Ekskluzive/ Soreca: Për ta mposhtur, krimit duhet t'i goditet pasuria! BE strukturë në Shqipëri për hetime financiare (VIDEO)

TIRANE - Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca gjatë intervistës ekskluzive të dhënë për gazetarin Carlo Bollino në Report TV ka theksuar se për të luftuar krimin e organizuar duhen luftuar edhe pasuria e vënë në mënyrë të kundraligjshme. Soreca shprehet se krijimi i SPAK-ut do të jetë një hap shumë i rëndësishëm përpara në luftën ndaj korrupSionit e krimit të organizuar por thekson se mënyra kryesore për të luftuar krimin në Shqipëri është goditja e fitimeve të krimit e korrupsionit.

Kryediplomati i BE-së, ka rrëfyer edhe për projektin e BE-së me disa vende anëtarë për të trajnuar forca policore për hetime financiare ndaj grupeve kriminale.

Ambasadori Luigi Soreca shpjegoi se lufta kundër korrupsionit, si dhe kundër krimit të organizuar, natyrisht kërkon impenjimin e magjistraturës dhe të SPAK-ut, por duhet të ketë edhe pjesëmarrjen e qytetarëve

Carlo Bollino: Bashkimi Evropian, vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Bundestagu, por edhe opinioni publik shqiptar kërkojnë me këmbëngulje rezultatin e luftës kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar. Tani ju besoni vërtet se do të mjaftojë krijimi i SPAK-ut për të zgjidhur problemin kaq të rëndë të korrupsionit e të krimit të organizuar, apo çfarë duhet tjetër për të arritur një fitore?

Luigi Soreca: Natyrisht që krijimi i SPAK-ut do të jetë një hap shumë i rëndësishëm përpara. SPAK-u është kthyer në pikë reference për arsye sepse do të ketë prokurorë që do të kenë kaluar procesin e Vetting-ut, rivlerësimet, kështu që është një proces që deri diku është edhe i dhimbshëm në reformën në drejtësi. Do të kishim iluzione në rast se do të mendonim që SPAK-u në vetvete dhe i vetëm, do të sillte të gjitha rezultatet e duhura që do të duheshin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por do të duhen rezultate nga i gjithë Gjyqësori për të ndryshuar mendësinë dhe për të filluar goditjen e krimit të organizuar në rajone, në vende të caktuara, në nivel kombëtar dhe në bashkëpunimet ndërkombëtare, si edhe për luftën kundër korrupsionit. Dhe unë e kam thënë këtë gjë edhe në të shkuarën. Arsyeja se përse krimi i organizuar ekziston është që të arrijë të ketë fitime dhe në rast se nuk goditen fitimet që ka krijuar, pra asetet që ka krijuar krimi i organizuar, me anën e disa instrumenteve ligjore por edhe masave parandaluese, të cilat mund të përfshijnë edhe masa të reja, mendoj se pa këto nuk do të ketë zhvillime afatgjata, të qëndrueshme dhe ecuri apo progres në luftën kundër këtyre dy fenomeneve. Pra po, SPAK-u është i rëndësishëm. Pra po, SPAK-u do të japë motivimin e duhur në të gjitha nivelet e Gjyqësorit. Dhe masat e reja janë të rëndësishme. Edhe këto masa, edhe Ministria e Brendshme duhet të vazhdojë në një historik të qartë të këtyre arritjeve, Policia e Shtetit, Prokuroria, çdo prokuror madje, të gjithë duhet të punojnë për ta arritur këtë gjë.

Carlo Bollino: Në mos gaboj, keni një projekt të Bashkimit Evropian bashkë me disa vende anëtare, për të trajnuar forca policore për hetimet financiare.

Luigi Soreca: Po, sigurisht që po. Në mënyrë absolute kjo është pjesë e mbështetjes sonë, pra jo vetëm në aspektin financiar, por edhe me anën e asistencës teknike, jo vetëm për Ministrinë e Drejtësisë por edhe për Ministrinë e Brendshme. E kam thënë në fakt në shumë raste në të shkuarën, që për Bashkimin Evropian është shumë e rëndësishme kjo çështje dhe prandaj vë fonde dhe i bën ato të disponueshme. Por është e rëndësishme edhe që të ketë bashkëpunim dypalësh, me anën e oficerëve të kontaktit dhe me ata oficerë kontakti dhe me ata ekspertë që janë në ministri. Dhe më lejoni të them që jam shumë krenar që Shqipëria është vendi i parë, përveç SHBA-së, ku kemi një zyrë të Europolit në botë. Pra Europoli ka një oficer kontakti që prej muajit maj, i cili bashkëpunon me Policinë e Shtetit të Republikës së Shqipërisë për ta ndihmuar atë për të bashkëpunuar në nivel ndërkombëtar së bashu me oficerët e kontaktit të shteteve anëtare. Pra mbështetje e plotë teknike, financiare, por edhe politike për vazhdimin e këtyre përpjekjeve.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Konfirmohet rasti i parë me linë e majmunëve në Kosovë

Konfirmohet rasti i parë me linë e majmunëve në Kosovë