MOBILIZIMI/ Basha: Mirënjohës nga gatishmëria për të strehuar banorët e prekur nga tërmeti! 59 psikologë vijnë nga Kosova

MOBILIZIMI/ Basha: Mirënjohës nga gatishmëria për të strehuar banorët e prekur nga tërmeti! 59 psikologë vijnë nga Kosova

TIRANË - Katër ditë nga tërmeti i 26 disa banorë të cilët kanë pësuar dëme në banesa, por edhe të tjerë të cilët refuzojnë të kthehen në shtëpi për shkak të frikës, janë strehuar në çadra dhe hotele. Mijëra qytetarë dhe biznese vijojnë të tregohen solidarë për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:51
Rama-banorëve: Do ju shembim pallatin! Për 1 vit e gjysmë lali Eri do ju paguajë qiranë, se unë s'do e fus dorën n'xhep

Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj ishin mbrëmjen e sotme në qendrën sociale Gonxhe Bojaxhi në Njësinë Nr4 në kryeqytet ku takuan banorë të prekur nga tërmeti, kryesisht të komunitetit rom. 
Gjatë bisedimit me ta, kryebashkiaku Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës do të shembë godinën tek ish-komunalja e cila është shpallur e pabanueshme dhe do të nisë puna për rindërtimin e shtëpisë. Veliaj nënvizoi se gjatë kësaj kohe bashkia do të paguajë edhe qiranë.  

“Kryetar jemi i gjithë komuniteti i njësisë 4, pjesa më e madhe komunitetit ka jetuar tek komunalja që në kohën që ke qenë kryetar bashkie. Ajo që ka ndodhur kryetar është që ndërtesa është komplet e amortizuar, i shpëtoi datës 26 dhe inxhinierët kanë marrë vendim që duhet të prishet. Inxhinierët kanë thënë që duhet shembur. Ajo që do bëjmë është që do marrim një vlerësues tjetër nga këta të huajt amerikanët për këtë lloj ndërtimi. Nëqoftëse se na thonë edhe këta inxhinierët e huaj që është jashtë funksioni gjëja që ne do të bëjmë është që do e prishim do të paguajmë qiratë një vit e gjysëm të gjithë komunitetit se janë 40 familje”, tha Veliaj.

Nga ana e tyre banorët falenderuan kryebashkiakun Veliaj për akomodimin dhe strehimin në qendrat sociale që plotësojnë të gjithë kushtet.

Ora 18:17
Zona e Plazhit fantazmë? Rama kritika për mediat: S'ka lidhje me tërmetin në Durrës, por është dimër...

Kryeministri Edi Rama ishte në spitalin e Durrësit për të parë nga afër gjendjen e qytetarëve që janë lënduar si pasojë e lëkundjeve nga tërmeti që goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës. Gjatë vizitës në ambientet e spitalit ai kritikoi disa nga mediet sepse sipsa tij po përhapin panik, ndërsa mori edhe një shembull.

"Të çarat nuk tregojnë domosdoshërisht se ka probleme në strukturë. Se janë shumë interesant këta të mediave. Dje ishte njëra thoshte 'jam këtu në qytetin fantazmë të plazhit, aty fantazmë është në dimër se nuk shkon njeri. Problemi është te struktura, prandaj po sjellim të huajt që të kemi një garanci ne, se këtu shqiptari shqiptarit që ti besojnë është dicka shumë e vështirë. I lujtën mendsh këta televizionet" tha ai.

Ora 18:14
AKU kontroll të rreptë tek të gjitha produktet ushqimore për të prekurit nga tërmeti

1574776735_ndihmatirane001.jpg

Pas tërmetit Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë të gjitha masat e nevojshme për organizimin, mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e procesit.

AKU në detyrën e madhe të ngarkuar edhe në mbledhjen e Qeverisë, ku u kërkua gatishmëria totale për të kontrolluar të gjitha produktet ushqimore me qëllim garantimin e sigurisë dhe cilësisë së tyre, ka hartuar një plan të menjëhershëm pune për të garantuar shëndetin dhe shërbimin efektiv ndaj banorëve të prekur.

Mbrojtja e shëndetit të banorëve të prekur është jetike në këto momente, ndaj Drejtoria Rajonale e AKU Durrës, e ndihmuar edhe nga ato të Tiranës, Elbasanit e Fierit po ushtron kontrolle rigoroze në çdo produkt, në çdo vend grumbullimi dhe shërbimi ndaj banorëve duke asistuar në mirëfunksionimin e mirorganizimin për përballimin e kësaj situate të jashtëzakonshme.

