Edi Rama tregoi më në fund se çfarë mendon të bëjë për të reflektuar ndaj një stine protestash që ka nisur prej tre muajsh në Shqipëri.
Më së pari ai propozon një sistem leximi dhe zgjidhjeje të reklamimeve, halleve e problematikave të qytetarëve mbi bazën e një komunikimi të drejtpërdrejtë e të shpejtë të tyre me platformat dixhitale që po krijohen për këtë qëllim. Një dialog i përshpejtuar mes shtetit dhe qytetarit i cili shihet si rruga më e shkurtër për të shkuar tek problemet që kanë sot shqiptarët e thjeshtë.
Në një analizë të parë ky është një reflektim i nevojshëm, madje i vonuar.
Në mandatin e katërt sfida kryesore e PS nuk po provohet të jenë mungesa e mbështëtetjes numerike në parlament dhe as ndonjë rrezik iminent që vjen nga opozita zyrtare apo edhe sheshi i protestës.
Sfida vjen nga hendeku që është krijuar në 13 vjet qeverisje mes shtetit dhe qytetarit. Një humnerë në fakt që ka ardhur duke u zgjeruar dhe që ka çuar në lexime krejt të ndryshme të situatave nga institucionet dhe të mandatuarit nga njëra anë dhe shqiptarët e thjeshtë në anën tjetër me gjithë thesin e rëndë të halleve që mbajnë përditë mbi shpinë.
Duke shpallur nevojën e një kanali direkt komunikimi me qytetarët Rama ka pranuar indirekt, përtej problemit të hendekut mes shtetit e qytetarit, edhe performancën e dobët të administratës që ai drejton.
Të marrësh shqetësimin e një qytetari përmes rrugës së shkurtër të platformave, linjave telefonike apo rrjetit social, është një mënyrë për të anashkaluar përpunimin burokratik e administrativ të problemeve që shqetësojnë sot shoqërinë shqiptare. Rama po na thotë “më shkruani mua që të mbarojmë punë shpejt”. Thënë ndryshe po kërkon që problemi të vijë tek shteti, pa pritur që shteti të shkojë tek problemi!
Në thelb nuk është ky vektori klasik dhe i vetëm i lëvizjes në një kontratë mes shtetit dhe qytetarëve të vet. Qeverisja merr votat që të identifikojë, kuptojë, zbërthejë dhe të vendosë në rrugën e zgjidhjes problemet, nevojat, urgjencat e të gjitha përmasave që votuesit kanë. Shteti ka institucione që paguhen për të ndjekur, matur dhe zgjidhur listën e gjatë të punëve të vendit.
Kemi inspektoriate, agjenci e pushtet qëndror e lokal që paguhet për ta bërë këtë gjë. Rama po pranon në heshtje se ky mekanizëm nuk ka funksionuar siç duhet e kjo është një sëmundje endemike e shumë qeverive dhe qeverisjeve në 35 vitet e fundit.
Në anën tjetër përmes daljeve në rrjetet sociale, të cilat kanë shoqëruar takimet e Pogradecit, kryeministri ka hedhur disa ide se cilat mund të jenë disa aspekte të cilat do të kërkojnë vëmendje dhe trajtim pas shtatorit. Më e para e tyre është kriza e çmimeve, siç e përmendi konkretish vetë Rama.
Prej vitesh, që nga koha e tërmeteve, pandemisë, dhe luftës në Ukrainë, kurba e çmimeve shqiptare të shërbimeve, mallrave të konsumit, energjisë dhe strehimit ka pësuar një rritje e cila shkon deri në kufinjtë e absurdit. Emigrantët nga Evropa nuk habiten më nga çmimet e lira në dyqanet shqiptare dhe as nga tarifat në plazhet e Jugut apo malet e Veriut. Habiten për të kundërtën, për çmime agresive që shpesh tejkalojnë çdo logjikë dhe justifikim.
Të blesh sot në Tiranë nuk dallon thuajse në asgjë nga blerja e të njëjtave mallra konsumi në Romë apo Athinë. Megjithëse paga mesatare, paga minimale dhe pensionet s’kanë asnjë lidhje me shtetet në fjalë. Qeveria ndodhet nën presion për të reduktuar TVSH-në e ushqimeve dhe për të rikrijuar një shportë mallrash bazike për shtresat më të varfëra. Pa harruar pagat minimale dhe pensionet. Mbetet të shihet si do të reagojë në shtator.
Konsumojmë karburantin më të keq në kontinent dhe njëherësh ndër më të shtrenjtin në Evropë, për shkak të malit të taksave që mban brenda një litër naftë por edhe të prishjes së rregullave të tregut. Plot 113 vende të botës kanë reduktuar taksat mbi karburantin pas luftës në Iran ndërsa Shqipëria vijon të paguajë më shumë se dy euro për litër nafte!
Udhëtojmë në rrugë plot gropa e që mbingarkohen rregullisht me kilometra automjetesh në fundjava dhe në sezonin turistik, aq sa po të jesh banor i Tiranës e ke thuajse të pamundur të shkosh në Pogradec e Korçë, në Shëngjin, Shkodër apo në Alpe, ose të çash drejt Jugut përmes një autostrade tashmë të shpartalluar që ndan (në vend që të lidhë) Tiranën me Durrësin.
Të gjitha nyjet kryesore të infrastrukturave të vendit janë ose të mbingarkuara, ose të dëmtuara e pa standarte, duke nisur nga zemra ekonomike e shtetit, segmenti Tiranë-Durrës. Pa përmendur hekurudhën mes dy qyteteve dhe Rinasin në mes, që është kthyer në një pëlhurë Penelope.
