TIRANË- Nëse një nxënës tenton të hyjë në ambientet e brendshme të një shkolle me armë apo me një objekt tjetër të paligjshëm, kamerat inteligjente e identifikojnë dhe dërgojnë menjëherë alarm në Qendrën e Komandës dhe Kontrollit të Smart Cityt, si dhe te strukturat vendore të Policisë.

Sistemi përmes inteligjencës artificiale është në gjendje të kuptojë sjellje të dyshimta, situata të rrezikshme apo veprime që mund të përbëjnë shkelje të ligjit. Çdo rast që evidentohet kthehet në një “alert”, dhe dërgohet menjëherë te patrulla më e afërt.

 20 ndër shkollat më të frekuentuara në Tiranë dhe Kamëz janë pajisur tashmë me kamera inteligjente, ndërsa sistemi do të vihet në funksion nga shtatori, me nisjen e vitit të ri shkollor. Në total janë instaluar rreth 600 kamera, të cilat synojnë të rrisin sigurinë për rreth 14 mijë nxënës.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm dhe ministrja e Arsimit, inspektoi Qendrën e Komandës dhe Kontrollit, ku pa nga afër se si funksionon sistemi.

Kreu i qeverisë tha se teknologjia do të përdoret jo vetëm për rritjen e sigurisë në shkolla, por edhe për identifikimin e menjëhershëm të kriminelëve.

 “Për të thënë një nga detajet, nëse një thikë del nga xhepi në cilindo vend publik, jo vetëm në shkolla, por dhe në rrugë, sistemi jep menjëherë informacion në qendrën e monitorimit. Mund të jetë krejtësisht, e parrezikshme, por mund të jetë dhe e rrezikshme. Sistemi e bën pothuajse të pamundur që në momentin e reagimit, Policia të mos dijë se nga të drejtohet”, tha Rama.

Rama solli si shembull edhe rastet e automjeteve të përdorura në ngjarje kriminale.

“Historia e makinave që kryejnë akte kriminale dhe pastaj gjenden të djegura në një pozicion disa kilometra nga vendngjarja, nuk mund të ndodhë më, për shkak se sistemi e sheh makinën përpara se sa makina të ndalet dhe informon se ku gjendet makina”, vijoi Rama.

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, shpjegoi se sistemi bazohet në burimet e informacionit të shpërndara në terren, platformën e Komandës dhe Kontrollit, si dhe inteligjencën artificiale, që analizon në kohë reale të dhënat e mbledhura.

“Sistemi përpunon informacionin e ardhur nga 873 lokacione operative, të shpërndara në 12 Drejtori Vendore të Policisë, 24 qytete kryesore, 28 pika të kalimit kufitar dhe 20 shkolla në qytetin e Tiranës, duke mundësuar reagim të menjëhershëm ndaj çdo rreziku të mundshëm”, theksoi Lamallari.

Sipas qeverisë, plani për instalimin dhe zgjerimin e sistemit Smart City do të vijojë gjatë 12 muajve të ardhshëm ku e gjithë Shqipëria do të jetë “live”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:59
Hita: ‘Smart City’ sjell një epokë të re për Policinë e Shtetit, do të forcojë sigurinë publike dhe mbrojtjen e shkollave

1784221667_ztxrfyuii.jpeg

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, e cilësoi projektin “Smart City” si një investim strategjik që po transformon mënyrën e funksionimit të Policisë së Shtetit dhe garantimit të sigurisë publike në vend.

Gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin kushtuar projektit “Smart City”, Hita tha se, megjithëse në fillim nisma u prit me skepticizëm, ajo do të japë rezultate konkrete, duke justifikuar besimin dhe investimin e bërë.

Sipas tij, “Smart City” nuk është thjesht një projekt teknologjik, por një sistem i integruar që rrit aftësinë e Policisë për të parandaluar krimin, për të reaguar më shpejt ndaj ngjarjeve dhe për të garantuar një nivel më të lartë sigurie për qytetarët.

Ai theksoi se sistemi do të ndikojë drejtpërdrejt në forcimin e sigurisë publike, mbrojtjen e shkollave, monitorimin inteligjent të qarkullimit rrugor, luftën kundër kriminalitetit, si dhe në rritjen e kontrollit në pikat e kalimit kufitar dhe përgjatë kufirit të gjelbër.