Ora 17:39
Vlora dhe Shkodra hapin dyer për të prekurit, qytetarët: Jemi të kënaqur me mikëpritjen, Zoti ua shpërbleftë

Vlora ka hapur dyert për të prekurit nga tërmeti që i mori jetën 51 personave duke akomoduar deri më tani më shumë se 1000 persona nga qyteti i Durrësit. Numrin më të madh padyshim e kanë strehuar hotelet, ndërsa ka edhe mjaft banesa private që kanë hapur dyert për të prekurit.

Janë rreth 50 hotele të cilët kanë pritur personat të cilët tanimë nuk kanë një çati mbi kokë, ndërkohë të shumtë kanë qenë edhe qytetarët vlonjatë të cilët janë solidarizuar duke ofruar ndihma me ushqime, veshëmbathje dhe vlera monetare.

Të intervistuar qytetarët durrsakë, por edhe të tjerë nga Tirana, shprehen se kanë gjetur ngrohtësi në familjet vlonjatë në këto ditë të vështira. Gjithashtu ata thonë se kanë frikë të rikthehen në Durrës për shkak të situatës.

Qytetari 1: “Mua më iku frika, pork am frikë prap të iki në Durrës. Familjarët më kanë thënë që do kthehemi pasnesër, por s’jamë dakord.”

Qytetari 2: “Këto bofshin hajër, zoti ua shpërbleftë, na kanë ndihmuar për çdo gjë. Kanë qenë në gadishmëri.”

Qytetari 3: “Ne jemi të kënaqur me mikëpritjen këtu në Vlorë, me njerëzit, me hotelet.”

Qytetari 4: “Jemi sistemuar shumë mirë, të gjitha në rregull, me ilaçe dhe të gjitha.

Dyert në këto ditë të vështira i ka hapur edhe Shkodra. Një nga qytetaret e ardhura nga Durrësi shprehet:

“Shumë faleminderit për rrespektin, të gjitha gjërat janë më se në rregull.”

Deri më tani janë 70 persona të akomoduar në Velipojë, ndërsa deputeti Luan Harsha shprehet se kapaciteti pritës në Shkodër është deri në 500 persona me të gjithë përkujdesjen mjeksore, psikologjike dhe arsimore.

Harusha: “Falenderoj pronarin e këtij hoteli, mikëpritjen e tij, bujarinë e tij. Kemi vende edhe për 500 persona të tjerë pasi na janë ofruar biznesmenë dhe hotele të tjera.”

Ora 17:34
TË GJITHA hapat që duhet të ndiqni nëse pallati juaj shpallet i pabanueshëm! Udhëzimi për STREHIM

Kush vendos për shpalljen e një pallati të pabanueshëm?

Ekipet e Emergjencave Civile dhe Instituti i Ndërtimit nga një verifikim paraprak nisur edhe nga dëmet e raportuara nga qytetarët, vendosin të shpallin përkohësisht të pabanueshme godinën deri në verifikimin përfundimtar.

Kush i evakuuon banorët?

Janë forcat e Policisë Bashkiake, të zjarrfikësve dhe të Inspektoriatit të Ndërmit që vendosin perimetrin e sigurisë dhe nxjerrin banorët nga pallati duke i deklaruar se nga verifikimet paraprake ndërtesa është shpallur e pabanueshme. 

Çfarë duhet të bëjnë qytetarët pasi pallatit i vendoset shiri i kuq?

Të gjithë duhet të drejtohen pranë Njësisë Administrative të zonës ku ata janë banorë

Kur merret vendimi përfundimtar për gjendjen e pallatit?

Vendimi përfundimtar merret kur ekspertët e Institutit të Ndërtimit të bëjnë verifikimet nga afër të godinës, dhe nëse do të shihet e nevojshme do të kërkohet edhe një verifikim tjetër, që është faza e dytë përmes pajisjeve specifike të evidentimit të dëmeve.

Cfarë ndodh më tej?

Në njësinë administrative përkatëse merret një vërtetim me vulë nga administratori që ndërtesa është e pabanueshme dhe që banorët kanë nevojë për strehim

Ku duhet të paraqiteni me këtë vërtetim?