Kemi një sezon turistik gjithnjë e më të gjerë në numër dhe në gjeografi e kjo është shumë pozitive. Por kemi edhe një bujqësi që nuk e mban dot me produkte ushqimore këtë masë të madhe vitizorësh megjithëse jemi një vend me traditë historike në bujqësi e blegtori. Ushqejmë norvegjezë dhe polakë me mish brazilian, domate turke dhe qepë maqedone ndërkohë që vrasim kohën me akademi imagjinare blegtorësh.
Një absurd ky i importeve ushqimore në këto përmasa që duhet nisur të trajtohet urgjentish nëse s’duam që eurot që fusim në xhep nga turizmi t’i nisim mbrapsht nga na erdhën për të blerë mallra importi.
Qeveria ka nëvojë të prekë dhe zgjidhë listën e prioriteteve dhe vizionit që ka në shtyllat e mëdha të shtetit, më shumë sesa të ofrojë si ilaç komunikimin e shpejtë me qytetarin për një tub që rrjedh apo një certifikatë të bllokuar pronësie. Duhet korrigjuar vizioni dhe ritmi i punëve që mbajnë pezull vendin, më parë sesa të zgjidhim hallin e këtij apo atij qytetari.
Fjala vjen, a mund të hyhet në Evropë duke mos pasur ujë të pijshëm 24 orë të paktën në qytetet kryesore? Mburremi me lumenjtë, përrenjtë e burimet ujore që i kemi me bollëk dhe ujë s’kemi në shtëpi. Qyshse egziston si qendër e banuar, Sarandës i kalon në periferi një lumë i vërtetë me ujë të pijshëm i cili derdhet në det, ndërkohë që qyteti dhe i gjithë bregu i Jonit, ashtu si pjesa tjetër e vendit, ka etje për ujë.
Qeveria fillon një sezon vjeshtor në të cilin këtë vit më shumë se kurrë kanë rëndësi idetë dhe hapat konkretë, sesa emrat që po mbushin listat e gosipit politik. Rama e di këtë prandaj edhe takimet i fokusoi tek problematikat e jo tek emrat.
Maxhoranca nuk ka problem personash, sepse ajo ka luksin të emërojë cilindo të njohur a të panjohur ministër. E ka provuar me promovimet e çuditshme që ka bërë në vite. Maxhorancës i duhen ide dhe vullnet për të rivënë në lëvizje makinerinë e mandatit të katërt qeverisës. Jo për inat të flamengove, e as për shkak të tyre.
Por sepse është koha që punët në këtë vend të marrin një drejtim e të mos hallakatemi më nëpër kallamishtet e improvizmit dhe limontisë së tranzicionit teksa po mbyllim kapitujt e aderimit në Bashkimin Evropian./Javanews
-
Pse lindin probleme? 1. Pabarazia: Pasuria është e përqendruar në duart e një pakice, ndërsa shumica jeton në varfëri. 2. Korrupsioni: Fondet shtetërore përdoren për përfitime personale në vend që të përmirësojnë shëndetin, arsimin dhe punësimin. 3. Qeverisja e dobët: Udhëheqësit marrin vendime të dobëta ekonomike ose sociale që ndikojnë negativisht te njerëzit. 4. Mungesa e drejtësisë: Ligjet nuk zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe pandëshkueshmëria gërryen besimin. Kush i krijon ato? 1. Udhëheqësit: Presidentët, ministrat ose politikanët që abuzojnë me pushtetin e tyre, gënjejnë ose injorojnë nevojat reale të popullsisë. 2. Elitat e pushtetit: Grupet ekonomike ose të privilegjuara që manipulojnë ligjet për të mbrojtur interesat e tyre në kurriz të të tjerëve. 3. Krimi: Bandat dhe rrjetet kriminale që gjenerojnë dhunë, frikë dhe pasiguri në rrugë. 4. Faktorët e jashtëm A mund te zgjidhen problemet nga ata qe i krijojne? Ata që krijojnë probleme mund t’i zgjidhin teorikisht ato, por rrallë e bëjnë këtë vetë për shkak të konflikteve të interesit. Një zgjidhje e vërtetë pothuajse gjithmonë kërkon presion të jashtëm ose ndryshime strukturore. Pse mund t’i zgjidhnin ato? 1. Kontrolli i burimeve: Sundimtarët dhe elitat kanë fuqinë ligjore dhe paratë për të ndryshuar ligjet dhe politikat. 2. Informacioni: Ata e dinë saktësisht origjinën e problemit sepse vetë i kanë hartuar ose lejuar ato kushte. Pse nuk e bëjnë vullnetarisht? 1. Humbja e privilegjeve: Zgjidhja e korrupsionit ose pabarazisë do të thotë humbje parash, pushteti ose kontrolli politik. 2. Mungesa e stimujve: Nëse sistemi aktual u sjell dobi atyre, ata nuk kanë asnjë arsye të vërtetë për ta ndryshuar atë, përveç nëse detyrohen. 3. Paaftësia: Ndonjëherë, vendimet e këqija nuk janë për shkak të keqdashjes, por për shkak të një paaftësie teknike për të menaxhuar kriza komplekse.
Përgjigju -
Problemet qe prek gazetari ekzistojne e dihen nga qeveria.Per çmimet e ushqimeve,vete Rama thote se s'kemi çfare ti bejme,jemi kapitalizem,vendosin vete,ofert - kerkese e terci-verci,ndersa sot qe flasim,pothuajse ne çdo artikull qe vje nga Italia,Greqia,neper supermarketet tona eshte 3 here me shtrenjte.Po keshtu edhe te tjerat,karburanti p.sh.,nderkohe qe rrogat jane ibret.Keto,qeveria duhet ti kishte zgjith me kohe,pa bere show fare,jo pasqyrat,besa e ku ta di une.Me duket qe behet show para zgjedhjeve ndashta.
Përgjigju








Komente
Komento