KE rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Komisioni Europian rekomandon pa kushte hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në prezantimin e progres-raportit për ecurinë e vendit tonë në sajë të 5 prioriteteve kyçe për negociatat, eurokomisioneri Johannes Hahn tha se Shqipëria ka bërë progres, dhe ka përmbushur reforma të cilat duhen shpërblyer nga Bashkimi Evropian.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian Federika Mogherini u shpreh se rekomandimi për celjen e negociatave për Shqipërinë bazohet në çështje teknike të progresit të vendit dhe jo krizën politike. Mogherini tha se rekomandimi është i qartë dhe nuk ka kushte dhe për ketë arsye nuk duhet të ketë asnjë vonesë në vendimmarrjen e Këshillit të Evropës.

"Në bazë të një vlerësimi të rreptë dhe objektiv këtë vit për herë të dytë komisioni rekomandon çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ato kanë bërë pjesën e tyre të punës dhe tashmë është radha e BE-së të bëjë punën e tij. Topi ynë tani do të kalojë në Këshillin e Evropës. BE të japë ato merita aty ku ato ekzistojnë. Kur ne vlerësojmë meritat në mënyrë objektive, ato duhen njohur", u shpreh Mogherini. 

Eurokomisioneri Johannes Hahn vlerësoi arritjet e reformës në Drejtësi.

"Shqipëria ka vazhduar një transformim madhor të sistemit të drejtësisë, duke pasur parasysh rivlerësimin e paprecedentë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të risjelljes së besimit në këtë fushë. Ngritja e institucioneve ka vazhduar si dhe përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Duhet të njohim atë që është arritur deri më tani", theksoi Hahn.

Ndërsa Përfaqësuesi i së Djathtës Europiane, eurodeputeti Eduard Kukan, duke folur për krizën politike pohoi se opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.

Në progress raportin për Ballkanin Perëndimor u diskutua dhe për çështjen e bisedimeve Kosovë-Serbi dhe procesin e integrimit të Turqisë. Vendimi do të merret në qershor nga Këshilli i Evropës, ku duhet vota unanime e vendeve anëtare të BE-së.

(Kliko këtu ) Progres-Raporti i plotë i KE

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:31
Mogherini: Shqipëria gati, negociatat të çelen sa më shpejtë! Hahn: Reformat duhen shpërblyer nga BE

Përfaqësuesja e Lartë e BE, Federica Mogherini tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë gati për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE. Ajo tha se rekomandimi është i qartë dhe nuk ka kushte dhe për ketë arsye nuk duhet të ketë asnjë vonesë në vendimmarrjen e Këshillit të Evropës.

"Unë mendoj se mesazhi ynë është i qartë. E kemi thënë në raport, dhe në këtë konferencë, dhe do ta themi: Rekomandimi që i jep komisioni këshillit është çelja e negociatave sa më shpejtë të jetë e mundur sepse këto shtete janë gati. Diskutimet do të ekzistojnë mes vendeve anëtare, a janë ato gati? Pas rekomandimit të vjetshëm, Shqipëria dhe Maqedonia janë gati për çeljen e negociatave për anëtarësim. Është çelja, nuk është anëtarësimi nesër. Rekomandimi është i qartë, i kthjellët, për çeljen e negociatave. Rekomandimi është i qartë si drita e diellit, nuk ka kushte", tha Mogherini.

Në të njëjtën linjë, edhe eurokomisioneri Hahn deklaroi se vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të jepet sa më shpejt për të sinjalizuar vendet se reformat e duhura shpërblëhen. Ai tha se nuk mund të parashikojë vendimmarrjen e vendeve skeptike si Franca apo Holanda, por theksoi se vendimmarrja duhet të merret sa më shpejtë, pasi progresi që Shqipëria dhe Maqedonia kanë bërë nga koha e rekomandimit të shkuar në vitin 2018, është mjaft i dukshëm dhe duhet shpërblyer.

"Këshilli tha qartë se do të merrte një vendim këtë qershor. Nuk mund të parashikoj vendimmarrjen e tyre (Francës dhe Holandës). Ajo që mund të themi është që vendimmarrja të jetë sa më shpejt, për t'i dhënë mesazhin e qartë vendeve të Ballkanit se reformat e duhura shpërblehen nga BE. Sepse është në interes ne do të vazhdojmë ta mbështesim këtë proces sa më shumë të jetë e mundur. Jemi të bindur që kjo gjë duhet të bëhet sa më shpejtë të jetë e mundur që të gjitha përpjekjet e mëdha politike të respektohen në mënyrë domethënëse. Në këtë kuadër nuk është vetëm një sinjal për vende të veçanta por për të gjithë rajonin", tha Hahn.