Me vërtetimin e marrë në njësinë administrative qytetarët duhet të paraqiten tek sporteli i Bashkisë

Ku do të strehohen banorët?

Është bashkia ajo që përmes shërbimeve sociale i strehon banorët në mënyrë të organizuar drejt hoteleve

Cilin numër duhet të telefononi nëse jeni prekur nga tërmeti dhe ende nuk keni strehim?

Nëse keni mbetur të dëmtuar nga tërmeti i së martës dhe keni nevojë për ndihma ushqimore apo veshmbathje, qeveria ka vënë në dispozicion një numër të posaçëm 00355 69 41 10 198.

Ky numër menaxhohet nga Qendra Kombëtare Operacione.

Ora 16:22
Ministrja Xhaçka telefon komandantët e ushtarëve jashtë atdheut, u jep lajmin e mirë për familjarët në Shqipëri

Momente të vështira kanë kaluar edhe ushtarët shqiptarë të cilët ndodhen me mision në vendet e largëta. Për t'i qetësuar e për t'i dhënë lajme të mira për familjarët e tyre, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka komunikuar në telefon me komandanët e tyre, duke i siguruar se familjarët e tyre në Shqipëri gëzojnë shëndet të plotë.

"Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka ka kontaktuar me komandantët e kontigjentëve me mision në: Kabul, Herat, Letoni, Kosovë, Mali dhe Sudan ku i ka siguruar se familjet e tyre në Shqipëri gëzojnë shëndet e plotë dhe po asistohen me të gjithë mbështetjen e duhur për çdo vështirësi të krijuar pas tërmetit të 26 Nëntorit. Ministrja Xhaçka garantoi efektivët se çdo familje e ushtarakeve është ka vëmendjen maksimale", bën të ditur zyra për mediat e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ora 15:46
Banorët e Laçit i ankohen Bashës: S'kemi marrë asnjë ndihmë, i ndajnë natën për njerëzit e tyre

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ishte në Laç ku zhvilloi disa takime me banorët për t'u njohur nga afër me situatën pas tërmetit tragjik. Banorët i janë ankuar liderit demokrat se përveçse janë jashtë, po vuajnë një situatë të rëndë humanitare.

"Nuk kemi marrë gjë, ngelën duke i ndarë për robt e vet. As çadra nuk na kanë sjellë. Jetoj te nana me 4 kalamajtë. Nuk më është dhënë asnjë ndihmë deri sot. Më është prish shtëpia dhe askush nuk ka ardhë. As sot skam marrë asnjë ndihmë. Ndihmat i ndajnë natën" thanë disa prej tyre.

Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat nga PD-ja, banorët nuk kanë marrë zgjidhje për strehim, megjithëse banesat e tyre janë të pabanueshme tashmë. 'Gjithashtu nuk u është ofruar asnjë lloj ndihme tjetër në ushqime dhe rroba, gjë që e bën situatën shumë të rëndë për këto familje' thotë selia  blu.

Ora 15:33
50 psikologë kosovarë drejt Shqipërisë pas tragjedisë së tërmetit

1575106604_Trishtim.jpg

Përveç jetëve të vdekura nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit, kjo tragjedi solli edhe pasoja psikologjike për të gjithë të dëmtuarit.

Të gjithë shqiptarët kanë kaluar dhe po kalojnë momente ankthi dhe kanë nevojë për mbështetje e këshilla psikologjike.

Kosova ka qenë e para që u erdhi në ndihmë shqiptarëve në forca civile dhe së fundmi do të sjellë edhe psikologë.

50 psikologë, 4 psikiatër, 1 epidemiolog dhe mjek po trajnohen në Prishtinë për të udhëtuar më pas drejt Shqipërisë.

Ky ekip do të mbërrijë të dielën në Shqipëri, për t’i ardhur në ndihmë popullatës, veçanërisht në zonat më të prekura.

Ndërkohë, me kërkesë të ministrisë së mbrojtjes së Shqipërisë dhe me urdhër të komandantit të forcës së sigurisë së Kosovës, FSK nisi edhe kontigjentin e parë me pajisje ushtarake fushore drejt Shqipërisë.

Do të duhet shumë kohë që të gjithë ta marrin vetën pas kësaj ngjarjeje tragjike dhe mbështetja e specilistëve është mënyra më e mirë për ta kaluar.

