Skënder Minxhozi: Vetingu pasuror pas dosjeve të SPAK: Shpata e vërtetë e Damokleut

Skënder Minxhozi: Vetingu pasuror pas dosjeve të SPAK: Shpata e vërtetë e Damokleut

Sali Berisha mblodhi me urgjencë gazetarët pas daljes së dosjes së klubit Partizani nga dyert e SPAK. E ka të qartë se po afron përballja me fakte, e jo me fjalime e mitingje, me gjyqtarë e prokurorë e jo me kundërshtarë politikë në bangat e Kuvendit. Dhe toni e Berishës është ai i personit që ndjen seriozitetin e momentit në të cilin ndodhet bashkë me dhëndrrin e të tjerët. Pas më shumë se nëntë muajsh arresti shtëpiak dhe disa vite hetimesh, sfida mes familjes Berisha dhe prokurorisë së posaçme do t’i drejtohet dyerve të gjykatës.

Nxjerrja e dosjeve të drejtësisë nga korsia e hetimit dhe gjykimit, tek mitingjet, lufta politike dhe sherret mes partive, janë një fenomen joshqiptar. Gjen sot në Amerikë, në vendin më të madh demokratik të botës, një kandidat për president që nuk njeh zgjedhjet, që sulmon parlamentin dhe që ka rreth 90 akuza të të gjitha natyrave nga organet e drejtësisë së SHBA, e megjithatë vijon i pashqetësuar garën për president.

Këtu tek ne, qysh në hapat e para të hetimeve të Spak ndaj eksponentëve të opozitës Berisha, Meta e të tjerët rreth tyre damkosën prokurorinë e posaçme dhe Altin Dumanin si “grup i struktuar kriminal” e plot epitete të tjera të ngjashme. Drejtimi i rrezikshëm që po merrnin hetimet ndaj një liste të gjatë politikanësh, duke përfshirë jo vetëm akuzat konkrete por edhe hetimin pasuror të tyre, shënoi pikën që derdhi gotën e durimit për më të vjetrin prej tyre, Sali Berishën dhe aleatin e tij Ilir Meta.

Dosja e Partizanit na zbulon në mënyrën më të hapur dhe pse jo edhe cinike, se metoda e hetimit të asaj që quhet drejtësia e re nuk ka mbetur vetëm brenda objektit të akuzës fillestare por është shtrirë menjëherë tek hetimi pasuror. Kjo duket një metodologji e përdorur rregullisht nga prokuroria e posaçme në shumë çeshtje deri më sot dhe ky është një element tejet sensitiv në betejën e gjatë të SPAK-GJKKO në njërën anë dhe politikës e zyrtarëve të lartë shqiptarë në anën tjetër.

Ajo që na shpaloset në 500 faqet e dosjes Berisha është një mori faktesh, shifrash, rrethanash konkrete disa prej tyre të shumë viteve më parë, ngjarjesh në dukje pa lidhje me funksionin zyrtar e politik si dhe me dosjen në shqyrtim, por më shumë me jetën private e familjare, ku figuron i kudondodhur kapitali, leku, prona.

SPAK ka vënë shumë mish në zjarr. Mbetet të shihet a ka qëlluar në shenjë me morinë e pafundme të detajeve, shifrave e transaksioneve që ka ngritur kundër familjes Berisha. Duket një ndërmarrje e vështirë që kjo të ndodhë në tërësinë e saj, pasi prokurorët kanë ndërtuar një pyll të madh faktesh e të dhënash ku mund të humbasë edhe vetë i zoti i pyllit.

Megjithatë kjo ka vetëm rëndësi relative në raport me fenomenin e përgjithshëm, atë të shqyrtimit pasuror të karrierave politike që na kanë qeverisur në tre dekadat e fundit. Ajo që shquhet edhe një herë më qartë se kurrë është se sot po asistojmë jo në një dosje akuzuese ndaj një zyrtari të lartë, por në një akt madhor vetingu dhe analize të thellë pasurore të këtij politikani. Në fakt më të fuqishmit politikan të tranzicionit shqiptar.

Vetingu i fshehur pas dosjeve fillestare me x apo y akuza, është metoda që po përdor SPAK për të kapur gafil klasën politike shqiptare. Dhe kur vjen fjala tek paratë, mënyra si kanë lëvizur, sasia, duart ku kanë shëtitur, procedurat që janë përdorur dhe produkti final që kanë krijuar – në këtë rrjetë të madhe pasurie e interesash që paratë kanë krijuar është e vështirë të dalë dikush i pastër nëse hetohet. Edhe vetë Papa do të dilte i korruptuar!

Spak i ka rënë një këmbane që deri dje ishte e ndaluar të binte. Kemi pasur ILDKPI dhe të tjera institucione që duhej të kishin ndalur paranë e fituar përmes korrupsionit të elitave drejtuese, por të gjitha dështuan. Dhe dështuan për një arsye të vetme: sepse po të ishin treguar eficiente dhe rigoroze s’do të kishim më këtë klasë politike që kemi! Kaq e thjeshtë është. Ndoshta Spak ka marrë vendimin që të jetë efektiv aty ku të tjerët dështuan për 33 vjet. Nëse po, ky do të ishte fillimi i fundit të tranzicionit shqiptar ashtu siç e kemi njohur qyshse mbajmë mend.

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • REXHEP HAJDAR BULE LEKA [ KEPI ]: 18/09/2024 13:42

    Po mjaft mor zot me karagjozin hajdut kriminel Sali Bajgēn. Futeni qenin brēnda e mbaron tragjedia e Shqipris me ktē lloi vemje malok kok pa lar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë