Skulptori shqiptar në Itali, mes legjendave
dhe natyrës

Skulptori shqiptar në Itali, mes legjendave<br />dhe natyrës
Skulptori Vlash Kaçorri, e sheh jetën e tij pazgjidhshmërisht nga arti. Që në moshë fare të vogël do të dallohej tek ai shkëndija e talentit të një artisti të spikatur, ndërsa rruga e artit që ai do të ndiqte në jetën e tij u shtrua bindshëm në vitet e Akademisë së Arteve, nën kujdesin e profesorit të tij, Andrea Mano, Hektor Dule apo Thoma Thomai, dhe deri tek udhëheqësi i tij i diplomës skulptori Kristaq Rama.

Që prej vitit 2002 e deri më sot Vlash Kaçorri e ndan jetën e tij mes paisonit për artin dhe angazhimeve të tjera jetësore në shtetin fqinj, Itali. Në këtë intervistë për “Shqiptarja.com” ai rrëfen artin e tij, fillesat e karrierës, Shkollimin dhe krijimtarinë në vitet e diktaturës, veprat e pas ’90-s, jetën në emigrim dhe planet e së ardhmes. 
 
Vlash, prej vitesh jetoni dhe punoni në Itali, por duart tuaja vazhdojnë të realizojnë skulptura të veçanta. Si i kujtoni fillimet tuaja?
-Në vitin 2002, për arsye familjare shkoj në Itali ku vazhdoj të jetoj me gjithë familjen time. Këtu kam bërë punë nga më të rëndat dhe të ndryshme për të mbijetuar. Gjatë këtyre viteve, që më morën moshën më të mirë të krijimtarisë time, kam punuar thjesht për të mbajtur të pafikur shkëndinë e pasionit për profesionin tim. Puna dhe lodhja ishin kaq e rëndë, sa nuk gjeja kohë për t’u marrë me art në mënyrë serioze.

Çdo ditë në punë më mbusheshin sytë me lot, kur mendoja se kisha braktisur pasionin më të madh të jetës time që ishte skulptura, po ç'të bëja, këtu nuk ke shokë nuk ke miq që mund të ndihmojnë, duhet të punosh, ndryshe përfundon në rrugë. Ndërkohë në kokën time zienin mendimet dhe idetë krijuese, të cilat prisnin të realizoheshin.
 
Cilat janë fillimet tuaja….?
-Fillimet e mia zënë fill në fëmijërinë time të hershme, përpara se të shkoja në klasë të parë. Më pëlqente të vizatoja dhe shpeshere në tokë ndërtoja qytete me baltë dhe me gurë, si dhe përpiqesha të bëja figura të ndryshme në baltë.

Njeriu që ka ndikuar më shumë në fillimet e para të mijat ka qënë i ndjeri babai im. Babai ishte mjeshtër në gdhendjen e djepave për fëmijë dhe kur punonte ai unë isha gjithmonë aty me kureshtjen time të jashtëzakonshme. Pas mbarimit të 8-vjeçares, fitova konkursin dhe u futa në Liceun Artistik në Tiranë më 1974. Në fillimet e shkollës nuk isha ndër më të mirët, pasi isha i painstruktuar, ecuria ime ishte e shpejtë dhe mbarova duke mbrojtur diplomën në vitin 1979 me rezultate shumë të mira. Pas një viti stazh, në vitin1981, konkurroj në shkollën e lartë të Arteve në të njëjtën degë, skulpturë, ku fitova duke qënë ndër të parët në listën e fituesve.

Gjatë 4 viteve të shkollës së lartë, krahas detyrave të ndryshme studimore, kam realizuar një sërë kompozimesh në skulpturë me tema të ndryshme nga historia dhe puna, natyrisht brenda korrnizave dhe kufizimeve të kohës. Kompozimi ka qenë dhe mbetet gjinia e preferuar e imja, por në atë kohë duhej të bëjë kujdes.... nuk mund të bëjë ç'farë të vinte në kokë.

Kjo gjë sigurisht, kufizonte mjaft mundësinë për t’u shprehur në mënyrë të lirshme dhe të larmishme. Me mbarimin e shkollës së lartë më 1981 rikthehem në vendlindjen time Mirditë, ku filloj punë si mesues vizatimi si dhe instruktor i piktorëve të vegjël në QKF Rrëshen.
 
Si ishte të jetoje e të krijoje atje, larg atmosferës që kishit përjetuar në Tiranë në Akademinë e Arteve?
-Mungesa e kushteve dhe e kohës së lirë, pasi punoja edhe pasditeve, ishin në disfavorin tim si krijues, megjithëatë kam vazhduar të punoj në ç'do ambient, në oborr të shtëpisë, në korridor të shkollës dhe kudo. Por mungesa e një studioje ma vështirësonte pa masë realizimin e ideve të mija. Isha i ri. plot vrull dhe energji, por fati im ishte në duar të pushtetarëve të asaj kohe që nuk kishin haber nga arti.

Edhe pse në kushte të vështira gjatë viteve ‘80 kam realizuar një sërë punësh të ndryshme, kompozime relieve, buste, portrete heronjsh, fshatarësh, aksionistësh, të cilat kanë qënë të vendosura nëpër muzeume, institucione, shkolla, lokale etj. Disa nga këto punë nuk i kanë rezistuar ndryshimeve demokratike, disa të tjera qëndrojnë akoma në muze apo në shkollë.

