Në një nga prononcimet e shumta gjatë 40 ditëve të protestave kryeministri Rama ka hedhur një frazë që dukej si një mesazh i mirëmenduar në drejtim të asaj pjese të protestuesve që sipas tij nuk bën pjesë as te “sorrat” as te “korbat”. “Një ekip i tërë po dëgjon me shumë vëmendje gjithçka që duhet dëgjuar nga protesta e bulevardit”, u shpreh ai, duke sinjalizuar se protesta e ka arritur të parin rezultat në drejtim të objektivave të saj: atë të të dëgjuarit “me ekip” nga qeveria për kërkesat që shtron.
Në qoftë kështu ky është një veprim i përgjegjshëm i maxhorancës ndaj një fenomeni që prej më shumë se një muaji ka shuar praktikisht të gjitha sherret dhe debatet në panairin partiak në vend. Është zhdukur Foltorja, kanë rënë spaletat e opozitës historike, ka dalë madje “prapa liste” dhe Spaku me lajmet e tij zhurmëmëdha dhe në plan të parë ka dalë përballja e qeverisë me sheshin.
Pas 40 ditësh protesta ka treguar shenja serioze “plakjeje”. Lodhja nga premtimi për të rrëzuar qeverinë pas çdo daljeje në bulevard (punë orësh bie Edi Rama!), mungesa kronike e një lidershipi dhe improvizimet e njerëzve të rastësishëm që kanë në dorë megafonët apo foninë e protestës, shto këtu edhe deklarata të çmendura si ato të burgosjes së atyre që shkuan në koncertin e Kanye West – janë të gjitha shkaqe të prekshme e të qenësishme për bjerrjen graduale të vrullit të protestës.
Në anën tjetër të kësaj tërheqjeje litari 40 ditore qëndron Edi Rama me mesazhet e tij të përditshme dhe me ministra e deputetë që papritur u kujtuan se nganjëherë edhe duhet të flasësh e madje të shkosh në luftë për të mbrojtur pozitat e tua politike. Qeveria ka qëndruar stoike në pozitën e saj të pritjes që protesta të shfaqë simptomat e një mode kalimtare, megjithëse sipas logjikës së rastit ky është një aspekt që duhet verifikuar me kalimin e javëve.
Sepse së pari nuk është asfare e thënë që këta që e mësuan sesi bëhet një procesion 40 ditor (madje ‘mbarëshqiptar’ falë Albin Kurtit e të tjerëve), nuk mund ta bëjnë këtë gjë sërish në vjeshtë, dimër apo pranverën e ardhshme. Planet e punës, metoda dhe mënyrat sesi nxirren në shesh disa mijëra njerëz tashmë janë të gjitha aty dhe nuk është e thënë të mos përsëriten me fushata.
Së dyti, e kjo është edhe më e rëndësishme, me ose pa flamengot, ekstremistët e majtë a të djathtë, protestuesit e importuar nga jashtë kufinjve dhe futjen e duarve të dreqin e di se cilave shërbime e ngatërrëstarëve të tjerë shqiptarë ose jo – pra edhe pa këtë mishmash aktorësh dhe faktorësh që ushqyen protestën, në brendësi të saj qëndrojnë njëherësh edhe arsye reale dhe të prekshme për t’u ndjerë keq në Shqipërinë e sotme.
“Flamengot” duket se po tërhiqen ngadalë nga bulevardi po kjo s’do të thotë që edhe problemet e mëdha e sfiduese që ata shfaqën me forcë gjetën zgjidhje pas pesë javësh protesta.
Shqipëria është një vend ende kaotik dhe pa rregulla loje në shumë prej sektorëve të jetës ekonomike, sociale, zbatimit të ligjit dhe funksionimit të institucioneve. Njëherësh është një vend ku pabarazia, papunësia, korrupsioni i elitave dhe një rritje çmimesh që ka mpakur rroga e pensione, po e bën të padurueshme jetën për një porcion jo të vogël të shoqërisë tonë.
Qeveria është investuar shumë këto vite që ta përshkruajë ikjen e shqiptarëve si një gjetje propogandistike të opozitës dhe medias së saj, por është fakt se në kemi sot sipas Eurostat dyfishin e popullsisë që ndodhet në prag të varfërisë (40.5%), krahasuar me 21% që është mesatarja evropiane. Më tej, është gjithashtu një shifër e thatë dhe kokëfortë ajo që na thotë se e kemi standartin e fuqisë blerëse, pra mundësinë për të blerë një sasi të caktuar mallrash e shërbimesh, sa 43% e mesatares evropiane të fuqisë blerëse.
