Sopranoja Ermonela Jaho: Nuk do
të bëhem e pasur në vendin tim 

Sopranoja Ermonela Jaho: Nuk do<br />të bëhem e pasur në vendin tim 
Sopranoja me famë ndërkombëtare e cila rikthehet sërish në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, vjen përmes një rrëfimi përball gazetarit Roland Qafoku në emisionin “Debat në Channel One”. Në këtë intervistë, Ermonela Jaho, sopranoja që ka interpretuar dhe vazhdon të shënoj sukses në skenat më të njohura operistike, tregon mbi se sukseisn e ka arritur vetëm fal punës, por e vë theksin edhe tek fati që e ka ndjekur në vazhdimësi.
 
Znj. Ermonela, unë kam pasur fatin t’ju intervistoj shtatë vjet më parë, kur ylli juaj ishte në ngjitje. Për mua,është shumë e rëndësishme kjo intervistë. Çfarë ka ndryshuar në këto shtatë vite, sepse sot, ju jeni një yll atje lart?
Mund të them se si të gjithë njerëzit, ne jemi çdo ditë ndryshe. Si të gjithë, ndryshojmë. Nga ana fiziologjike ndryshojmë, sepse siç kemi qenë mbrëmë, nuk jemi sot. Është një ditë e re edhe në përkushtimin dhe përballimin me jetën e përditshme. Në rastin konkret, ndryshimi që ka qënë me Ermonelën, nga 2007-ta e deri më tani. Mund t’ju them, se ka qenë një rrugë e gjatë, është një kërkim i vazhdueshëm për të përmirësuar veten. Si çdo majë, megjithëse nuk dua të them se jam në majë, sepse po të kap majën, duhet të them se ku të shkoj më. Kam gjëra për të dhënë, akoma. Ndryshon nga ana shpirtërore, psikologjike, sepse jeta të jep një lloj eksperience që të shenjojë.Kjo ka bërë që Ermonela të ndryshojë, t’i shohë gjërat me një sy tjetër edhe përballimin me karrierën. Mund të marr një shembull më konkret: Po të marrim operën “La Traviata”, është opera që nisën ëndrrat e mia për t’u bërë këngëtare dhe e kam kënduar mbi 200 herë, deri më sot. Nga viti 2007 deri në 2015, është kënduar shumë, shumë herë dhe shoh që është e njëjta muzikë, i njëjti person që e këndon, por emocioni është ndryshe. Është një Ermonelë me një eksperiencë tjetër dhe këtë ndryshim te vetja, e shoh në rezultatin që kam në skenë dhe mënyra sesi më pret spektatori. Është një rrugë e gjatë, që është bërë dhe vazhdon të bëhet. Kam dëshirë tëjap akoma, gjëra të reja. Është ky ndryshim, kjo punë e palodhshme, e vështirë. Sepse një rezultat optimal, të shijon më shumë nëpërmjet mësimit të jetës dhe rrugës së mundimshme. Vetëm kështu e shijon më tepër edhe suksesin.
 
Ju jeni një model për ne shqiptarët që kemi zgjedhur që punën tonë ta bëjmë në Shqipëri. Ndryshe nga ju, që punën tuaj e bëni jashtë...
Jam e emocionuar, për dy arsye. Fillimisht, nuk mund ta kuptoni kur merr një vlerësim në gjuhën tënde, nga vendi yt. Nuk është e kot shprehja “guri i rëndë, në vend të vet”. Nuk ëshë prezantim vetëm për Ermonelën, por edhe për të gjithë artistët e tjerë, që kanë dalë nga Shqipëria. Është një dritë shprese për brezat e rinj. Nuk ka vend pa vështirësi. Unë jetoj në largësi, por zemrën e kam këtu. I imagjinoj vështirësitë që kanë të rinjtë. Por, nuk ka asgjë në botë që nuk mund ta arrish, kur e do me shpirt. Në rastin tim, ka qenë e vështirë. Ermonela nuk ka lindur artiste e madhe, nuk ka lindur këngëtare, nuk ka lindur me të gjitha oportunitetet. Më duket sikur kam jetuar dy-tre jetë, në çdo hap që kam arritur. Vështirësitë kanë qenë të jashtëzakonshme. Por, edhe nga ky vend ku kishte vështirësi që ti të merrje edhe një vizë që të konkurroje në një konkurs, apo një biletë avioni. Gjë që tani nuk është. Shqipëria tashmë nuk i ka këto probleme, perla më e çmuar, del nga fundi i detit. Ylli del në ato vende ku ka vështirësi, aty ku ka probleme. Një artist që nuk ka provuar vuajtjen, nuk mund të jetë kurrë artist. Mund të jetë, thjesht një fotografi e bukur, por kurrë artist. Muzika është gjuha e shpirtit, gjuha e zemrës. Edhe kur u krijua teatri, në kohën e lashtë, ishte si një lloj katarsisi. Të shkarkohesh nga ana shpirtërore është një dashuri midis artistit, atij që ta jep këtë emocion dhe publikut. Unë kam pasur dy prindër të jashtëzakonshëm, që kanë besuar shumë tek unë dhe kanë qenë dy ingridientët më perfektë. Një baba idealist, në një moment kur çdo gjë ishte e fshehtë. Ishte rrezja e diellit në fund të tunelit. Dhe xheneroziteti i madh i nënës sime, i nënave shqiptare. Prandaj edhe kur erdha herën e kaluar dhe këndova “Butterfly”,ia dedikova atë titull, grave shqiptare sepse kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme. Madhështia shpirtërore e të qenit prindër, jep diçka të veçantë. Unë mendoj se nga ky vend kanë për të dalë gjithmonë artistë.
 
