Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian ka kaluar përmes negociatave të gjata, krizave politike dhe pengesave të vendeve anëtare. Nga bisedimet e para për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në vitin 2003, deri te hapja e grupkapitullit të parë në 2024, vendi Shqipëria ka kaluar çdo hallkë të procesit europian mes sfidash dhe presioni ndërkombëtar.
***
Hapat e parë konkretë të Shqipërisë drejt BE-së do të hidheshin në 2003 kur do të nisnin negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë, e cila do të nëshkruhej 3 vite më pas.
Por ajo do të hyjë në fuqi më 1 prill të vitit 2009. Po atë vit Shqipëria aplikoi zyrtarisht statusin e vendit kandidat!
Pas një sërë refuzimesh, në tetor 2012, erdhi rekomandimi pozitiv i Komisionit, me kusht përfundimin e masave kryesore në fushat e reformës gjyqësore dhe të administratës publike dhe rishikimin e rregullave të procedurave parlamentare.
Shqipërisë iu dha statusi i kandidatit në BE në qershor 2014.
Procesi i nisjes së hapjes së negociatave ishte hapi i radhës që duhet të ndërmerrte vendi. Kjo fazë ishte një ndër më komplekset dhe të vështirat. Ndërthurur dhe me problemet brenda vetë BE-së, do të marrë rreth 10 vite kohë.
Në prill 2018, Komisioni Evropian lëshoi një rekomandim për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë. Në qershor të atij viti, Këshilli miratoi përfundimet, duke përcaktuar rrugën drejt hapjes së negociatave të pranimit në qershor 2019.
Më 24 mars 2020, ministrat për çështjet evropiane dhanë pëlqimin e tyre politik për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo u miratua zyrtarisht me procedurë të shkruar dhe u miratua nga Këshilli Evropian në ditët në vijim.
Por do të duhet të kalojë sërish shumë deri në konferencën e Parë ndërqeveritare që do të shënonte nisjen zyrtare të bisedimeve. Nga njëra anë Franca këmbëngulte për një rishikim të procedurave të Zgjerimit, nga ana tjetër, vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, u kthyer në një pengesë tetër dhe për Shqipërinë.
Agresioni rus në Ukrainë, zgjon Bashkimin europian. Në Bruksel, së bashku me udhëheqësit e vendeve anëtare, ftohen dhe udhëheqësit e rajonit, ndërsa paralelisht vijon trysnia ndaj Sofies. Mbi tryezë qëndron i ashtuquajturi propozim i Francës. Në orët e fundit të presidencës franceze, më 30 qershor 2022, njoftohet zgjidhja. Më 19 korrik, në Bruksel mbahet konferenca e parë ndërqeveritare për Shqipërinë.
Në 2023, arrestimi i Fredi Belerit, në maj, kthehet në pengesën e radhës. Greqia reagon ashpër dhe bllokon avancimin e procesit, që do t’i kushtojë vendit më shumë se 1 vit kohë.
Vetëm tetorin e vitit 2024 Shqipëria do të ulet në tryezën e bisedimeve për grupkapitujt e parë. Për kryeministrin Rama, ky moment “shënon një gur themeli historik në rrugëtimin e përbashkët drejt ribashkimit tërësor europian”.
Brenda dy muajsh, hapet dhe një tjetër grupkapitulli, ndërsa gjatë vitit 2025, për të gjithë të tjerët.
Faza tjetër kritike që e pret vendin tonë në është mbyllja e negociatave. Pasi procesi të jetë përmbyllur, parlamentet e 27 vendeve anëtare të BE-së duhet të ratifikojnë protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Vetëm atëherë, nëse ndodh brenda 2030, siç synon qeveria, Shqipëria do të jetë një yll më shumë në flamurin e BE-së.
Komente






