Skënder Minxhozi: Dy mbretër të zhveshur që partia refuzon t’i shohë

Skënder Minxhozi: Dy mbretër të zhveshur që partia refuzon t’i shohë

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Rizgjedhja e Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike mes polemikash e dyshimesh, përkoi fatalisht me shpalljen e Sali Berishës non grata nga qeveria amerikane. Edhe kjo e dyta la pas një vazhdë mëdyshjesh serioze mbi pasojat dhe impaktin që do të ketë në anën e djathtë të spektrit politik. Dy kryetarët e fundit të PD, ai i dorëhequri dhe ky i rizgjedhuri, kanë që të dy hallet e tyre të mëdha për të zgjidhur, por që të dy duket se kanë vendosur t’i zgjidhin ato në kurrizin dhe me shpezimet e Partisë Demokratike.

Lulzim Basha u rikonfirmua siç pritej, edhe për një mandat tjetër në krye të partisë së tij. Fitoi mbyllja e syve dhe “uniteti mbi të gjitha”, ndaj nevojës urgjente për një kurs të ri politik në pultin e komandës. Lojtari plak Berisha, i vendosur formalisht në anë të fronit, preferoi edhe ai të strehohet brenda çatisë së SHQUP-it, me shumë sesa të rrijë e të presë rrufenë e radhës nga amerikanët në zyrën e tij private.

Në të hyrë të verës dhe pas një humbjeje të rëndë, PD e gjen veten kështu me dy hallexhinj që s’duan të dalin nga shtëpia e tyre politike. Dy politikanë që sot ofrojnë shumë më tepër probleme se zgjidhje. Dy mbretër lakuriqë, si në përrallën e famshme të Andersenit, që thuajse askush nga oborrtarët nuk preferon t’i shohë siç janë, të zhveshur, por vijon t’i duartrokasë për kostumet transparente që gjoja kanë veshur! Alegoria e përrallës së famshme skandinave duket e shpikur enkas për PD e sotme!

Në një deklaratë kurajoze por vetmitare, Fatbardh Kadilli shprehej dje se tashmë as Basha dhe as Berisha nuk kanë ç’ti ofrojnë më Partisë Demokratike. Ky konstatim, realisht i vetmi që mund të bëhet përballë një situate si kjo e opozitës sot, tingëllon edhe sot në vitin 2021 si një gjysëm herezie dhe guxim i çartur, në një forcë politike ku Lulzim Basha dhe Sali Berisha janë ideatorët dhe  përgjegjësit e vetëm të rrokopujës ku PD është futur prej vitesh. Gara në PD dhe qëndrimi ndaj Berishës konfirmuan se edhe 29 vjet pasi nga kjo parti u përzunë disidentët e parë, aty është thuajse e pamundur të kritikosh liderin historik. Ndërkohë që kryetari tjetër bllokoi listat e anëtarëve dhe u mbyll në zyrën e tij pas 25 prillit.

Mbrojtja thuajse unanime që figurat më të spikatura të partisë i bënë Sali Berishës përballë dënimit amerikan, shënon provën më të prekshme materiale se rotacioni i vitit 2013 mes tij dhe Lulzim Bashës ka qenë një ngjizje përgjysëm, një akt i paplotë dhe i papërfunduar. Përkrahja që ish-kryeministri arriti të marrë pas shpalljes non grata nga SHBA është një dëshmi se mbreti i vjetër vijon të adhurohet në oborrin e tij. Ashtu siç vijon të votohet edhe princi i ri, megjithëse humb sa herë që zbret në një fushëbeteje. Dy shembuj konkretë dhe dëshpërues se procesi i emancipimit dhe i ndarjes së PD nga e shkuara, është larg realizimit.

Kjo parti po vijon të zgjedhë me kokëfortësi nostalgjinë për mitingjet e zhurmshme të Berishës dhe të votojë imazhin prej djali të mirë të Lulzim Bashës. Megjithëse gjithkush ka sy të shohë e të kuptojë se të dyja këto zgjedhje çojnë qartazi drejt humbjes dhe zgjatjes së agonisë në opozitë. Tamam ashtu si në përrallën e Andersenit ku të gjithë, duke nisur nga vetë mbreti, përkunden në iluzionin se janë të veshur, madje bukur e me shije, ndërkohë që s’kanë asgjë në trup.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë