Rrjete kriminale ndërkombëtare po sjellin gjithnjë e më shumë gra nga vende të varfra drejt Shqipërisë, me premtimin për fitime nga prostitucioni dhe me idenë se vendi mund të shërbejë si portë për të hyrë në Europë. Ky është konkluzioni i një hetimi gazetaresk të agjencisë franceze AFP, pjesë e projektit Gen.EU që synon të lidhë të rinjtë europianë nëpërmjet lajmeve cilësore.
Shumë nga gratë që kanë ardhur në Shqipëri thonë për AFP-në se nuk e dinin që prostitucioni është i paligjshëm në vend.
“Nuk e dija këtë. Përndryshe nuk do të kisha ardhur ose do të isha larguar menjëherë. Do të më kishte kursyer shumë kohë në burg”, thotë një grua nga Venezuela.
Një tjetër grua nga Republika Domenikane tregon se puna organizohej nga persona që u siguronin vend për të punuar dhe merrnin gjysmën e fitimit.
“Kontaktuan me dikë dhe ai person na siguroi një vend ku të punonim. Ne i paguajmë 50% të asaj që fitojmë me trupin tonë, me shërbimet që ofrojmë”, thotë ajo.
Sipas AFP-së, shumë prej këtyre grave kanë frikë të kërkojnë ndihmë nga autoritetet për shkak të kërcënimeve nga personat që i kontrollojnë.
Geranda Gjeta, komisionere e Njësisë Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore në Tiranë, thotë se situata ka ndryshuar krahasuar me të kaluarën.
“Në të kaluarën Shqipëria ishte vend origjine, ku trafikoheshin gra shqiptare drejt vendeve të tjera. Tani kemi një ndryshim të madh të trendit. Shqipëria nuk është më vend origjine, por një vend tranzit për shtetase të huaja që vijnë në vend në mënyra të ndryshme, ligjore ose jo”, thotë ajo.
Sipas ligjit shqiptar, kushdo që merret me prostitucion mund të dënohet deri në tre vjet burg, nëse nuk konsiderohet viktimë e trafikut të qenieve njerëzore. Për këtë arsye, sipas AFP-së, shumë nga këto gra dhe vajza përfundojnë në burg.
Komente