Më e rënda është se katet e poshtme të shoqërisë janë ato që vuajnë më shumë. Ne kemi paga mesatare katër herë më të ulëta se mesatarja e Bashkimit Evropian, por edhe 30-50% më të ulëta se vendet fqinje. Pensionet tona janë një burim pasigurie dhe varfërie që disa herë shkon në kufinjtë e egzistencës. Mjafton të thuhet se gjysëm milioni pensionistë kanë 200 euro e poshtë pension mujor. Nuk duhet mund për të llogaritur sesa e vështirë është për ta të dalin deri në fund të muajit!
Shumëkush ka supozuar gjithfarë teorish në lidhje me burimin e vërtetë të pjesëmarrjes dhe rezistencës që po shfaq kjo protestë. Kur para disa javësh u protestua për rritjen e çmimit të karburantit para Kryeministrisë dolën vetëm katër protestues. Dhe si papritur më pas aty u shfaqën flamengot dhe gjithfarë zogjsh të tjerë me flatra e pupla partish, OJQ-sh apo edhe të importuar nga Kosova e Maqedonia e veriut.
Ajo që habit sot është rregullsia e veprimeve, një lloj ore e brendshme dhe protokolli veprimesh që duket se protesta ka. Pak dhjetra veta në sheshin Skëndërbej nga ora 7-8 që vijnë e fryhen më pas para kryeministrisë derisa procesioni i daulleve e parullave shetit rrugëve të Tiranës deri afër mesnatës. Kjo kronologji përsëritëse, këto turma që dalin si nga hiçi, gjithçka mund të jenë përveçse reagim vullnetar dhe anarkist dhe i rastësishëm siç duan ta paraqesin. Pa u shtyrë në hipoteza mund të thuhet me siguri se kjo protestë 45 ditë pas fillimit ka shumëçka të kalkuluar e të përgatitur dhe shumë pak improvizim dhe aktivizëm brenda. Dhe padyshim ka shumë më pak pjesëmarrës!
Megjithatë protesta duket se ka zbuluar kodin sekret të pjesëmarrjes dhe kohëzgjatjes, tipare ku dështuan ndër dekada të gjithë krerët e elitës politike, përfshirë edhe vetë Ramën e Berishën. Nisur nga këto premisa mund të thuhet se protesta është një modë e destinuar të fashitet ngadalë, por duke u larguar me manualin e saj të detajuar në xhep. Pra të tërhiqet, por jo të zhduket.
Figurativisht ajo po ulet te kafet e Parkut Rinia në pritje të dallgës së re të pasionit antiqeveritar që s’dihet se kur mund të vijë sërish. Në pritje gjithashtu edhe që kryeministri të nisë reflektimin që ka premtuar në bazë të shënimeve që ekipi i tij po mban. Dhe nga ajo që Rama do të bëjë konkretisht në këtë drejtim do të varet edhe sesa do të rrijë “në kafe” vetë protesta.
E tillë siç është sot kjo protestë është një prezencë që s’ka fuqi për t’i “prerë kokën” klasës politike dhe as shumicës socialiste, por me gjasë ka për të qenë aty si një prezencë bezdisëse që pret rastin të sjellë kaos dhe presion mbi qeverinë.
Rama dhe Berisha, por edhe tre satelitët e rinj politikë, këta të fundit figurat më qesharake që i bëjnë lajka nga jashtë protestës, duhet të mendojnë këtej e tutje se ka një palë gri të ulur diku në një cep që mund të marrë një impuls e të dalë sërish nga hiçi, mu në mes të Tiranës.
Njerëz që ndjehen keq padyshim, por bashkë me ta dhe të kamufluar nën rrobat e tyre, edhe pazarxhinj partish, matrapazë të mllefit popullor, spekulantë rrjeti dhe mercenarë të paguar nga dreqi e di se kush – e gjithë kjo larushi opozitarësh të orës së fundit mund të presin një krizë çfarëdo, një fushatë elektorale apo nje tensionim politik për t’u rishfaqur.
Vite më parë Greqia u dogj sepse policia vrau një djalë të ri, Serbia u shkrumbua sepse ra streha e një stacioni hekurudhor. Çdo rast vlen për aktivizmin antiqeveritar dhe Shqipëria duket se e ka një të tillë pas dekadash qetësie absolute. Kësisoj nuk përbëjmë ndonjë rast të veçantë. Thjeshtë po përjetojmë një fenomen me të cilin nuk ishim mësuar të merremi. Kaq e thjeshtë është.
Komente











