TIRANE- Drejtoria e Hetimit Tatimor arreston 2 shtetas Erjon Tafa dhe Laert Barzezi , ky i fundit administratori i tre kompanive, ndërsa janë shpallur në kërkim 3 sirianë. Të arrestuarit së bashku me tre sirianët akuzohen për krijimin e një skeme mashtrimi që rezulton 85 mln lekë në dëm të shtetit.
Nga hetimi disa mujor ka rezultuar se tre shoqëritë ‘FM Investment’, ‘Trade Investment’ dhe ‘Albania Eksport Medicinal’ kryenin blerje brenda vendit dhe importe me vlera të larta, ndërkohë që shitjet ishin fiktive duke shmangur detyrimet ndaj shtetit dhe abuzuar me kreditimin e TVSH-së. Tre shoqëritë rezultojnë inekzistente.
Biznesmeni Erjon Tafa kishte në pronësi edhe një zyrë kontabël, ku krijonte kushte për të plotësuar dhe shkarkuar faturat e TVSH-së.
Sipas grupit hetimor produktet e blera u faturoheshin kompanive të tjera, aktiviteti i të cilave nuk korrespondonte me atë të Barzezit. Në përfundim të hetimit janë sekuestruar blloqe TVSH-je, fatura dhe mandate, ndërsa dëmi ekonomik nga aktiviteti rezulton se 85.250.000 lekë.
Njoftimi i plotë nga Drejtoria e Hetimit Tatimor Rajoni Qëndror Tiranë
Operacioni i Koduar “ZAISS” arrestohen dy shtetas shqiptarë, shpallen në kërkim tre shtetas sirianë, për mashtrim me skemat e TVSH-së
Drejtoria e Hetimit Tatimor, Rajoni Qendror Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Tiranë, pas një hetimi disa mujor arrestoi në flagrancë shtetasit Erjon Tafa, Laert Barzezi, ndërsa janë shpallur në kërkim tre shtetas sirianë, përkatësisht F. M, A. D dhe M.B.
Shtetasi Laert Barzezi rezulton administrator i tre shoqërive, përkatësisht shoqërisë “FM Investment“ me nipt L72411020L, dhe aksioner z. F. M, shoqërisë “Trade Investment “ me nipt L62030026D dhe aksioner z. A.D dhe shoqërisë “Albania Eksport Medicinal”, me nipt L51307511P dhe aksioner z. M. B. Gjithashtu shtetasi Erjon Tafa rezulton administrator i shoqërinë Zaiss Inert me NIPT L72415021Q, si dhe përfaqësues ligjor në subjektin “Erjon Tafa”, me NIPT L52423016S. Shoqëritë e sipërpërmendura kryenin blerje brenda vendit dhe importe në vlera të larta, ndërkohë që shitjet ishin fiktive dhe në vlera më të ulëta, duke shmangur detyrimet ndaj shtetit dhe duke abuzuar me kreditimin e TVSH-së. Produktet e blera nga këto shoqëri i faturoheshin shoqërive të tjera, aktiviteti i të cilave nuk korrespondonte me atë të shoqërive nën administrimin e z. Barzezi dhe z.Tafës. Pas verifikimeve në terren për adresën e ushtrimit të aktivitetit subjektet e sipërcituara rezultonin inekzistente. Gjithashtu subjekti “Erjon Tafa”, me NIPT L52423016S, ushtronte aktivitet në fushën e shërbimeve kontabël, ku kjo e fundit shërbente për të krijuar kushte e nevojshme për plotësimin e faturave të TVSH, deklarimin e tyre në sistemin tatimore, gjetjen e shoqërive. Kompanitë kishin nevojë të shkarkonin TVSH-në e mbedhur nga shitja e produkteve pa fatur tatimor si dhe shoqërive të cilat kishin nevojë për gjendje kreditore për të mos pagur detyrimet reale të TVSH.
Në lidhje me veprimet hetimore dhe proceduriale, grupi i hetimit pranë zyrës kontabel sekuestroi në cilësin e provave materiale gjithësej 10 (dhjetë) vula të shoqërive të ndryshme, 7 (shtatë) pajisje fiskale, Blloqe TVSH të pa plotësuar të shoqërive të ndryshme, mandate e transaksioneve bankare, etj, material këto që shërbenin për krijimin dhe mirëfunksionimin e kësaj skeme përfitimi.
Sipas të dhënave paraprake dëmi ekonomik shkaktuar buxhetit të shtetit rezulton në shumën 85,250,000 lekë.
Subjektet e sipërcituar në bashkëpunim me njëra-tjetrën dhe me subjekte të tjera kanë konsumuar elementë të veprave penale “Skemë mashtrimi në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehje të ardhurash” dhe ‘’Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve’’ të parashikuara në Nenet 180, 144/a dhe 190/2 të Kodit Penal.
Grupi i Hetimit po vazhdon veprimet hetimore dhe proceduriale për dokumentimin e të gjithë skemës së përfitimit, ku po hetohen në gjendje të lirë subjekte e treta, të cilat lidhen direkt ose indirekt me subjektet që janë objekt hetimi.