Sollaku: Kushtetuta i garanton
Ina Ramës mandat përjetë

Sollaku: Kushtetuta i garanton<br />Ina Ramës mandat përjetë
Ish-kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Theodhori Sollaku ka dhënë versionin e tij për mandatin e kryeprokurores Ina Rama, duke theksuar se sipas ndryshimeve Kushtetuese mandati i saj mund të shkojë deri në pension, pasi nuk ka dispozitë kalimtare. Ish-Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku, në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" flet për mandatin e prkurores së Përgjithshme, kreun e SHISH, reformën në drejtësi dhe PS drejt pushtetit.

Eshtë zgjedhur Presidenti i ri, ndërsa janë në skadim të mandatit të tyre kreu i SHISH e Prokurorja e Përgjithshme. Si e vlerësoni të ardhmen e këtyre dy institucioneve?
Presidenti ka disa kompetenca kushtetuese lidhur me emërimet apo shkarkimet e drejtuesve të institucioneve të shtetit, veçanërisht Prokurorit të Përgjithshëm, drejtorit të SHISH e nënkryetarit të KLD. Kushtetuta parashikon se Prokurori i Përgjithshëm emërohet me dekret të Presidentit dhe pëlqim të Kuvendit. Nese jepet pëlqimi, prokurori i ri fillon detyrën, nëse jo vazhdohet me kandidaturat e tjera. Krejt ndryshe ndodh me drejtorin e SHISH. Eshtë kryeministri ai që i propozon Presidentit shkarkimin e emërimin e drejtuesit të ri nëse arsyetohet një ndryshim i tillë.

Ka debate për përfundimin e mandatit të Kryeprokurores Ina Rama...?
Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, me ndryshimet kushtetuese të majit 2008 është kufizuar në 5 vjet. Ndërkohë që drejtori i SHISH nuk ka mandat, që do të thotë se mund të qëndrojë në detyrë deri në pension, ose mund të ndryshohet menjëherë nëse kryeministri e presidenti janë në një mëndje se duhet bërë ndryshimi.Është një cështje për t'u parë se çfarë do ndodhë në të ardhmen me fillimin e detyrës së presidentit të ri.

Mazhoranca thotë se Ina Rama e lë detyrën këtë vit...?
Çështja e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, pas ndryshimeve të fundit kushtetuese, për mendimin tim është një çështje shumë e debatueshme, por që në fund të fundit do të zgjidhet me hapat konkretë që do të marrë presidenti i ri dhe Kuvendi, gjithnjë nëse nuk do të ketë ndonjë ndërhyrje të Gjykatës Kushtetuese mbi bazë të ndonjë kërkesë që do ti paraqitet asaj nga subjektet që legjitimohen për të bërë një kërkesë të tillë. Duhet të kemi parasysh që normat juridike, përfshi dhe ato kushtetuese interpretohen nga organi që ka për detyrë ti zbatojë, dhe në rastin konkret është presidenti dhe kuvendi. Gjykata kushtetuese bën interpretimin përfundimtar të interpretimit nëse dikush ka rezerva për mënyrën se si Kuvendi e presidenti do interpretojnë normen kushtetuese. Asgjë s'mund të thuhet në lidhje me qëndrimin e gjykatës kushtetuese sepse deri më sot nuk ka ndonjë kërkesë pranë saj. Për më tepër që personalisht Prokurori i Përgjithshëm nuk ka të drejtë t'i drejtohet Kushtetueses. S'di sa legjitimohet shoqata e prokurorve, sepse kohët e fundit me vendimet e saj ajo gjykatë ka ndryshuar praktiken kushtetuese. Ka disa vendime që kushtetuese s'pranon interpretimin abstrakt të kushtetutës.

