Si fillim nuk është e vështirë të bihet dakord se ajo që bëri Agron Shehaj në Kuvend me marrëveshjen ushtarake me SHBA s’ka asnjë lidhje me shërbime të huaja, qëllime spiunazhi apo diçka tjetër të kësaj natyre. Ai turravrap koridoreve të parlamentit teksa nëpunësja që administronte marrëveshjen e ndiqte pas duke rënë nga shkallët, nuk ishte ikja e një agjenti, por e një influenceri politik. Do të ishte për të qeshur nëse zbërthehet si agjenturor ai gjest grotesk dhe banal i një deputeti që merr ca letra dhe del me vrap nga zyra si fëmijët që vjedhin tinëz hurmat e komshiut.

Gjesti i Agron Shehajt është një gjetje e radhës e një politikani që ka hyrë me celular ndezur në dorë në jetën politike. Thënë ndryshe, ai vrap koridoresh është një akt i radhës i mirëmenduar për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Tamam si ata lojtarët e reality show që kur afrohet spektakli i fundjavës dalin nga plogështia dhe mendojnë lloj-lloj marifetesh që të bien në sy natën e shfaqjes. Kështu edhe kjo arratia me letrat e Amerikës në dorë e Agron Shehajt. Një episod qesharak, sikur të mos ishte rrëzimi nga shkallët i asaj zonjës që e ndiqte nga pas. Një episod i stisur vetëm me një qëllim: Me kap prajmin!

Shehaj nuk është i ri në këtë qasje. I vajti kryeministrit me celular duke e filmuar në fytyrë teksa e shante e sulmonte vetëm që rriste audiencën në profilet sociale që e ndiqnin live sherrin me të parin e qeverisë. Muaj më parë u ngul në foltoren e Kuvendit duke i zënë radhën folësve demokratë derisa Noka e të tjerët e larguan fizikisht prej aty. Sërish për të kapur edicionet e lajmeve kryesore.

Ka shkaktuar sa e sa sherre verbale me ministra e kundërshtarë politikë majtas e djathtas duke transmetuar sërish në rrjetet e veta sociale atë që po bënte. E di kodin e të bërit viral, e di dhe magjinë e TikTokut e Facebookut dhe i shfrytëzon këto platforma sa herë që i paraqitet rasti. Edhe kur rastin i duhet ta sajojë nga hiçi, si kjo puna e vrapit parlamentar. Është një zgjedhje e tij mediatike, e jo politike ajo që e shtyn të jetë rregullisht në qendër konfliktesh të sajuara me qëllim që të marrë vëmendje dhe të shfaqet si e vetmja opozitë në sallën e parlamentit. Ai është dënuar plot pesë herë gjatë këtij sesioni parlamentar për sjelljet abrazive që ka treguar në Kuvend. I mungonte edhe një vrap me një tekst të klasifikuar në dorë korridoreve të parlamentit, që ta plotësonte panoramën e “përplasjes me regjimin”.

Protesta 60 ditore ka futur nën presion të gjithë klasën aktuale politike. Ku bën pjesë me patjetër edhe treshja e partive të reja që u votuan në zgjedhjet e shkuara të 11 majit. Presioni i ardhur nga sheshi prek dhe influencon secilin nga aktorët politikë sipas një dinamike të personalizuar.

Kështu fjala vjen, protesta i ka marrë gjithë fushën e lojës Berishës. Ka futur në mendime jo të pakta Edi Ramën dhe shumicën e tij. Por njëherësh ka dubluar, duke i shkelur këmbët, edhe tre parti të reja, ndër të cilat ajo e zotit Shehaj, të cilat e shohin veten rregullisht në periferi të qendrës së zërit të protestës, duke u munduar të kapin diçka nga inercia e turmës. Një turmë e cila deri më sot i ka sulmuar disa herë publikisht tre krerët e partive në fjalë. E kjo të shtyn të gjesh të tjera rrugë “të forta” për t’u faktorizuar. Si fjala vjen, të rrëmbesh ca letra ‘amerikane’!

Agron Shehaj duket se po bindet se ndodhet pranë një emërimi në postin e kryeministrit ose së paku që do të jetë pjesë e rëndësishme e së nesërmes politike të këtij vendi. Se cila do të jetë ajo alkimi numrash, rrethanash apo negociatash që do ta katapultojë aty kjo nuk është shumë e qartë por Shehajt i mjafton që ta ushqejë këtë mundësi qoftë edhe boshe. Dhe si duhet pritur kjo orë fatlume në mënyrë “krijuese”?! Duhet pritur ndër të tjera edhe duke marrë dokumenta të klasifikuara e duke ikur me vrap nëpër korridoret e shtetit. Me kusht që gjithçka të jetë duke u filmuar për t’u përdorur më pas si provë e heroizmit të deputetit që nuk ngurron të zbulojë letrat e qeverisë së korruptuar edhe kur në mes është Amerika. ‘Nice try’ thonë me ironi në këto raste matanë Atlantikut!/Javanews