Ora 15:12
Veliaj shpërndan ndihma në Zall-Herr për banorët e prekur nga tërmeti

1575123206_veliaj.jpg

Nga magazinat qendrore në Farkë, ku janë grumbulluar ndihmat e dhuruara nga qytetarët këto ditë, shpërndarja e tyre vijon në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti, përmes njësive administrative.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj iu bashkua vullnetarëve dhe shpërndau ndihma në njësinë administrative Zall-Herr, në bazë të listës së nevojave për çdo familje. “Vërtet ra tërmet, por as nuk na kapi paniku, as nuk e humbëm rrugën për të ndihmuar njëri-tjetrin. Fakti që kemi ardhur me ndihma edhe njësinë më të largët të Tiranës, do të thotë që e kemi me shumë merak, që të gjithë të ndihmohen. Dua që gjithë ky proces të shkojë i rregullt. Do të thotë, listat që ka njësia administrative, secili firmos te lista e vet që të jemi transparent me gjithë ata njerëz që kanë dhënë kontribute, që kanë dhuruar rroga, çadra, ushqime”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se shpërndarja e ushqimeve do të bëhet sipas prioritetit që ka çdo familje. Ai garantoi se falë menaxhimit të situatës që në orët e para, ndihmat do të shpërndahen për të gjitha familjet e prekura. “Një që nuk ka nevojë, që nuk i është prishur shtëpia, që thotë meqë u hap thesi po përfitoj, praktikisht po ia heq një njeriu që realisht ka nevojë. Kështu që, do të doja që këtë kod ta respektojmë. Në momentin që shkon realisht nga sheshi “Skënderbej” te magazina qendrore, tek secila prej 27 njësive, dhe pastaj secila pako te familja që ka nevojë, dhe që firmos që e ka marrë, atëherë e kemi përballuar me dinjitet dhe pa rrëmujë këtë situatë. Kemi ndihma për të gjithë, as ka nevojë për t’u shtyrë, as për t’u nxituar, as me ia heq tjetrit prej dore”, u shpreh ai.

Ora 13:46
Durrës/ Manastirliu: Do të fillojë vaksinimi falas kundër gripit

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, teksa ishte e pranishëm në një nga godinat ku janë strehuar banorët e mbetur pa strehë në Durrës, është shprehur se në këto qendra do të fillojë vaksinimi kundër gripit.

“Jemi në një periudhë ku edhe virozat janë të shpeshta, ndaj kemi vendosur që vaksinimin e gripit ta shtrijmë edhe në kampet dhe pikat e emergjencës për të sëmurët kronikë, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët deri në 5 vjeç, përveç qendrave shëndetësore ku ofrohet falas vaksina e gripit,” – tha Manastirliu.

Manastirliu u shpreh se në të gjitha pikat e emergjencës ka mjekë dhe infermierë që ofrojnë shërbim shëndetësor dhe për çdo rast ambulancat e urgjencës kombëtare janë në gadishmëri ku qytetarët mund të telefonojnë në numrin 127.

Rreth 1500 vizita mjekësore të kryera për banorët e prekur nga tërmeti në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura. Ndërsa mbi 700 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampit të emergjencës në Thumanë dhe pikave të ngritur në Durrës. Me ekipet e ngritura në terren është siguruar pajisja me medikamente për të sëmurët kronikë. 
Të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti vijojnë të jenë në gatishmëri të përforcuar.

Ora 12:25
Të gjithë bashkë/ Ministrja Shahini apel qytetarëve nga Kosova: Na ndihmoni në këtë situatë të vështirë

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini përmes një videomesazhi ka kërkuar ndihmë nga Kosova, që të vijnë sa më shumë vullnetarë për të ndihmuar në menaxhimin e situatës pas tërmetit.

“Në mënyrë që ta koordinojmë punën tonë të përbashkët të regjistroheni në mënyrë që ne ta dimë sesa vullnetarë janë paraqitur dhe sesi mund t’i orientojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Shahini në apelin e saj.

Ky regjistrim, sipas Shahinit, ndihmon për të ditur sesa ndihmë mund të përftohet nga njerëz jashtë strukturave të qeverisë.

“Ju ndihmon edhe juve, tha ajo, që të orientoheni aty ku ka më së shumti nevojë”.

“Kjo e bën edhe rrugën tuaj më të vlefshme nëse arrini të kontribuoni aty ku duhet. Ju falënderoj për vullnetin që keni treguar”, tha ajo.