Po Kryeprokurori...?
Thashë që është një cështje e diskutueshme dhe nuk është kaq e thjeshtë përcaktimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm. Për mua ndryshimet Kushtetuese s'vlejnë për Prokurorin e Përgjithshëm që është në detyrë. Kjo falë dhe një harrese që, kur ndryshuan Kushtetutën nuk përcaktuan një dispozitë kalimtare se çfarë do të bëhet për Prokurorin në detyrë. Çka do të thotë që këto ndryshime vlejnë për pasardhësin. Pra, Prokurori i Përgjithshëm në detyrë ka mandatin deri në pension ose nëse takohen rastet e ndërprerjes së mandatit të tij për ato shkaqe që parashikon kushtetuta, sic janë shkarkimi, dorëheqja etj.

Mendoni se ky Prokuror i përgjithshëm mund të vijojë gjatë...?
Kjo është e vështirë të ndodhë, sepse mund të vlejë argumenti tjetër, fryma e ndryshimeve kushtetuese synonte kufizimin e mandatit të prokurorit të përgjithshëm, me moton që nuk mund të mbajnë një Kryeprokuror përjetë. Atëherë vijmë tek dy mundësitë e tjera, momenti i emërimit në detyrë të kryeprokurorit që është 22 nëntori i vitit 2007 apo momenti i hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese. Kuptohet që personalisht,kur i qëndroj idesë që ky Kryeprokuror nuk ka mandat, midis dy alternativave të mbetura gjykoj se ky mandat fillon me hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese, dmth muaji maj 2008. Kjo sepse afati pesë vjeçar plotësohet me kalimin e pesë viteve nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese, dmth maj 2013. Natyrisht me çfarë kam parë në reagimet e mazhorancës dhe të presidentit të ri, nisur nga marrëdhëniet e tensionuara me Prokurorin e Përgjithëm, besoj se mandati do konsiderohet i përfunduar në 22 nëntor 2012 nga presidenti i ri.

Po emërimi i drejtorit të SHISH ka probleme...?
Përsa i përket çështjes së drejtorit të SHISH, e thashë edhe më parë, se nuk është aq e komplikuar. Ajo është çështje e vullnetit midis kryeministrit dhe presidentit. Për hir të së vërtetës Shërbimi Informativ në çdo vend është në varësi të qeverisë. Problemi ndërlikohet tek ne sepse kemi një përvojë të hidhur nga me këtë shërbim vite të shkuara; nga një Shërbim Informativ për tu marrë me çështjet e Sigurisë Kombëtare është marrë me çështje edhe të natyrës policiore, çka është e papajtueshme me detyrat e këtij shërbimi dhe rrezik për cënimin e të drejtave dhe lirive të individëve.

Ju keni punuar me kryeministrin aktual Berisha, e kuptoni vështirësinë e Kryepokurores Ina Rama në këtë rast...?
Detyra e Prokurorit të Përgjithshëm nuk është një detyrë e lehtë. Ju përmendët Berishën, por s'përjashtohet mundësia që një kryeministër tjetër, nëse do t'i prekeshin interesat, mund të sillej në të njejtën formë. Pavarësisht nga kjo, Prokurorit të Përgjithshëm i takon barra dhe përgjegjësia për të përballuar këtë trysni që për fat të keq tek ne ushtrohet në kushtet e mungesës totale të etikës politike dhe njerëzore. Jo vetëm kaq, por në kushtet e një injorimi total të ligjit nga strukturat ekzekutive, sulmi veçanërisht ndaj institucionit të akuzës bëhet me qëllim për të ulur agresivitetin ligjor të institucionit dhe është një parapritë për situata kur organit të akuzës i duhet të veprojë.

Me futjen në dorë të të gjitha institucioneve kushtetuese nga ana e kësaj mazhorance, do sjellë probleme për reformën në drejtësi dhe luftën ndaj krimit dhe abuzimeve...?
Mendoj se ka një keqkuptim këtu, konceptohet reforma në drejtësi por dhe reformat e tjera, thjeshtë me ndërrimin e njerëzve. Reforma është ligj, është përmirësim i gjendjes ligjor që rregullon një fushë të caktuar, por dhe përmirësime strukturore. Pra unë nuk ndaj të njejtin qëndrim me atë që thuhet se reforma në drejtësi lidhet në mënyrë nominative me njerëzit. Absolutisht jo. Drejtësia ka probleme, por nëse ne do ta konceptojmë reformën në drejtësi me ndryshimin e Prokurorit të Përgjithshëm apo zvkryetar e KLD, ne s'kemi bërë asgjë.

