Pranvera i ka dhënë Gjirokastrës ngjyra dhe pamje mbresëlënëse me turistët që ende gjallërojnë rrugët e kalldrëmta në zonën muzeale.

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale këtë të mërkurë disa pamje nga qyteti i gurtë.

“Mirëmëngjes dhe me rrezet e diellit mbi sokakët e Gjirokastrës, ku vizitorët nga e gjithë bota kanë nisur ta gjallërojnë më herët se çdo vit, duke premtuar një tjetër rekord për turizmin dhe gjithë zinxhirin e ekonomisë lokale në qytetin e gurtë, me mikpritjen e ngrohtë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan në Facebook Rama.

Gjirokastra është një prej destinacioneve që tërheqin gjithnjë e më shumë turistët e huaj, falë vlerave historike dhe arkitektonike.

Kalaja vazhdon të ngelet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.