Klement Balili i prangosur mëngjesin e ditës së sotme (lexo këtu) akuzohet si kreu i një grupi kriminal që merrej me trafik ndërkombëtar të lëndë narkotike. Por kush është Klement Balili? Ai ka qenë për 2 vite Drejtor i Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës në 2016, emëruar nga LSI-ja.

Pikërisht në këtë vit nisi edhe historia. Mediat greke në 2016 pohuan se një sasi prej 700 kilogramë Cannabis Sativa që u sekuestrua asokohe në vendin helen i përkiste Kelment Balilit. Hetimi ndaj Balilit në Greqi, është bërë nga “DEA” amerikane dhe policia greke. Në këtë hetim, DEA amerikane e policia greke, janë asistuar edhe nga policia shqiptare.

Balili të vetmen dalje publike e ka në 2016 duke mohuar akuzat e drejtësisë greke më pas u arratis, pasi u shpall në kërkim. Ai është pronar i disa bizneseve duke filluar nga “Santa Quaranta” në Sarandë, hotel Olivia në bregdetin e Butrintit, ndërkohë që së bashku me vëllezërit e tij ka qenë pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk” në qarkun e Vlorës dhe disa bizneseve të tjera.

Pas shpalljes në kërkim atij iu bllokuan asetet që kishte në pronësi, ndërsa dështuan disa operacione për ta prangosur. Për arrestimin e Balilit nuk kanë munguar dhe qëndrimet e selive diplomatike. Ish-ambasadori amerikan Donald Lu gjatë mandatit që shërbeu në Shqipëri e cilësoi “peshk i madh”.

Ndërkohë që dje Report Tv zbuloi (lexo këtu) se brenda muajit janar dosja ndaj Balilit do të përfundojë në Gjykatë me akuzën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve. Prokuroria e Krimeve të Rënda konfirmoi se ditët e fundit të 2018 ka mbërritur ekspertiza dhe disa akte hetimore të autoriteteve greke që faktojnë përfshirjen e Klement Balilit në trafik droge.