Disa punë të kësaj periudhe janë: Pjetër Perlati(portret), "Vajza nga fshati"(kompozim)", çesma e re "(kompozim reliev) me këtë të fundit kam marrë pjesë në një ekspozitë për të rinjtë më 1986, “Mirditorja"(kompozim), "Pashko Vasa"(medalion) ), "Tors minatori" (kompozim), "Aksionistet"(kompozim reliev)etj. Një punë e veçantë dhe me vlera për kohën ka qënë realizimi i banakut të stacionit të trenit në fund të viteve 80, një punë e realizuar e gjitha në dru të gdhendur me ornamente floreale që sot nuk dihet se ku ka përfunduar si shumë punë të tjera të mijat.
 
Si e përjetuat ndërrimin e sistemeve politike? Çfarë ndodhi me artin tuaj pas vitit ’90?
-Me ardhjen e demokracise duhej të përshtateshim me të renë. Ishim të lirë dhe duhej menduar ndryshe...Gjatë viteve ‘90 jam marrë kryesisht me punë të karakterit privat dhe me porosi të ndryshme. Por jam marrë kryesisht me rrahjen e bakrit dhe me gdhendje në dru.

Kam realizuar "Udhën e kryqit", rreth 15 punë në bakër të djegur, dhe një portret të "Padre Pio". Në dru kam realizuar "Darkën e fundit të Jezus Krishtit", “Një moment dashurie" si dhe dy kompozime për shpërnguljen e kosovarëve në ‘99 nga bombardimet serbe, njëra me titull “Të shpërngulurit", tjetra "Dora njerzore", etj. Vitet ’90-të ngelen vite të tranzicionit të vështirë, jo vetëm për mua si krijues, por për mbarë vendin tonë. Ndërkohë në kokën time idetë e reja dhe në forme kaotike sa vijnë e bëhen më të qarta.
 
Pavarësisht ecejakeve ju vazhdoni të qëndroni besnik i natyrës dhe bukurive të saj, duke i qendisur dhe në forma të ndryshme. Natyra konsiderohet si muza e krijimeve tuaja?
-Unë jam shumë i apasionuar me natyrën, më pëlqejnë malet me pyje të ndryshme dhe të larta, gjelbërimi është velloja e natyrës. Edhe këtu ku jetoj në Itali për fat, është zonë me plot gjelbërim dhe pyje të lartë që rrinë si kurorë përqark Liqenit të madh.

Pothuajse çdo dite bëj një xhiro në pyll, nga ku përveç ajrit të pastër dhe largimit të stresit gjej drurin për të gdhendur, e çdo vjeshtë na dhurojnë gështenja kokërrmëdha. Në pyll ndjehem mirë gjithmonë, atje më lindin dhe idete më të shumta të punëve të mija. Duket e çuditshme po është e vërtetë, që kur shikoj trungjet, rrënjët apo degët e pemëve, në imagjinatën time fillojnë të lindin ide dhe figura të cilat me kohë shndërrohen në kompozime të verteta. Ështe kjo arsyeja që në punët e mia ka natyrë dhe jetë, sepse natyra është muza ime...
 
Si e keni gjetur veten në Itali, ju frymëzon arkitektura dhe historia e arteve italiane?
-Çdo artist, skulptor apo piktor ka ëndërr të vizitojë Italinë, për të parë nga afër kryeveprat botërore të të mëdhenjve të Rilindjes Italiane si Michelangelo, Leonardo, Raffaello, Caravaggio dhe një sërë artistësh të tjerë, të cilët me artin e tyre kanë rrezatuar mbarë botën.

Me miliona turistë nga e gjithë bota vijnë çdo vit në Itali për të vizituar kryeqytetin e artit në botë, që është Roma apo Firenze, Pisa apo Venezia. Italia është nje shkolle e vërtetë sidomos për të rinjtë që duan të futen në rrugën e vështirë por të bukur te artit.
 
Portretet fisnike të burrave të maleve gjejnë një hapësirë të konsiderueshme, është ky një ngacmim nga origjina juaj mirditore?
-Vendi ku je lindur dhe je rritur, traditat dhe zakonet, historitë e ndryshme të trimërisë dhe të besës, sigurisht që kanë lënë gjurmë dhe mbresa të pa shlyera në memorien time, të cilat reflektohen në mënyrë spontane edhe në krijimtarinë time. Mirdita është një vend i mrekullueshëm më një histori të lavdishme dhe një trevë me një folklor të pasur dhe më të veçantë në Shqiperi akoma i pa shfrytezuar. Kam plot ide për Mirditën dhe do të kisha dëshirë që një ditë të më jepej mundësia të realizoj ndonjë nga këto ide.
 
Cilat jane projektet tuaja ne te ardhmen, ndoshta nje ekspozite mes artisteve shqiptare?
-Kam plot ide dhe projekte për të ardhmen. Por për të hapur një ekspozitë personale një skulptori i duhet një jetë e tërë, ndryshon puna në pikturë. Nuk kam asnjë lloji projekti për ekspozitë as personale, as me artistë të tjerë shqiptarë. Por do të isha shumë i gatshëm për një eveniment të tillë.
vlash kacorri
















Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, s’u lejuan të votonin me karta të skaduara, reagon Omonia

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, s’u lejuan të votonin me karta të skaduara, reagon Omonia