Ndërkohë, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se rekomandimi pa kushte i Komisionit Evropian për çeljen e negociatave, bazohet në çështje teknike të progresit të vendit, dhe ai nuk pasqyron situatat politike.

"Shqipëria është gati të hapë negociatat. Ka një krizë politike, por rekomandimi ynë nuk bazohet mbi situata politike, por mbi çështje teknike. Rekomandimi është i qartë ndaj Këshillit, për të hapur negociatat", tha Mogherini.

Ora 13:19
Mogherini zbulon 'sponsorët' e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE (VIDEO)

Kush i mbështet kaq fuqimisht Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian? Kësaj pyetje në konferencën për shtyp pas publikimit të progres-raportit për këto dy shtete, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini u përgjigj duke dhënë dy argumente. Sipas saj janë vetë vendet e Ballkanit (anëtare ose jo në BE) që mbështesin integrimin e vendeve që kanë bërë progres si Shqipëria dhe Maqedonia. Së dyti, janë vetë popujt e këtyre vendeve që e duan BE-në, shifra që sipas Mogherinit, nuk i gjen më në radhët e qytetarëve shtetet e të cilëve janë anëtare. Mogherini tha se ky potencial dhe kjo dëshirë për standarde i nevojitet tashmë Bashkimit Evropian.

"Ajo që kam parë 5 vitet e fundit është bashkimi i mrekullueshëm i rajonit dhe shoh që sponsorët më të mirë për procesin e integrimit, janë vetë fqinjët në rajon. Unë shoh që vendet e Ballkanit, janë ato që e mbështesin më shumë procesin, që krijojnë mjedisin e favorshëm që japin mbështetje, dhe kjo është dëshmi që procesi është i rëndësishëm për BE-në. Mbështetje e fortë dhe e thellë e popullsisë për këtë proces. Ka përqindje të mëdha për mbështetjen ndaj BE dhe të ardhmen në Be duke përfshirë këtu edhe përmbushjen e kushteve. Ka disa shifra që po t'i kërkojmë në ndonjë shtet anëtarë të Be-së nuk ekzistojnë më, BE ka nevojë për këtë inkurajim për këtë shtysë dhe dëshirë për standarde", - tha Mogherini.

Ora 13:14
Mogherini: Kosova dhe Serbia duhet të ulen në tryezën e dialogut, taksa 100% nuk e favorizon këtë proces (VIDEO)

Gjatë konferencës me gazetarët, eurokomisioneri Johanes Hahn dhe përfaqësuesja e lartë e BE komentuan aksionin e djeshëm në veri të Kosovës dhe retorikën e kryeministrit serb, Vuçiç. Mogherini tha se dy vendet duhet të ulen në tryezën e dialogut teksa bëri deklaroi edhe njëherë se taksa 100 % për mallrat serbe nuk e favorizon këtë proces.

Dje policia e Kosovës pati një operacion kundër krimit të organizuar. Vuçiç pati një retorikë konfrontuese. Si e gjykoni ju?

Mogherini- Mendoj se ajo që ndodhi dje në Kosovë, tregon se dy vendet duhet të ulen në tryezën e dialogut. Besoj se ajo që ndodhi dje është një kujtesë për të gjithë ne për nevojën e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit dhe i gjithë rajoni do përfitonte. Tendencat e konfrontimit dhe retorika nuk janë bashkëpunuese, ato shkojnë në drejtim të kundërt me procesn e integrimit të këtyre vendeve në bashkimin europian. Të dy liderët e dy vendeve dua të ccojnë përpara procesin dhe të normalizojnë marrëdhëniet mes tyre. Duhet të hiqen dhe kushtet, taska 100% për mallrat e Serbisë pasi kjo nuk krijon mjedis për bashkëpunimin mes vendeve. Jam e bindur se një marrëveshje është e mundur mes dy vendeve

Hahn- Unë i referohesha deklaratës së Vuçiç, jo të djeshme por te disa ditëve më parë, për fqinjësisë e mirë.

Ora 13:06
Hahn: Shqipëria shembull pozitiv, transformim madhor në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit! (VIDEO)

Eurokomisioneri Johannes Hahn deklaroi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë arritje duke përqafuar një erë ndryshimesh. Ai tha se këto shtete kanë treguar rezultate në fushat që kanë të bëjnë me rekomandimet e komisionit në vitin 2018. Hahn veçoi zhvillimet e Shqipërisë në reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit.

