Lindsey Vonn tha sot se “ëndrra e saj olimpike nuk ka mbaruar” pasi u rrëzua në garën e saj të fundit në zbritje për femra, vetëm disa ditë para Lojërave Olimpike Dimërore.

41-vjeçarja humbi kontrollin pak sekonda pasi kishte filluar lëshimin e saj. Ajo u përplas në rrjetat e sigurisë në Crans-Montana të Zvicrës duke dëmtuar gjurin  e majtë.

Pasi u mjekua nga ndihma e shpejtë, Vonn arriti deri në vijën e finishit dhe më pas u transportua me helikopter në spital për vlerësim të mëtejshëm.

“Sot u rrëzova në garën Downhill në Zvicër dhe dëmtova gjurin e majtë. Po e diskutoj situatën me mjekët dhe ekipin tim dhe do të vazhdoj t’i nënshtrohem ekzaminimeve të mëtejshme.

Ky është një rezultat shumë i vështirë një javë para Lojërave Olimpike... por nëse ka një gjë që di si ta bëj, është një rikthim. Ëndrra ime olimpike nuk ka mbaruar. Faleminderit për gjithë dashurinë dhe mbështetjen”, shkroi ajo në Instagram.

Legjenda e skijimit bëri një rikthim të jashtëzakonshëm sezonin e kaluar pas gati gjashtë vitesh larg sportit. Nëse ajo do të jetë ende në gjendje të garojë, Vonn pritet të jetë një nga yjet më të mëdhenj në Lojërat Olimpike Milan-Cortina.

Ajo ka tre medalje olimpike, duke fituar medaljen e artë në zbritje për femra dhe medaljen e bronztë në super-G në vitin 2010, dhe pasi humbi vitin 2014 për shkak të një dëmtimi, ajo u rikthye për të shtuar medaljen e bronztë në zbritje në vitin 2018.