Ashtu siç pritej, Edi Rama nuk e ndryshoi qeverinë në prag të pushimeve dhe në mes të protestave. Logjika më e thjeshtë të thotë se nuk duhet të ndërhysh në skemën e pushtetit teksa pushteti kontestohet, duke ja dhënë kësisoj dafinat e fitores kundërshtarit. Rama ka vite që e mat me kujdes sesi dhe se kur i duhet të prekë në këtë buton delikat të qeverisjes, prandaj edhe nuk pritej që t’ja jepte simbolikisht kokat e ministrat flamengove dhe protestës. Të paktën jo në momentin aktual kur vetë protesta duket se e ka humbur “dhëmbin e helmatisur” me të cilën mund të kafshonte qeverinë socialiste. Ngjarjet shtyjnë më shumë për nga plazhi sesa nga largimi nga pushteti!
E megjithatë ai kishte vendosur të hidhte diçka në meidanin e protestës. Nuk donte të mungonte në debatin për protestën deri në shtator. Dhe hodhi publikisht ndaj tyre diçka në trajtën mes një premtimi, sfide apo ftese. Metoda Besa, gjetja e fundit e Ramës, kërkon të ndërtojë një hap të parë për një proces komunikimi e dialogu për punët e qeverisjes, projektet e saj zhvillimore, politikat në sektorë të ndryshëm. Jo më një deklarim i thatë e telegrafik ministrash në shkallët e kryeministrisë pas mbledhjes së radhës, por një konsultim “prej vërteti” me grupe interesi, banorë të thjeshtë, biznese e aktorë të tjerë që marrin pjesë apo preken nga këto vendimmarrje. Duke nisur me Zvërnecin. Qeveria do të flasë me shqiptarët para se të hedhë firmën, këtë premtoi Edi Rama.
Në zulmën e fitores së 11 majit, e cila praktikisht fshiu nga salla e Kuvendit opozitën dhe i dha Ramës një pushtet të madh, të rëndë dhe të panegociueshëm, risku kryesor vinte nga vetë pesha e fitores sesa nga vënia e saj në diskutim nga të tretët. Socialistët erdhën në mandatin e katërt me pushtetin më të madh, në momentin e konsumit më të madh nga vitet e qeverisjes. Këto dy drejtëza diametralisht të kundërta duket se janë në zanafillën e stinës së flamengove. Gota e pushtetit të plotfuqishëm ishte mbushur, prandaj edhe nisi të derdhet.
Rama e kupton fare qartë momentin. Sesi e lexon publikisht atë është jo domosdoshmërisht e njëjta gjë. S’mund të konsiderohet veçse si i tillë reagimi i tij i fundit pasionant dhe duartrokitës edhe për ata që e duan “në burg”. Nga njëra anë kryeministri lëvdoi hapur faktin që të flamengot po e fusnin Shqipërinë në epokën e qeverisjes në bazë të pritshmërive, e jo të ndryshimeve graduale. Nga ana tjetër ai nxorri nga xhepi Besën, një dokument i cili fokusin e ka tek komunikimi me qytetarin, më shumë sesa tek politikat që qeverisja duhet të ndryshojë në drejtim të arritjes së pritshmërive e standarteve. “Ejani flasim” qe ftesa, më shumë sesa “do bëj këtë dhe atë”!
Ky është një afrim gradual i maxhorancës me syrin e ciklonit dhe me atë që duket se është sot lista e krizave që mbajnë peng të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve. E në të cilën hyjnë me prepotencë jo vetëm komunikimi e empatia që përmendi Rama, por hyn situata ekonomike e qytetarit të thjeshtë, mungesa e perspektivës për një vend pune, për një shtëpi të re kur mbaron studimet, për një mjedis stabël e miqësor ndaj njeriut të thjeshtë dhe për një shtet që përkujdeset për qytetarin e jo që dorovit pak dhjetra prej tyre, apo për institucione që funksionojnë e jo që bëjnë sikur funksionojnë.
Më shumë sesa për komunikim, sot vendi ka nevojë për vendimmarrje të qartë, transparente dhe konform ligjit. Nuk mjafton thjesht menaxhimi i pakënaqesisë publike, duhet zgjidhje e problemeve që formësojnë pakënaqësinë publike.
Dhe në krye të problemeve qëndron, siç e ka përcaktuar dikur Bill Klinton, ekonomia. “It’s the economy, stupid”, shprehej dikur ai në fushatë elektorale. Pa ekonominë kthesa e premtuar e Ramës në raport me shqiptarët mbetet të bjerë në demagogji dhe të jetë gjysmake. Në këto kohë kur Amerika debaton çmimin e karburantit dhe të vezëve, nuk është asfare e tepërt dhe banale të flitet për krizën e çmimeve të mallrave kryesore të konsumit dhe ato të shërbimeve apo të tregut imobiliar. Jeta është bërë e papërballueshme për të rinjtë dhe të moshuarit, për pensionistë dhe invalidë, për banorë të fshatit dhe shtresa të varfëra të qytetit. Është një jetesë që për një pjesë të mirë të shqiptarëve ka formën e një lufte për mbijetesë.
Kjo është epiqendra e krizës që mbush sheshin dhe që bën të rrudhen shumë buzë teksa dëgjojnë termin “elitë politike”. Këtu është burimi madhor që ushqen pakënaqësinë popullore në vend, për pasojë edhe protestën si shprehje publike e saj.
Kemi provuar këto 35 vite se është më kollaj të ndërrojmë politikanët sesa politikat. Në këtë aspekt ndërrimet në qeveri, kurdo që të ndodhin, nuk janë zgjidhje automatike e krizës në Shqipëri. Sepse kurrë më shumë se tani duhet justifikim i besimit popullor me hapa konkrete e jo devijim i vëmendjes së tij.
Ka një kohë per retorikën ka dhe një kohë për premtimin. Ka një kohë për fushatë ka dhe një kohë për aksion dhe rezultate te dukshme. Donald Trump po e konsumon prej një dekade presidencën e tij duke i përzier të dyja. Është një mënyrë për të përballur me retorikë pasojat e luftës në Iran, dosjet Epshtein dhe hendekun e premtimeve te pambajtura. Megjithëse Trump është një modë globale sot, Rama do të bënte gabim fatal të ndiqte symbyllur stilin e tij qeverisës. Nëse kjo qe e mundur kur në skenë nuk ishin shfaqur flamengot, s’është më e mundur të luhet me durimin popullor tani që ky fenomen ka zbritur në shesh dhe po reziston plazhin, botërorin dhe trysninë e kohës.
Rama preku një problem të qenësishëm të maxhorancës, i cili ka të bëjë me komunikimin. Duhet të vijojë me pjesën më të vështirë, atë të masave konkrete për të korrigjuar qeverisjen dhe për të ofruar një më tepër oksigjen dhe shpresë në këtë vapë të nxehtë dhe depresive kur vera papritur është kthyer nga kohë pushimesh në kohë protestash. Ndoshta do ta bëjë këtë në shtator. Të shohim./Java News
Komente