Ora 12:16
Durrës/ Spiropali: Të gjithë banorët që ishin në çadra tek stadiumi, janë akomoduar në hotele

Zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali ka deklaruar se të gjithë personat që kanë qenë të strehuar në çadra tek stadiumi i Durrësit janë akomoduar tashmë nëpër hotele dhe jetojnë në kushte optimale.

"Të gjithë atë që ishin në kamp në stadium kanë lëvizur rreth 620 banorë janë akomoduar në tre struktura hoteliere. Pas një vlerësimi të banesave të tyre do të kemi edhe një vlerësim më të plotë për të zhvendosur të tjerë. Në stadium nuk ka më qytetarë apo banorë. janë në kushte shumë më të mira. Është ngritur shtabi i Përgjithshëm dhe po bëhet një vlerësim i dëmeve. Prioritet që të zhvendosim shiritin tek banesat e pabanueshme. Sot është shembur një prej tyre një Kënetë. Do të merret vendimi edhe për të shembur 7 të tjerë. pasi kanë dalë jashtë funksionit." tha Spiropali.

Ndër të tjera Spiropali ka shtuar se në Durrës do të shemben edhe 7 pallate të cilët kanë dalë totalisht jashtë përdorimit.

"U miratua një paketë e plotë. Për familjet e prekura nga morti. Familjet me viktima do përfitojnë një apartament nga qeveria, pa dallim. Të mbijetuarit është një fatkeqësi dhe do përfitojnë një pension për të gjithë jetën dhe një milion lekë, një bursë për Universitetin. 150 mijë lekë të vjetra në muaj. Të moshuarit që kanë viktima do kenë pension të posaçëm. " tha më pas Spiropali.

"Njerëzit po jetojnë në kushte optimale. Kanë edhe psikologë. Po bëhet identifikimi i çdo familje që banon në këto ndërtesa të pabanueshme dhe do të zhvendosen me lista në struktura hoteliere. E para është jeta. Shteti nuk do t'i lërë vetëm" shtoi ajo.

Ora 12:15
Ministria e Financave: Lehtësohen nga taksat bizneset që bëjnë donacione

TIRANE- Ministria e Financave ka përgatitur një akt normativ që favorizon donacionet për të prekurit nga tërmeti nga bizneset. Njohja e shpenzimeve të zbritshme do të rritet nga 3% në 8%.

Ky akt normativ është i vlefshëm vetëm gjatë perdiudhës së gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa shpenzimet do të njihen vetëm nëse do kryen në llogarinë e Thesarit të Shtetit.

"Nisur nga situata e jashtëzakonshme e krijuar nga tërmeti i datës 26 Nëntorit, në ndihmë të familjeve të dëmtuara, Ministria e Financave dhe Ekonomisë nxit të gjitha bizneset që të kontribuojnë për nismën “Shqipëria Solidare” me qëllim lehtësimin e pasojave nga ky tërmet tragjik.

Për këtë qëllim Ministria e Financave ka përgatitur Aktin Normativ sipas së cilit do të rritet nga 3% në 8% e fitimit të tatueshëm, njohja si shpenzim i zbritshëm i donacioneve në mjete monetare, të bëra nga bizneset. Kjo incentivë në shërbim të angazhimit tonë ekonomikisht solidar do të vlejë për periudhën e “gjendjes së fatkeqësisë natyrore” brenda afatit të përcaktuar në legjislacion.

Shpenzimet e zbritshme në masën 8%, nga 3% që është aktualisht, do të mund të përfitohen vetëm nëse donacioni do të adresohet në llogaritë e thesarit, të vëna në dispozicion nga Ministria e Financave.

Gjithashtu me rëndësi të theksohet se ky akt vlen edhe për donacionet për shkak të shpalljes së “gjendjes së fatkeqësisë natyrore” të bëra në formën e pasurive të paluajtshme.

Thirrjes së Qeverisë për kontribute për tërmetin përmes platformës online e-Albania/dhuro, i janë bashkuar shumë biznese nga brenda dhe jashtë vendit", njofton ministria.

Ora 10:32
Basha në Elbasan: Thellësisht mirënjohës nga gatishmëria e hoteleve për të strehuar banorët e prekur nga tërmeti

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ishte ditën e sotme në Elbasan, ku vizitoi banorët e prekur nga tërmeti, të cilët janë të strehuar në hotelet e llixhave.

