ai që është, pa asnjë ndryshim. Bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has vijojnë të jenë në të njëjtat kufij, ndërsa statusin e qytetit e kanë 3 qendrat urbane me të njëjtët emra. 

Edhe në Qarkun Lezhë ndryshimet janë minimale. Bashkitë mbeten ato të treja që janë aktualisht; Lezha, Mirdita dhe Kurbini. 7 zona do të kenë statusin e qytetit, përfshirë edhe Milotin që u shtua si propozim gjatë konsultimeve. 

Qarku i rëndësishëm i Durrësit ka një specifikë. Është i vetmi që humb një pjesë të territorit të tij, zonën e Rinasit e cila nga bashkia Krujë shkon me kryeqytetin. Sa i përket qyteteve ato janë 4, Kruja dhe Fushë-Kruja në një bashki dhe Durrësi e Shijaku neë bashkitë me të njëjtin emër.

Në rajonin më të madh të vendit, Qarku i Tiranës, përveç krijimit një njësie administrative të re me Rinasin, ku ndodhet edhe Aeroporti kryesor i vendit, që bashkohet me Domjes e Bërxullës në Bashkinë Vorë, ndryshimi më i madh është ai i bashkimit të Rrogozhinës me Bashkinë Kavajë. Pra Qarku i Tiranës mbetet me 4 bashki, atë të kryeqytetit, Kavajën, Kamzën dhe Vorën. Gjashtë do të jenë qytetet, ku tre prej të cilave janë në të njëjtën bashki; Kavaja, Rrogozhina dhe Golemi. 

Në Qarkun Elbasan ndryshimet janë të rëndësishme pasi nga 7 bashki që ka aktualisht shkon në 4, pasi tre nuk do të ekzistojnë më. Bashkia më e madhe e qarkut, Elbasani përthith Cërrikun dhe Belshin, duke u bërë një prej bashkive më të mëdha e në vend. Nga ana tjetër Përrenjasi do t’i bashkohët Librazhdit.  Bashkitë e Peqinit dhe Gramshit mbeten të pandryshuara. Të gjitha qendrat e 7 bashkive aktuale do të marrin statusin e qytetit. 

Në Qarkun Fier vetëm Mallakastra dhe Roskoveci mbetet si ishin. Dy bashkitë më të mëdha, Fieri dhe Lushnja përthithin nga një tjetër dhe bëhen edhe më të mëdha. Bashkia e Fierit merr atë të Patosit, ndërsa Divjaka i bashkohet Lushnjës. 6 bashkitë e vjetra, që tashmë bëhen 4, do të mbajnë statusin e qytetit. 

Berati është një tjetër bashki që rrit shumë ndjeshëm territorin e saj, duke mbledhur në gjirin e saj bashkitë e Dimalit dhe Poliçanit në Qarkun Berat, me këto dy të fundit marrin statusin e qytetit. Bashkitë Skrapar dhe Kuçovë të njëjta. Në të gjithë qarkun janë 5 qytetet. 

Në Qarkun Juglindor të Korçës ka vetëm një ndryshim. Bashkia kryeqendër e qarkut, Korça përthith bashkinë e vogël të Maliqit. 4 bashkitë e tjera të qarkut, Pogradeci, Kolonja, Pusteci dhe Devolli mbeten të pandryshuara. Edhe këtu me statusin qytet janë qendrat urbane të bashkive të vjetra si Bilishti, Erseka, Maliqi, Korça, Pogradeci dhe Pusteci. 

Bashkimi i Selenicës me bashkinë e madhe të Vlorës është i vetmi ndryshim thelbësor edhe në Qarkun Vlorë. Të gjithë bashkitë e tjera mbeten siç janë; Himara, Saranda, Konispoli, Finiqi dhe Delvina. Bashkia Vlorë është e vetmja gjithshtu që ka qytete shtesë përvecc qendrës së saj, Selenicën dhe Orikumin duke e çuar në 8 numrin gjithsej të qyteteve në qark. 

Dhe i fundit, Qarku jugor i Gjirokastrës. Këtu ndryshime janë të mëdha dhe të rëndësishme, me tre bashki që shkrihen. Libohova i bashkëngjitet Gjirokastrës, Memaliaj bashkohet me Tepelenën, ndërsa Përmeti përthith Këlcyrën. Nga 7 bashki që kishte harta e vjetër tashmë do të mbeten vetëm 4, me bashkinë minoritare të Dropullit që ruanin statusin. I gjithë qarku do të ketë 7 qytete që i korrespondojnë bashkive të vjetra.