Po në Gjykatën Kushtetuese dhe në gjykatën e Lartë ka vende vakante, ndërkohë që Ministri i Drejtësisë deklaron që dekretet e Presidentit do diskutohen dhe merret mendimi i forcave politike në Kuvend?
Unë mendoj që Presidenti, duke mos i patur kandidaturat eksluzivisht të tijat, veçanërisht këto që lidhen me Gjykatën e Lartë apo Kushtetuese, duhet të bëjë të gjitha përpjekjet që kandidaturat që ai çon të marrin pëlqimin e Kuvendit. Se si duhet të veprojë presidenti, kjo është një çështje që zgjidhet rast pas rasti. Normalisht që duhet të konsultohet, por jo domosdoshërisht që të shkruhet në ligj në mënyrë shterruese të gjitha hapat që duhet të ndjekë presidenti. Ai e di vetë. Gjthmonë është në interesin e tij që dekreti që firmos të kalojë në Parlament. Mund të thërrasë kryetarët e grupeve parlamentare, mund të thërrasë njerëz që kanë peshë në vendimmarrjen në Parlament, mund të ketë informacione nga më të ndryshme që kandidatura të caktuara ka shanse për të kaluar në Kuvend. Pra unë mendoj që pa përjashtuar dhe konsultimet, sepse ka një vendim të gjykatës Kushtetueses që thekson se të institucionet janë vendimtare, si Presidenti ashtu dhe Kuvendi. E kam thënë dhe më parë që Presidenti është i interesuar që të mos krijojë probleme dhe konflikte me veprimet e tij. Kjo sepse ka një parim në republikat parlamentare ku Presidenti është përfaqësues i Unitetit të Popullit dhe në këtë prizëm ai ka përgjegjësinë për të zgjidhur krizën dhe jo për të shkaktuar kriza, qoftë dhe indirekt me veprimet e tij. Prandaj mendoj që Presidenti është shumë i interesuar që dekretet që ai firmos të marrin pëlqimin e Kuvendit. Nuk mund të bëj rolin e fallxhorit se çfarë do të ndodhë me presidentin e ri.

Me ardhjen e PS në pushtet çfarë reformash priten?
PS është alternativa e vetme që njerëzit të mund të shpresojnë që të ndryshojë kjo situatë në Shqipëri. Në këto tetë vite të qeverisjes së PD kemi një rezultat të prekshëm nga të gjithë njerëzit i cili mund të përshkruhet veçse me nota negativiste deri në kriminale. PS ka tashmë një program të miratuar në strukturat më të lartë të saj, i cili është duke u sqaruar, detajuar dhe shtjelluar në tryeza të shumta të cilat përfshijnë cdo fushë; atë të drejtësisë, ekonomisë, sporteve, punësimit, shëndetësisë etj.

Mendoni që dhe përmirësimet në Kod e garantojnë fitoren...?
Janë shumë të rëndësishme problemet me të cilat ps has në rezistencën e mazhorancës, veçanërisht për sa i përket formatimit të KQZ e kolegjit zgjedhor. Por mendoj që më shumë e rëndësishme është fryma e fitores që tashmë mendoj që ekziston në elektoratin shqiptar. Situata ka ardhur në një pikë që njerëzit duan me domosdo një ndryshim. Kodi Zgjedhor është i rëndësishëm për të patur zgjedhje të drejta e të ndershme. Por, nga ana tjetër nuk mendoj se ai është gjithçka për fitoren.

Intervista u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Qeveri teknike? Braçe i prerë me opozitën: Koha kur pushtetet vendoseshin në tavolinë ka marrë fund! Te ‘Dezinformimi’ nuk i marr me zor

Qeveri teknike? Braçe i prerë me opozitën: Koha kur pushtetet vendoseshin në tavolinë ka marrë fund! Te ‘Dezinformimi’ nuk i marr me zor