Basha thotë se është i prekur nga dhembshuria njerëzore e hotelierëve dhe personelit të hoteleve.

“Hotelet në Llixhat e Elbasanit kanë hapur dyert për familjet e goditura nga tërmeti dhe janë gati të akomodojnë qindra njerëz në nevojë. 60 të parët kanë ardhur prej dy ditësh, kryesisht nga Durrësi.

Jam i prekur dhe thellësisht mirënjohës për zemërgjerësinë bujare dhe dhembshurinë njerëzore të hotelierëve dhe personelit të hoteleve. Kjo është Shqipëria e vërtetë e njerëzve me zemër të madhe!”-shkruan Basha në profilin e tij në Facebook.

Ora 10:08
Banorët e Durrësit në radhë për të marrë ndihma tek 'Pallati i Sportit'

Ndihmat në qytetin e Durrësit kanë nisur të shpërndahen në pallatin e sportit Ramadan Njala. Radhë të shumta banorësh presin që të marrin ndihma ushqimore.

Ora 08:40
Mjetet dhe pajisjet të cilat përdoren për të rindërtuar zonat e dëmtuara nga tërmeti nuk do të paguajnë TVSH

1575095484_Screenshot3.jpg

Ministria e Mbrojtjes propozoi për të përjashtuar nga taksa e tvsh-së të mjeteve dhe pajisjeve të cilat përdoren për të rindërtuar në zonat e fatkeqësisë së shkaktuar nga tërmeti tragjik i mëngjesit të 26 nëntorit. Këtë e bëri të ditur kryeministri Rama për mediat gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë. Kryeministri theksoi që ky akt është vetëm për rastet dhe afatet e shpalljes së gjendjes së fatkeqësive, gjendjes së jashtëzakonshme, fatkeqësive natyrore.

“Kemi edhe një vendim tjetër tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë të ndryshuar. Këtë propozim e ka sjellë Ministria e Mbrojtjes, për materialet dhe pajisjet që do të përdoren për rindërtimin në zonat e fatkeqësisë nuk duhet të krijohen barriera financiare, kështu që projekt-akti bën që të përfshijë përjashtimin nga taksa e tvsh-së të mjeteve dhe pajisjeve të cilat përdoren për të rindërtuar, pra çdo mjet dhe çdo pajisje që do të vijë për rindërtim në zonat e prekura nga fatkeqësia nuk do të jete subjekt i tvsh-së. Ky është një përjashtim i kufizuar vetëm për rastet dhe afatet e shpalljes së gjendjes së fatkeqësive, gjendjes së jashtëzakonshme, fatkeqësive natyrore.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sindi: 30/11/2019 12:05

    EDHE SHENGJINI ME DUKET I PAPERSHTATSHEM PER STREHIM,,EDHE KETU KEMI NJE MASAKER URBANISTIKE SI NE DURRES,GOLEM,E KUDO NE BREGDET,,DUKE QENE SE JEMI NE KATERKENDESHIN E ZJARRIT ,,TIRANE,DURRES,LEZHE,KAVAJE,,KETO ZONA NUK TE SIGUROJNE JETEN,,SEPSE NDERTESAT JANE SHUME AFER NJERA-TJETRES,,NUK DUROJNE TERMETET SEPSE KANE RERE POSHTE,,DHE NGELESH NE PALLATE SEPSE NUK KANE NJE RRUGE TE SHPEJTE EVAKUIMI NE RASTE RREZIKU...I BEJME NJE THIRRJE NJEREZVE QE TE MOS VIJNE E TE ZBRESIN NE KETO 4 QYTETE ,,SEPSE DO LENE KOCKAT ATY,,NE ZONA KENETORE DHE RANORE NUK MUND TE NDERTOHET,,ENVERI NUK NDERTOI ATY SE E DINTE KETE RREZIK,,,THIRRINI MENDJES O NJEREZ ,,MOS U HANI ME NATYREN SE DO JU HAJE KOKEN,,,RRINI ME MIRE ATJE NE MALE ME BUKE E KRIPE POR ME KOKEN NE VEND....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Armando Broja luan 20 minuta, Everton ndal Cityn 1-1 në Manchester! Haaland shpërdoron penalltinë në 'Boxing Day'

VIDEO/ Armando Broja luan 20 minuta, Everton ndal Cityn 1-1 në Manchester! Haaland shpërdoron penalltinë në 'Boxing Day'