Ju flisni me shumë dashuri për vendin tuaj edhe pse në skenat e botës ju shkëlqeni.Ju u bëtë e famshme në Shqipëri, pasi u bëtë e famshme në botë.
Të gjithë e kemi ndjekur filmin “Odisea” të Omerit, ku thoshte se rruga për në shtëpinë tënde, vjen përmes botës. Ndoshta, asnjë nuk është profet në vendin e tij. Mbaj mend në kohën time, mënyrën sesi trajtoheshin talentet. Talente në kohë time, ishte ai qëe kapte mësimin shpejt.Ai ishte gjeni. Ti, që kishe nevojë për më shumë kohë, nuk do të bëheshe gjë. Në rastin tim, kjo nuk ka funksionuar. Të gjithë kemi lindur me diçka, të gjithë e kemi brenda vetes. Por, mendoj që 10% është dedikim. Ndoshta nuk kam qenë e talentuar sa duhet, që të dilja në fillim nga Shqipëria, të bëja rrugën e kundërt. Tani, të gjithë mund të thonë se “Ermonela do të bëhej e madhe”, se “Ermonela ka qenë talent që atëherë”… Nuk është e vërtetë.
 
E ke dëgjuar këtë?
Po. Unë studioja. Asnjë nuk lind i madh. Ti bëhesh në momentin që i vë detyrë vetes. Kam mësuar sesa më shumë të punoj, aq më shumë fat kam.
 
A veçoni dikë që ishte i pari, që u afroi ju pas suksesit që morët në skenat botërore?
Ata që më ka mbështetur më shumë, kanë qenë prindërit e mi.  Ata më kanë shtyrë që unë të njihesha në Shqipëri. Ndoshta ka qenë mentaliteti i vendit të vogël. Por, konkurrenca në vendin tonë s’e kuptoi. Ai që ka kaluar me ty një lloj eksperience shkolle, nuk e pranonte dot.
 
Pse?
Nuk e di. Disa gjëra, i kam akoma sot e kësaj dite. Ndoshta, nga mentaliteti.
 
A mund të na thoni dicka më shumë për koncertin që do të keni në ditët në vijim?
Unë jam kthyer për të kënduar “Suor Angelicën”. Është një opera që e kam shumë përzemër. E kam kënduar edhe në Londër. Ka pasur një sukses të veçantë. Për mua, nuk ka rëndësi ku je. Në “Metropolitan”, në “Lascala”, skena është magjike. Unë transformohem kur jam në skenë.
 
Si të duket ajo skenë e Teatrit të Operas dhe Baletit? Ne kur shkojmë atje, kemi ftohtë, salla e vjetër?..
Artin, njeriu duhet ta bëjë në çdo vend. E kuptoj që kushtet janë të vështira. Por ai teatër, ka nxjerrë shumë artistë që performojnë në botë tani. Ju thashë edhe më lart, ku është vështirësia më e madhe ka edhe artistë. Por në momentin kur të gjithë ne bashkohemi dhe themi këto janë kushtet, të përpiqemi ta përmirësojmë këtë teatër. Më besoni, niveli ka për t’u ngritur. Dikush duhet ta bëjë. Por, nëse themi nuk shkohet në atë teatër se është ftohtë, nuk këndohet atje sepse është ftohtë, kush do ta bëjë?
 