Hita e cilësoi projektin një investim strategjik, që sjell një filozofi të re policimi dhe i jep Policisë së Shtetit më shumë kapacitete për mbrojtjen e jetës, pronës dhe rendit publik.

"Siguria nuk matet vetëm me statistika, por me ndjenjën e qetësisë që qytetarët kanë në lagjet, rrugët, shkollat dhe komunitetet ku jetojnë", u shpreh ai.

Në përfundim, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit theksoi se institucioni do të vijojë zhvillimin e projektit në bashkëpunim me qeverinë dhe partnerët, me synimin që “Smart City” të shndërrohet në një model të qëndrueshëm për garantimin e sigurisë në Shqipëri.

Ora 14:55
Ministri Lamallari shpjegon si do funksionojë projekti ‘Smart City’: Kapërcim epokal për sigurinë publike dhe mbrojtjen e qytetarëve

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari,  theksoi se “Smart City” nuk është thjesht një projekt kamerash, por një ekosistem i integruar teknologjik që transformon mënyrën se si parandalohet dhe menaxhohet rreziku në kohë reale.

“Qendra e Komandës dhe Kontrollit ngrihet dhe qëndron nga sot, në zemër të një filozofie dhe qasjeje të re të qeverisë shqiptare për sigurinë publike. Programi ‘Smart City’ nuk është thjesht një projekt kamerash. Kush e sheh kështu, ose e zvogëlon me dashje, ose nuk e ka kuptuar ende dimensionin e tij,” u shpreh ministri.

Lamallari shpjegoi se sistemi bazohet në 3 komponentë të integruar: burimet e informacionit të shpërndara në territor, platformën e centralizuar të komandës dhe kontrollit, si dhe inteligjencën artificiale që analizon në kohë reale të dhënat e mbledhura. Sipas tij, sistemi përpunon informacionin e ardhur nga 873 lokacione operative, të shpërndara në 12 Drejtori Vendore të Policisë, 24 qytete kryesore, 28 pika të kalimit kufitar dhe 20 shkolla në qytetin e Tiranës, duke mundësuar reagim të menjëhershëm ndaj çdo rreziku të mundshëm.

“Çdo sjellje potencialisht e rrezikshme apo në shkelje të normave ligjore detektohet përmes inteligjencës artificiale dhe merr formën e një ‘alerti’ pikërisht këtu në Qendrën e Komandës dhe Kontrollit, për t’u ndarë menjëherë me patrullën më të afërt në territor. Sistemi është projektuar të evidentojë, analizojë dhe paralajmërojë në kohë reale, duke mundësuar një reagim proaktiv dhe parandalues,” deklaroi ministri.

Duke folur për zbatimin e fazës së parë të projektit, Lamallari theksoi se nisja me 20 shkollat më të frekuentuara të Tiranës është një zgjedhje me rëndësi strategjike.

“Nuk është e rastësishme që këtë projekt, i cili është me plot kuptimin e fjalës një kapërcim epokal në garantimin e sigurisë në Shqipëri, e nisim me 20 shkollat më të frekuentuara të kryeqytetit. Siguria e një vendi nuk matet vetëm me statistikat e luftës kundër krimit, por edhe me aftësinë reale për të mbrojtur fëmijët tanë,” tha ai.

Ora 14:27
Kamera inteligjente në rrugë/ Rama: S’ka më makina që digjen pas atentateve, sistemi sinjal në kohë reale

 

Kryeministri Edi Rama thotë se me monitorimin e rrugëve me kamera inteligjente do të rritet niveli i parandalimit të ngjarjeve kriminale. Rama mori shembull skemat tipike të atentateve, kur autorët pasi ekzekutojnë, largohen pa lënë gjurmë dhe djegin mjetet e përdorura në krime. Sipas tij, sistemi do të sinjalizojë në kohë reale se ku ndodhet makina.

Kryeministri tha po ashtu se policët do të pajisen me kamera trupi të cilat do të jenë të lidhura me qendrën e Komandës dhe Kontrollit të projektit Smart City. Edhe makinat me detyrime të papaguara do të detektohen nga sistemi inteligjent.