"Janë bërë disa arritje të rëndësishme, dhe hap pas hapi do të shikojmë vende të ndryshme arritjet e tyre dhe shembujt më pozitivë që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria që e kanë përqafuar këtë erë ndryshimesh. Të dyja këto shtete kanë treguar rezultate sidomos në ato fusha që kanë qenë pjesë e rekonandimeve të komisionit në 2018. Shqipëria ka vazhduar një transformim madhor të sistemit të drejtësisë, duke pasur parasysh rivlerësimin e paprecedentë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të risjelljes së besimit në këtë fushë. Ngritja e institucioneve ka vazhduar si dhe përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kemi pasur arritje. Edhe më shumë duhet bërë sepse nuk kemi arritur tek fundi i përpjekjeve të përbashkëta. Por duhet të njohim atë që është arritur deri më tani", tha Hahn.

Eurokomisioneri Johannes Hahn tha se raport progresi i bërë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është mjaft objektiv. Ai sqaroi se procesi i çeljes së negociatave do të kërkojë vite deri në anëtarësim.

"Vlerësimi ynë është një analizë objektive që mund të mbështeten shtetet anëtare. Ka ende shumë për të bërë në Ballkanin Perëndimor, ashtu si duhen dhënë ende rezultate të prekshme. Duhet të ketë progres edhe për pajtimin, bashkëpunimin rajonal, duke ndjekur shembullin e Maqedonisë së Veriut. Çelja e negociatave nuk do të thotë që përfundojnë negociatat nesër apo pasnesër. Procesi është i gjatë në vetvete, nuk është realiste të besohet që çelja e negociatave do të jetë e shkurtër. Nëse një shtet e meriton nuk përjashtohet mundësia që të ecë më para se vendet e tjera", tha Hahn.

Ora 13:02
Mogherini: Progres mbresëlënës! Shqipëria e bëri punën e saj, tashmë është radha e BE-së (VIDEO)

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, deklaroi se Shqipëria dhe Maqedonia kanë bërë progrese lidhur me reformat e ndërmarra, ku veçoi reformën në drejtësi duke thënë se ka arritur rezultate mbreslënëse. Mogherini tha se ato e kanë bërë punën e tyre ndërsa tani mbetet radha e BE për të bërë punën e saj.

"Është bërë punë madhore për të vlerësuar ecurinë e arritur për të arritur në këto raporte. Gjatë viteve të fundit BE ka investuar me shifra të mëdha në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi qenë dëshmitarë të arritjeve dhe suksese që janë mbresëlënëse, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë treguar rezultate për reformat. Zbatim mbresëlënës i reformës në drejtësi, që ka sjellë rezultate të prekshme. Kam qenë së fundi në Tiranë për Samitin. Në bazë të një vlerësimi të rreptë dhe objektiv këtë vit për herë të dytë komisioni rekomandon çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ato kanë bërë pjesën e tyre të punës dhe tashmë është radha e BE-së të bëjë punën e tij. Topi ynë tani do të kalojë në Këshillin e Evropës. BE të japë ato merita aty ku ato ekzistojnë. Kur ne vlerësojmë meritat në mënyrë objektive, ato duhen njohur. Në të kundërt do të dëmtohet besueshmëria e BE-së, do të minohet stabiliteti dhe do të shkurajonin reformat e mëtejshme, ndoshta sjellin edhe një moment zhgënjimi në këto vende të rajonit, por edhe në BE dhe tek BE si institucion.", u shpreh Mogherini.  

Ora 12:32
Eurodeputetja: Asnjë arsye për të vonuar vendimin! Shqipëria i ka plotësuar kriteret (VIDEO)

Kati Piri, eurodeputetja që tashmë zëvendësoi sot në mbledhje raportuesin për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, tha se nuk ka arsye për të vonuar vendimin për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi këto dy vende siç ajo theksoi i kanë plotësuar kriteret dhe progresi i bërë prej tyre duhet të vlerësohet.

"Unioni duhet të vijojë përpara me premtimet që ka bërë. Çdo shtet duhet të vlerësohet sipas meritave dhe progresit që ka bërë. Kemi parë progres të rëndësishëm, sidomos marrëveshja që zgjidhi ngërçin për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Vendet e BE duhet të marrin vendim, shpresoj që grupi im parlamentar të mbështesë hapjen e negociatave me këto dy vende, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Nuk shohim asnjë arsye për të vonuar këtë vendim duke qenë se kriteret nga dy vendet janë plotësuar dhe për këtë arsye duhet të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut", u shpreh eurodeputetja.

