Zëvendës ministri i Jashtëm, Sokol Dedja i është përgjigjur akuzave të ardhura nga eksponentë të opozitës të cilët janë shprehur skeptik lidhur me vendimin e sotëm të KE, sipas së cilëve nuk ka motiv për "t'u gëzuar".
I ftuar në "Repolitix" në Report Tv, ai është shprehur se ky vendim ka një rëndësi më të madhe krahasuar me progres-raportin e vitit të kaluar. Sipas tij, Shqipëria ka arritur të përmbyshë pritshmëritë që ka pasur KiE lidhur me progresin në pikat kryesore, kyçe për çeljen e negociatat.
"Është më i thelluar sepse KE është institucioni që KiE e ka ngarkuar që të shoh arritjet e Shqipërisë në ato pikat që ato i kishin vendosur si kusht për çeljen e negociatave. Në këto pika, Komisioni vendosi që Shqipëria ka bërë progres në këto fusha të caktuara nga KiE. Është arritur ajo që pritej nga Shqipëria", u shpreh Dedja
Duke u ndalur tek kriza politike, se sa mund të ndikojë kjo në vendimin e qershorit, Dedja tha se zhvillimet e brendshme politike janë një faktor i rëndësishëm që merret parasysh nga vendet anëtare.
"Është një faktor që vendet e marrin në konsideratë. Duhet të japim sa më pak argumente këtyre shteteve skeptike për të votuar "pro", përfundoi ai.
Qershori apo shtatori? Këto janë dy periudhat kohore që janë diskutuar se do të jepet vendimi i KiE për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE. Qershori është një periudhë, që deri më tani është e konfirmuar zyrtarisht, por është diskutuar edhe shtatori. Disa politikanë e lidhin me krizën politike në Shqipëri, e disa të tjerë me zgjedhjet në PE. Zv. ministri i jashtëm, Sokol Dedja ka sqaruar me detaje se çfarë pritet të ndodhë pas rekomandimit të sotëm të KE dhe përse po diskutohet edhe shtatori si një mundësi për dhënien e verdiktit final.
"Përveç ndërlikimeve politike, ka edhe një ndërlikim procedurial. Raporti i KE doli shumë vonë, doli sot. Duke qenë situata ajo që është lidhur me procedurën e zgjerimit, KE vendosi që të mos interferonte në fushatën elektorale të PE. KE vendosi që të nxirrte raportin pas zgjedhjeve në PE. Dalja e Raportit e ngushtoi shumë kohës midis ditës së sotme dhe qershori kur pritet të merret vendimi në KiE. Duhet të arritet unanimiteti dhe periudha është shumë e ngushtë, procedurialisht. Nuk ka të bëjë vetëm me arritjen e unanimitetit të vendeve anëtare, por edhe të arritjes së qëndrimit kombëtar të vendeve anëtare. Ka vende që duhet të marrin opinionin e parlamentit vendas që të shkojnë e të votojnë në PE, siç është Gjermania. Nga ana tekniko-proceduriale koha është shumë e ngushtë. Nuk them se është e pamundur. Sa i përket deklaratës së Bashës, që nuk çelen negociatat, unë mund të them jemi në një dialog intesiv me të gjitha anëtarët e BE", tha Dedja.