Ka nga ata që bëjnë naze?
Artistët janë një rracë e veçantë. Edhe aty ku nuk ka probleme, ne i krijojmë. Ka dhe nga ata që bëjnë naze me të drejtë. Unë erdha nga Italia edhe ishte i njëjti problem. Dhe këngëtarët ankoheshin se nuk këndohet sepse është ftohtë. Më shkoi mendja te kolegët e mi në Shqipëri. Dhe ata po prisnin që Ermonela është diva dhe nuk thotë asgjë. U thashë se ka edhe më keq. Të gjithë bashkë do ta ngrohim njëri-tjetrin  me atë dashuri të madhe dhe me atë frymëzim, që është arti.
 
Çfarë ndryshimi kaTeatrin e Operas dhe Baletit, në vitet e fundit, edhe me ardhjen e drejtorit Ilir Kerni?
Ndryshimi më i madh që është bërë, është se janë hapur dyert e teatrit, taman si krahët e një nëne që pret bijtë e saj. Kanë ardhur shumë këngëtarë dhe shumë artistë, që deri dje e kishin ëndërr. Jo se nuk kanë performuar në skenat e botës.

Po kush i mbante krahët mbyllur?
Po nuk e di tani…Ndoshta, një lloj xhelozie.
 
E kishin drejtuesit?
Po, ndoshta edhe drejtuesit.
 
Ju paguan shteti?
Jo. Është diçka që e bëj personalisht. Në momentin që do të bësh diçka për vendin tënd, nuk mund ta bësh duke kërkuar faturën kashen tënde. Në mund të kërkoj kashen atë që marr jashtë shtetit, në vendin tim. Çfarë po i jap vendit tim? Vendi im është në vështirësi. Unë dua të jap eksperiencën time. Kjo është hera e dytë që kam ardhur edhe e bëj për vendin tim. Nuk do të bëhem e pasur në vendin tim. Jam dakord që artisti duhet të paguhet. Në një vend si ky i yni, në një teatër që po rilind, duhet të nisë nga diçka. Nuk mund të marrim një standard si ai i Metropolitantit apo i Parisit.
 
A e keni arritur majën, apo synoni gjëra të reja?
Synoj akoma. Nëse do të kisha arritur majën, tashmë duhet të isha duke rënë. Kam frikë të them se kam arritur në majë. Kam akoma gjëra për të dhënë.
 
Si është jeta juaj në Neë York?
Unë shpenzoj shumë pak në shtëpi. Mund të them se duke mbledhur ditët, 2 muaj në vit i kaloj në shtëpi. Është shumë e vështirë, do doja që të shpenzoja pak kohë më shumë me shokun tim të jetës, me të cilin kam studiur.
 
Mund të na thuash diçka më shumë për të?
Quhet Ervin Stafa. Kemi studiuar bashkë muzikë, kemi qenë në Pallatin e Pionerve në Tiranë. Jeta na ndau. Unë vajta në Itali, ai shkoi në Neë York. Jeta na bashkoi përsëri. Mendoj që po nuk pate një mbështetje, një dashuri nga personi që ke në krah do të ishte edhe për mua e vështirë, të bëja këtë profesion. Ai ka mbaruar për muzikologji dhe e kam kritikun më të ashpër. Bëjmë edhe një shkëmbim idesh të dy shokëve që kanë studiuar muzikë. Do doja të kaloja më shumë kohë me të në Neë York.
 
Jeni e madhe sepse jeni modeste?
Të gjithë ne kemi pasur vështirësi në jetë. E dimë shumë mirë që nuk do të na duan të gjithë, kur jemi në karrierë publike. Ma ka thënë që e ke difekt që je modeste. Por, nuk do të isha unë nese do ta bëja. Nuk ka gjë më të bukur ti urosh më të mirën. 

ermonela jaho

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com", versioni print

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Gjithë qyteti pret Jurgen Klopp, trajneri letër lamtumire tifozëve të Liverpool

VIDEO/ Gjithë qyteti pret Jurgen Klopp, trajneri letër lamtumire tifozëve të Liverpool