Ora 12:11
Kukan: Në 30 qershor ka zgjedhje, liderët të shkojnë përtej interesave partiakë (VIDEO)

Përfaqësuesi i së Djathtës Europiane, eurodeputeti Eduard Kukan vuri theksin tek kriza e brendshme politike në Shqipëri duke thënë se palët duhet të gjejnë zgjidhje në interes të shqiptarëve. Ai theksoi se më 30 qershor vendi ynë ka zgjedhje lokale për kryebashkiakët e rinj, duke thënë se u takon liderëve politike që të shkojnë përtej interesave të partisë. Në fjalimin e tij të fundit në Parlamentin Evropian, eurodeputet i Partive Popullore Europiane dhe Kryetari i Grupit punues të Komitetit të Punëve të Jashtme të PE për Ballkanin Perëndimor, vlerësoi bashkëpunimin me eurokomisionerin Johannes Hahn, dhe theksoi se ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duhen hapur negociatat në vlerësim të progresit të bërë nga këto dy vende.

"Komisioneri Hahn ka qenë nder dhe kënaqësi që kam bashkëpunuar me ju. Raporti tregon mjaft interes, një thriller i vërtetë. Dhe reagimi i parë është pozitiv. Ne të gjithë duam që kolegët e Ballkanit perëndimor të ecin para, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë atë që ju sapo thatë. Mund të ketë shumë pika dhe argumente, por nëse shohim pikat pozitive ka pasur hapa deçizivë drejt Evropës. Por nga ana tjetër mund të bëhet më shumë. Të gjithë këto vende meritojnë mbështetjen tonë, por edhe ndihmën tonë. Shqipëria, konstatojmë një politike të ngarkuar të brendshme në 30 qershor do kemi zgjedhje lokale dhe u takon liderëve politike të shkojnë përtej interesave të partisë, dhe të shkojnë drejt interesave të qytetarëve. Edhe ne duhet të bëjmë më shumë, duhet të shohim instrumentet që kemi në dispozicion për të ushtruar një presion më pozitiv ndaj kolegëve tanë në Ballkan. Sepse përkundrazi rrezikohet humbja e kredibilitetit dhe duhet marrë në konsideratë çështja e stabilitetit të Rajonit", tha Kukan.

Theksojmë se Kukan ka qenë gjithmonë një nga mbështetësit kryesorë të Partisë Demokratike. 

Ora 12:11
MacAllister: Serbia ka arritur rezultate por mbetet sfidë marrëdhënia me Kosovën

1559123161_raportipershqiperine.jpg

Relatori për Serbinë në KE, David MacAllister deklaroi gjatë prezantimit të progres-raportit se Serbia ka shfaqur rezultate në stabilitetin në ekonomi ndërkohë që vuri theksin në reformimin e luftës kundër korrupsionit. Ai deklaroi se sfidë mbetet marrëdhënia me Kosovën dhe vendosja e një marrëveshjeje juridike mes dy vendeve

"Kam vënë re rezultatet e arritura në stabilitetin ekonomik, por ka nevojë për reformimin e luftës kundër korrupsionit. Një tjetër sfidë e rëndësishme është marrëdhënia me Kosovën. Duhet një marrëveshje juridike me Kosovën. Ndryshe nga vitet e kaluara ka bërë akoma më shumë progrese", u shpreh MacAllister.

Ora 12:05
Preda: KiE të hapë negociatat, Shqipëria i përmbushi kriteret ne duhet të mbajmë premtimin (VIDEO)

Eurodeputeti Cristian Preda, i cili nuk do të jetë më në parlamentin e ri evropian, tha se edhe Këshilli i Evropës duhet të votojë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ai tha se BE duhet të mbajë premtimin e dhënë se do të hapë negociatat nëse këto vende do të përmbushnin kriteret,  dhe kushtet nga Shqipëria dhe Maqedonia janë plotësuar - tha ai.

 "Këshilli i qershorit duhet të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut, i kemi kërkuar kushte këtyre vendeve dhe duhet të mbajmë premtimin pasi këto vende i kanë plotësuar kushtet. 5 vite më parë unë kam filluar të punoj me Bosnje Hercegovinën, nuk kishte asnjë vend kandidat tashmë, ka qenë e vështirë, sot kemi një vendim pozitiv për kandidaturën e Bosnjes. Ky është një sinjal pozitiv për këtë vend, por shoh të qartë se Bosnja ndodhet në rrugën e Evropës, janë evidentuar përparimet që janë bërë në demokraci, sidomos reforma në administratë", tha Preda.