“Jo vetëm në shkolla, por edhe në të gjitha rrugët e vendit dhe komunitete. Sistemi informon në kohë reale për rrezikun, jo thjesht të ruajë një informacion që pastaj duhet të marrë duke hapur sistemin e duke nxjerrë informacionin kur fakti ka ndodhur. Nëse një thikë del nga xhepi, në cilindo vend publik, jo vetëm në shkolla, por edhe në rrugë, sistemi jep informacion në qendrën e monitorimit. Mund të jetë krejtësisht e parrezikshme, por mund të jetë edhe e rrezikshme,. Nëse një person në kërkim ka shumë mundësi të fshihet, sistemi e bën pothuajse të pamundur që në momentin e reagimit policia të mos dijë nga të drejtohet. Historia e makina që kryejnë akte krimi dhe pastaj gjenden të djegura, nuk mund të ndodhin më për shkak se sistemi e sheh makinën para se makina të ndalet. Informon se ku gjendet. Sistemi informon qendrën kur një makinë që nuk ka paguar detyrimet del nga parkimi dhe futet në rrugë. E kombinuar edhe me një element tjetër që kamerat e trupit do jenë të lidhura me qendrën dhe do jetë e pamundur që të bëhen lodra, isha deri këtu, shkova deri aty. Do bëjë që problemi i raportit etik mes punonjësit të policisë dhe një qytetari në makinë apo në rrugë, të adresohet në mënyrë sistemike. Jo se s’do ndodhë më asgjë, se kjo nuk ka ndodhur askund, por niveli i parandalimit do ritet në mënyrë eksponenciale, niveli i rreziqeve do ulet dhe zbulueshmëria e shkeljeve do rritet”, tha Rama.

Ora 14:26
Kamera inteligjente në shkolla, Rama: Sinjalizojnë në kohë reale për rreziqet, përgjigje ndaj tragjedisë së vrasjes së Martin Canit

 

Kryeministri Edi Rama tha se instalimi i kamerave inteligjente në 20 shkollat më të frekuentuara të Tiranës është përgjigjja ndaj vrasjes tragjike të Martin Canit pranë shkollës “Fan Noli”. Sipas tij, sistemi i ri do të mundësojë identifikimin dhe sinjalizimin në kohë reale të situatave me rrezik, duke e çuar parandalimin e incidenteve në një nivel tjetër.

"Të gjithë e kanë harruar vrasjen tragjike të një nxënësi të shkollës “Fan Noli”, e cila tronditi mbarë vendin dhe krijoi një situatë me versione të ndryshme të ngjarjes, me politizimin ekstrem të vdekjes dhe me gazetarinë e gjakut. Ndërkohë që Policia e Shtetit, Ministria e Arsimit dhe qeveria u vunë në shënjestër të spekulimeve, akuzave, sajesave e fabrikimeve, të cilat zgjatën jo pak dhe torturuan jo vetëm familjarët, por edhe gjithë opinionin publik, unë nuk e kam harruar, siç e harruan të gjithë ata që abuzuan deri në fund me atë tragjedi. E kujtoj çdo ditë duke ndjekur këtë projekt, që është përgjigjja jonë ndaj asaj tragjedie.

Një shtet nuk matet me çdo gjë që ndodh, sepse edhe në shtetet më të zhvilluara, me sistemet më të sofistikuara administrative, ka raste kur ndodhin ngjarje që trondisin mbarë opinionin publik. Por një shtet matet me mënyrën se si reagon.

Reagimi ynë në këtë rast është një reagim sistemik, i cili, edhe në nderim të kujtimit të një viktime të pafajshme, do të mundësojë që shumë fëmijë, të cilët potencialisht mund të jenë një ditë të rrezikuar, të mos kenë asnjë pasojë, pikërisht sepse ky reagim do të lërë pas një mekanizëm të sofistikuar teknologjik, që do të harmonizojë përpjekjet e institucioneve me aftësitë e inteligjencës artificiale. Kësisoj, do të mundësohet që parandalimi të ngrihet në një nivel tjetër. Keni nisur me zemrën e projektit, që është siguria në shkolla”, tha Rama.

SI.E./R.Xh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 14 Korrik, 12:01

    Si e vlerësoni vendimin e PD për të bojkotuar seancat plenare?