Ora 12:02
Relatori për Malin e Zi largohet pas 18 vitesh nga KE

1559124382_ke.jpg

Gjatë fjalës së tij gjatë prezantimit të proges-raportin për vendet e Ballkanit Perëndimor deklaroi se BE duhet të jetë një e tashme dhe një e kaluar për çdo vend që e aspiron. Ai deklaroi se do të largohet nga KE pas 18 vitesh teksa vlerësoi bashkëpunimin.

Ai vuri theskin në arritjen e marrëveshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë për çështjen e emrit.

"Kam bërë një kërkesë që t'i jepet një nobel për Tsipras për marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut. BE duhet të jetë një e tashme por edhe një e kaluar për cdo vend që aspiron. Kam qenë 18 vite anëtar i komisonit europian"

Ora 12:00
Hahn: Kjo është paketa e fundit që unë prezantoj, por do vijoj të jem i angazhuar në këtë proces

1559123988_hahan7.jpg

Eurokomiseri Johanes Hahn deklaroi gjatë prezantimit të progres-raportit për vendet e Ballkanit Perëndimor ku njoftoi rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë, se nuk do të jetë më pjesë e PE.

Hahn njoftoi se kjo është paketa e fundit që ai do të prezantojë teksa premtoi se pavarësisht kësaj do vazhdojë të jetë i angazhuar në këtë proces.

"Kjo është paketa e fundit që unë prezantoj dhe dua të falenderoj të gjithë ata me të cilët kam bashkëpunuar në këto katër vite e gjysmë.

Pavarësisht nga zgjedhjet në BE, për të gjithë ata që lënë parlamentin e BE do vazhdojnë të jenë të angazhuar në këtë proces", u shpreh Hahn.

Ora 11:53
Hahn: Komisioni rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë (VIDEO)

Eurokomisioneri Johanes Hahn deklaroi se raporti i këtij viti do të paraqesë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

"Ne kemi folur për strategjinë e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor. Raporti i këtij viti parashtron progresin që kanë bërë vendet e Ballkanit perëndimor. Mbeten shumë sfida. Ne do paraqesim të njëjtin rekomandim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Zbatimi i ligjit dhe stabiliteti mbeten disa nga pikat që duhet të zbatojnë këto vende. Sfida e tretë për këto vende është ekonomia. Vendet duhet të zbatojnë reforma në sajë të përmirësimit të ekonomisë. BE është partneri ynë kryesor por duhen marrë në konsideratë edhe investimet e Kinës.

Shqipëria është duke bërë reforma, transformim të rëndësishëm në fushën e drejtësisë. Ky është një shembull edhe për vendet e tjera. Të dyja vendet kanë bërë progrese. Në këtë bazë komisioni rekomandon hapjen e negociatave për të dy vendet. Kushti kryesor është reforma në drejtësi. Për sa i përket kapitujve 23-24. Të dyja palët duhet të japin kontribut", tha eurokomisioneri Johannes Hahn.

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mirditor: 29/05/2019 18:21

    Po paten interesa ekonomike athere do bëhemi pjes e europes Shqiperia sikur sonte të bëhet si zvicra pra nuk na pranojn ne europe sepse gjithqa është vetem per interesa emkonomike politike e kshtu me rradhë.

    Përgjigju
  • TONI TIRANE: 29/05/2019 18:12

    He mo LUL BASHA cke per te thene tani. IK shporru dhe te te vine studentet ne parlament dhe te krijojne nje Parti dhe ta perfaqesojne ata Popullin. JU Jeni kanceri i ketij vendi mjaft me.

    Përgjigju
    • Alb: 29/05/2019 20:52

      Ti mendon qe do celen negociatat me ket qeveri? Pac endrra te embla!! Pse se publikoni komentin e me hershem apo.?

  • Hasan Pordha: 29/05/2019 18:12

    Rrofte Europa dhe Amerika poshte Rusia dhe veglat e saj Luli dhe Mona

    Përgjigju
  • Populli: 29/05/2019 13:11

    Celja e negociatave eshte per te miren e Shqiptareve,Luli dhe Monika te plasin syte e te mbyllin gojen e ndyre qe po plasin duke nxire vendin e tyre,shqiptaret nuk do ja falin kurre kete akt tradhetar.

    Përgjigju
  • Flamuri: 29/05/2019 11:57

    Merrni ne interviste Lyrzimin hahahha..ndoshta do thote qe populli shqiptar nuk eshte dakort me keto gjera...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja