Protesta/ Studentët ndahen në tre grupe, një pjesë prej tyre nga Kryeministria: Nuk do lëvizim, jemi pajisur me mbulesa dhe ushqim

TIRANË- Pas skadimit të afatit të vënë nga studentët për pranimin e 8 kushteve nga ana e qeverisë, që ishte ora 16.00, studentët janë ndarë në tre grupe. Një pjesë prej tyre ka vendosur të qëndrojë përpara Ministrisë së Arsimit, ku janë mbledhur prej orës 10:00, një pjesë tjetër përpara Kryeministrisë dhe në "Zog të Zi", ku kanë bllokuar qarkullimin rrugor. Kryeministri Edi Rama ka vendosur të reagojë ndaj përcarjes së tyre përmes rrjetit social "Twitter" dhe ka bërë me dije se pavarësisht gjithckaje, ndryshe nga opozita, ai i përkrah ato. Në kuadër të tetë kërkesave të parashtruara nga studentët, Rama vijon të insistojë për dialog në një tryezë të përbashkët. E megjithatë, studentët e zhvendosur përpara Kryeministrisë kanë deklaruar se do të vijojnë të protestojnë edhe në orët e mbrëmjes. 

Sot paradite, kryeministri Edi Rama u bëri sërish ftesë për dialog studentëve, të cilët po protestojnë për të tetën ditë për plotësimin e 8 kërkesave. Rama i ftoi studentët që të vijnë për të dialoguar në sallën e Kuvendit, përballë tij dhe ministrave të qeverisë dhe të mos bëjnë ultimatume që kanë prapavijë politike.

Studentë të disa universiteteve janë mbledhur që në mëngjes përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa me ta janë bashkuar edhe gjimnazistë të kryeqytetit që kanë braktisur procesin mësimor. Protesta të studentëve po zhvillohen edhe në disa rrethe. Kjo është dita e 8-të e protestës së studentëve dhe është caktuar prej tyre si ‘afati’ i fundit për qeverinë për të plotësuar 8 kërkesat e tyre, ku ndër më kryesoret janë përgjysmimi i tarifave për të gjitha ciklet e studimit, përfaqësimi i studenteve në senatin e akademik dhe bordet e universitetit si edhe rritja e investimeve për përmirësimin e kushteve në konvikte dhe bibloteka. Studentët kanë paralajmëruar se do të përshkallëzojnë protestën e tyre deri në grevë urie.

Kryeministri Edi Rama, dje në një komunikim "live" në "Facebook", premtoi për studentët më shumë nga sa ata kanë kërkuar në 8 pikat e tyre drejtuar qeverisë. (LEXO KËTU) Por ata vijojnë të insistojnë në përmbushjen e të gjitha kërkesave, duke theksuar se nuk e shohin të nevojshme komunikimin e drejtpërdrejtë me të. 


Kërkesat e fundit/ Letra drejtuar Ramës, Ruçit e Nikollës nga Këshillat Studentorë/ Datë 9 Dhjetor

1. Rritja e buxhetit në 5% e GDB me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për cdo nivel studimi, përmirësim e mësimdhënies dhe infrastrukturës (universitete dhe konvikte).
2.Transparence me buxhetin nga ministria e Arsimit dhe IAL-ve, publikimi të gjitha shpenzimeve online
3.Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekanë, rektorë dhe cdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.
4. Rishikimi i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.
5.Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat Studentore, ligji i arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që bordi i administrimit të IAL-eve të ketë numër të barabartë votash si nga MAS dhe IAL-t si edhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
6.Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e studentit brenda vitit akademik 2018-19
7.Ndërtimi i bibliotekave me starndarde europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.
8.Vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikimi i tij online dhe regjistrimi i leksioneve.

Kërkesat e para të studentëve (lexo këtu)
Kërkesat e dyta të studentëve (lexo këtu)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:49
Foto nga grupimi i studentëve te Kryeministria në orët e vona
Ora 22:28
Studentët përpara Kryeministrisë/ Basha, qytetarëve: Ndihmojini me mbulesa dhe ushqim, bashkojuni protestës së tyre

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar ndaj vendimit të studentëve për të kaluar natën përpara ndërtesës së Kryeministrisë. Në një postim në rrjetin social "Facebook", Basha iu bën thirrje qytetarëve të Tiranës që t'i ndihmojnë studentët me mbulesa dhe ushqim. Më tej, ai iu bën thirrje që të bashkohen me protestën e tyre. Basha e cilëson protestën e studentëve si një protestë kundër arrogancës dhe shpërfilljes ekstreme të një qeverie që i ka braktisur me kohë njerëzit.

Postimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në rrjetin social "Facebook"
Ora 21:31
'Nuk lëvizim pa marrë përgjigje përfundimtare', studentët përpara Kryeministrisë: Jemi pajisur me ushqime dhe batanije

Studentët përpara Kryeministrisë, kanë deklaruar se do të vazhdojnë të protestojnë derisa të marrin një reagim nga kryeministri Edi Rama për tetë kërkesat e parashtruara.

"Nuk lëvizim nga Kryeministria. Do rrimë këtu. Po rrimë tek sheshi i fjalës së lirë, do presim Ramën. Ndaj erdhëm këtu. Nuk lëvizim prej këtu deri sa të marrim përgjigjen përfundimtare. Qytetarët u sensibilizuan me ne dhe siç e shikoni ne jemi pajisur me ushqime dhe batanije. Na kanë sjellë edhe ujë”, u shpreh njëri prej tyre.

Një student, përballë Kryeministrisë, i mbështjellë me batanije
 
 
Ora 20:17
Përfundon protesta në 'Zog të Zi', studentët i drejtohen Kryeministrisë

Studentët të cilët ndodheshin në "Zog të Zi", kanë vendosur t'i bashkohen studentëve që po protestojnë përpara Kryeministrisë. Sa i takon studentëve që po protestojnë përpara Ministrisë së Arsimit, një grup i vogël prej tyre ka vendosur t'i bashkohet gjithashtu pjesës protestuese përpara Kryeministrisë. Përballë këtij institucioni, studentët dëgjohen teksa brohorasin njëzëri: "Ejani mblidhuni këtu" dhe "Bashkohuni me ne". 

Ora 20:05
Studentët i vendosin 'gjoba' policisë: Pranoni kërkesat se i thirra kuksianët

Disa të rinj që u zhvendosën në "Zog të Zi" për të protestuar, i kanë vënë 'gjoba' në mënyrë simbolike dy makinave të policisë. “Pranoni kërkesat se i thirra kuksianët”, shkruhet në një nga parullat ngjitur njërës prej makinave të policisë.

Studentët teksa i vendosin parrullat e tyre makinës së policisë
Ora 19:41
Studentët përpara Kryeministrisë: Nesër do të mblidhemi të gjithë sëbashku, nuk do të ketë përçarje

Dy studentë, të cilët kanë zgjedhur të protestojnë përpara Kryeministrisë, janë shprehur për gazetaren e Report Tv, Esiona Konomi se protesta do të vijojë edhe nesër. Ata kanë thënë më tej se ndryshe nga situata e sotme, studentët do të mblidhen sëbashku dhe se do ta zhvillojnë protestën në mënyrë paqësore. 

"E rëndësishme është që protesta do të jetë paqësore dhe nesër do të jemi të gjithë bashkë, ndryshe nga sot që u ndamë për arsye logjistike.Nuk ka rëndësi vendi, por kauza. Ne do ta vazhdojmë luftën tonë. Zoti kryeministër do të na dëgjojë, kërkesat tona janë të qarta. Nëse kryeministri do të na dëgjojë, të plotësojë kërkesat. Ata që marrin vesh nga ligjet, thonë që ai ligj është i mbaruar", u shprehën dy studentët përpara Kryeministrisë. 

Ora 19:28
Studentët përpara Ministrisë së Arsimit: Protesta do të vijojë, nesër do të bllokojmë akset kryesore të Tiranës

Pjesa e studentëve që po protestojnë përpara Ministrisë së Arsimit, ka bërë me dije se nesër do të bllokojnë disa akse kryesore të kryeqytetit. Krahas kësaj, ata janë shprehur se në orën 10:00 do të mblidhen sërish përpara Ministrisë së Arsimit, për të vijuar protestën e tyre kundër politikave arsimore në vend.

Ora 18:53
AutoBlinda me lekë nuk lejohet të kalojë nga studentët. Security privat sjell tjetër dhe transferon paratë mes turmës

Studentët të cilët po protestojnë në "Zog të Zi", kanë bllokuar së fundmi një autoblindë me lekë. Duke mos lejuar që autoblinda të përshkonte rrugën e ndërmarrë, security privat ka sjellë një tjetër autoblindë dhe i ka transferuar paratë mes turmës. 

Ora 18:39
Rama iu drejtohet sërish studentëve: Po tani kush ju përçau?! Mos e vrisni mendjen, unë jam me ju

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të reagojë sërish, duke komentuar përcarjen e studentëve. Teksa një pjesë po proteston përpara Ministrisë së Arsimit, një pjesë tjetër e tyre në "Zog të Zi" dhe një grup përpara Kryeministrisë, Rama shkruan se kjo ndarje e tyre ka ardhur si pasojë e politizimit të protestës, por pavarësisht kësaj, ai shpreh përkrahjen e tij ndaj tyre. Kreu i ekzekutivit vijon të vendosë theksin në një dialog konstruktiv midis tij dhe studentëve për tetë kërkesat e shtruara nga këto të fundit.

Postimi i kryeministrit Edi Rama në rrjetin social "Twitter"
Ora 18:35
Studentët e përçarë, një pjesë prej tyre të vendosur te Kryeministria

Teksa protesta e studentëve është përcarë në Ministrinë e Arsimit dhe “Zog të Zi”, një pjesë e tyre ka vendosur që të protestojë edhe përpara Kryeministrisë. Ata janë shprehur se do të protestojnë përgjatë gjithë natës, teksa do të qëndrojnë të heshtur duke lexuar libra.

Ora 18:06
Tension tek ‘Zogu i zi’, studentët nuk lejojnë të kthehet autobusi i 'Unazës'

Studentët të cilët janë zhvendosur në "Zog të Zi", sikurse kanë paralajmëruar më parë, nuk kanë lejuar qarkullimin e asnjë automjeti. Së fundmi, ata kanë bllokuar autobusin e "Unazës" duke mos e lejuar këtë të fundit të lëvizë. Sikurse duket nga fotografitë e mëposhtme, autobusi është boshatisur nga njerëzit dhe është rrethuar në cdo kënd nga studentët.

Ora 17:41
Studentët: Ato të dhjetave nuk na përfaqësojnë, të mos dalin në televizion për të na përfaqësuar

Studentët kanë kërkuar nga protesta që po zhvillohet në "Zog të Zi" që "studentët e dhjetave të mos dalin në televizion për të folur në vetën e parë dhe për të përfaqësuar ato që ndodhen në protestë". Ata u shprehën më tej që këto studentë duhet të heqin dorë nga tentativat për të folur në publik në emër të të gjithëve, pasi qëndrimi i tyre është i palëkundur. Studentët ritheksuan se do të vijojnë të protestojnë e madje paralajmëruan sërish për përshkallëzim të situatës, deri në një reagim të kryeministrit Edi Rama ku do të njoftohet realizimi i 8 kërkesave të parashtruara.

Ora 17:27
Studentët në protestë të zhvendosur drejt Zogut të ZI (FOTO)
Ora 17:15
Studentët bllokojnë qarkullimin rrugor në 'Zog të Zi': Nuk do lejojmë askënd të kalojë, kërkojmë të drejtat tona

Studentët të cilët u zhvendosën në "Zog të Zi", kanë bllokuar qarkullimin rrugor dhe kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë askënd që të kalojë. 

"Ne lejuam një ambulancë që të kalonte, por tani nuk do të lejojmë askënd tjetër", u shpreh njëri student në protestë. "Ne po kërkojmë të drejtat tona, nëse nuk do e arrijmë, do bllokojmë të gjitha rrugët", u shpreh një tjetër. "Në të gjithë Tiranën do të përpiqemi që të bllokojmë të gjitha rrugët, në mënyrë që të mposhtim arrogancën e qeverisë, pasi kjo e fundit nuk po reagon", u shpreh një student i tretë. Teksa një pjesë qëndron e ulur dhe një pjesë në këmbë, studentët brohorasin njëzëri "E duam Shqipërinë si e gjithë Europa!"

Ora 16:33
Skadon ultimatumi për qeverinë, studentët përçahen, një pjesë i drejtohet 'Zogut të Zi'

Një pjesë e studentëve, pasi nuk morën një reagim nga kryeministri Edi Rama në afatin e përcaktuar nga vet ato, kanë vendosur të zhvendosen nga Rruga e Durrësit, ku gjendet Ministria e Arsimit, drejt rrugës së "Zogut të Zi". Ndërsa pjesa tjetër e tyre, shihet që kanë vendosur të qëndrojnë përballë Ministrisë së Arsimit.  

Studentët teksa marshojnë drejt rrugës së "Zogut të Zi"
Ora 16:07
Rama ngulmon për bisedime, publikon parullën: Na duhet dialog

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një fotografi në rrjetin social "Instagram" pak përpara se të mbaronte afati i përcaktuar nga studentët. Fotografia, e shkëputur nga protesta e vitit 2018 në Europë, përmban studentë të cilët brohorasin dhe mbajnë në duar një parullë ku shkruhet "All we need is Talk". Rama ka zgjedhur pikërisht këtë mënyrë komunikimi, për t'i përcjellë edhe njëherë studentëve kërkesën për të dialoguar rreth 8 pikave për të cilat po protestojnë tanimë për të tetën ditë.

Postimi i kryeministrit Edi Rama në rrjetin social "Instagram"
Ora 15:51
Studentët me Kushtetutë: Ja tetë pikat që duhet të zbatojnë të gjithë protestuesit

Në mungesë të një përfaqësie studentët kanë hartuar një Kushtetutë të tyre me tetë pika. Në Kushtetutën e tyre studentët kanë përcaktuar rregullat që duhet të zbatojë cdo student.

KUSHTETUTA E STUDENTIT
1. Ne jemi të gjithë të barabartë
2.Student për shqiptarët, shqiptarët për studentin
3.Nuk kemi përfaqësi! Nuk kemi kryesi!
4.Jo negociata! Jo dialog! Jo bisedime!
5.Kemi vetëm tetë kërkesa që janë të panegociueshme
6.Protesta dhe bojkoti i mësimit do të vazhdojë çdo ditë deri sa të plotësohen kërkesat
7.Në protestë janë të lirë të bashkohen të gjithë, gjimnazistët, mësuesit, pedagogët dhe prindërit dhe kushdo që është në mbështetje të çështjes tonë.
8.Të që gjithë ata që flasin në media janë pjesëmarrës të vetes dhe jo të studentëve

Ora 15:48
Skenarët e paqartë të vijimit të protestës, forca policie edhe te Kryeministria (VIDEO)

Studentët ende nuk kanë vendosur se si do të vijojë protesta e tyre pas afatit që kanë vënë për qeverinë, pas orës 16.00. Ata janë të përçarë, sepse një pjesë kërkon ta zhvendosë protestën te Kryeministria, një pjesë tjetër te Kuvendi, ndërsa të tjerë janë të mendimit që protesta të vijojë aty ku nisi, te Ministria e Arsimit, duke ndenjur edhe natën. Ndërkohë, Policia e Shtetit duket se është mobilizuar për çdo skenar, duke përqendruar një pjesë të forcave të saj afër selisë së qeverisë, sikurse duket edhe në video.

Ora 15:23
'Studentët i kemi mbështetur me mendje e zemër', Tifozët Kuq e Zi: Do t'u bashkohemi edhe fizikisht

Protestës së studentëve pritet që t’u bashkohen në orën 16:00 edhe tifozët kuq e zi nga të gjitha trojet shqiptare. Ky fakt është bërë i ditur nga vet ata, përmes një statusi në llogarinë e tyre në rrjetin social “Facebook”. “Tifozët Kuq e Zi nga të gjitha trojet etnike, kanë mbështetur me mendje e zemër kauzën e studentëve. Prandaj, sonte nga ora 16.00 bashkohemi edhe fizikisht me studentët protestues në mbështetje të kërkesave të tyre. Bashkohu edhe ti!”- shkruajnë ata.

Statusi i Tifozëve Kuq e Zi në rrjetin social "Facebook"
Ora 14:12
Protesta e studentëve në Shkodër/ Universiteti Luigj Gurakuqi pranon kërkesat e studentëve: Ulet nota mesatare

Universiteti Luigj Gurakuqi në Shkodër iu ka kthyer përgjigje studentëve për kërkesat e tyre për protestën e zhvilluar sot. Në përgjigjen e rektoratit thuhet se universiteti pranon uljen e notës mesatare për të vazhduar studimet Master, nga 9 në notën 7. Gjithashtu Rektorati sqaron se pranohet kërkesa për të përfshirë brenda buxhetit edhe ekspeditat e ndryshme, dhe se po punohet për rregullimin e godinës së Universitetit.

Përgjigjia që Rektorati iu ka kthyer studentëve
Ora 12:59
Qytetarët iu shpërndajnë bukë, studentët: Do përshkallëzojmë aksionin, protestë edhe gjatë natës

Qytetarë të ndryshëm janë solidarizuar me protestën e studentëve si dhe iu kanë ofruar atyre bukë, byrek dhe sanduiça. Protesta ka hyrë sot në ditën e 8-të ndërkohë që studentët paralajmërojnë se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, atëherë protestat e tyre do të përshkallëzohen edhe gjatë natës.

Qytetarët duke iu dhënë bukë protestuesve
Ora 12:38
Protesta e studentëve/ I bie të fikët një protestueseje, transportohet me ambulancë (VIDEO)

Një nga studentet e pranishme në protestën para ministrisë së Arsimit ka humbur ndjenjat. Studentja është transportuar me autoambulancë në spital, dhe mësohet se i është dhënë ndihma e parë dhe se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ora 12:32
Mbyllet protesta edhe në Shkodër/ Gjesti human i kamerierit, ofron çaj për protestuesit (VIDEO)

Përveç deklaratave dhe kauzës për të cilën studentë të Universitetit të Tiranës dhe rretheve, një gjest human ka ndodhur sot në protestën e studentëve në Shkodër. Një kamerier i këtij qyteti, që punon prej më shumë se 17 vitesh, iu ka ofruar çaj studentëve. Mesa duket qytetarët shkodranë janë në mbështetje të kauzës së studentëve.

Ora 12:26
Mbyllet protesta në Gjirokastër dhe Korçë/ Studentët: Greva s’është një opsion, nuk jep zgjidhje

Mbyllet protesta e studentëve në qytetet Korçë e Gjirokastër. Të rinjtë kanë protestuar disa orë në rrugët kryesore të qyteteve, ndërkohë që të pyetur nga Report Tv, të rinjtë e kanë përjashtuar grevën e urisë si opsion, pasi sipas tyre kjo nuk është një zgjidhje.

“ Greva nuk është një zgjidhje. Do të bllokojmë rrugët. Duam të drejtat tona. Nuk pranojmë dialog.”-janë shprehur të rinjtë.

Ora 12:15
Vijon protesta e studentëve, pankartat dhe fotot pikante

Studentë të disa universiteteve janë mbledhur, prej orës 10, përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa me ta janë bashkuar edhe gjimnazistë të disa gjimnazeve të kryeqytetit që kanë braktisur procesin mësimor. Protesta të studentëve po zhvillohen edhe në disa rrethe. 

Ora 12:11
ME FOTO/ Protesta para Ministrisë së Arsimit, shfaqet sërish Sali Lushaj, këtë herë si student

Në protestën ‘jopolitike’ të studentëve nuk mungon edhe…Sali Lushaj. Nuk kish si të ndodhte ndryshe. Si në çdo protest që bëhet në Tiranë, nuk mund të mungojë personazhi më ‘karizmatik’ i manifestimeve politike.  Bëhet fjalë për Sali Lushën, ish-truprojën e Sali Berishës, kur ishte president.  Lushaj është fotografuar në mes të turmës së studentëve që prej 8 ditësh kanë si parrullë kryesore ‘Jo politikë’.

Sali Lushaj në protestën e studentëve
Ora 11:43
Protesta e studentëve, reagon Basha: Të shfuqizohet ligji, të dyfishohet buxheti për arsimin e lartë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për protestën e studentëve në Tiranë. Basha thotë se ndryshimi duhet të nisë me shfuqizimin e ligjit për arsimin e lartë si edhe me dyfishimin e buxhetit për arsimin.

Basha shkruan në Twitter:

Ndryshimi në arsimin e lartë fillon me shfuqizimin e ligjit të arsimit të lartë dhe dyfishimin e buxhetit të arsimit. Të hiqen paratë e qytetarëve nga koncesionet plaçkitëse të check-up-it, të incineratorëve me pronarë të fshehur, të rrugëve me kosto 10 fish sa në SHBA.

Ora 11:36
Rama i ftoi në Kuvend, studentët: Vendi ynë është këtu, ultimatumet i vendosim ne

Pak minuta pasi kryeministri Edi Rama deklaroi se është dakord në parim me 8 kërkesat e studentëve, por se për t’u plotësuar këto kërkesa duhet dialog.Një nga studentët e Universitetit “Fan S.Noli” në Korçë ka thënë se nuk pranohet nga studentët ftesa e Ramës për t’u ulur dhe për t’u dialoguar.Studentët kanë thënë se vendi i tyre është në rrugë dhe jo në sallën e Kuvendit: “Jemi ne që duhet të vendosim ultimatume jo Rama. Nuk pranojmë, vendi ynë është këtu. Ky është akumulimi i shumë pakënaqësi. S’kemi frikë nga politika. Protesta, jo politike.”-u shpreh njëri nga studentët.

Ora 11:17
Rama: Jam dakord në parim me 8 pikat e studentëve, por duhet dialog për ta konkretizuar

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në kohën kur para Ministrisë së Arsimit po zhvillohet protesta e studentëve. Rama thotë se është i gatshëm të nisë procesin e dialogimit me studentët qoftë edhe në sallën e Parlamentit, por nuk harron t'ju dërgojë studentëve një tjetër mesazh: Kujdes nga ndërhyrjet politike. 
''Kujdes nga kushdo ju mëson t'u jepni ultimatume atyre që ju shtrijnë dorën e bashkëpunimit, sepse ju mëson si të bëheni humbës në jetë! Ndërsa kush kujton se një qeveri mund të kuptojë gjuhën e ultimatumeve, ndërkohë që vetë qeveria flet me gjuhën e Dialogut, e ka gabim. Nëse ju keni lënë mësimin për ta bërë universitetin më të mirë, bujrum të ulemi dhe të fillojmë punën bashkarisht për këtë qëllim pa humbur kohë. Çfarë presim? (....)

''Unë ju pres në çdo orë që të doni dhe jam gati të punoj me ju, jo për t'i dhënë përgjigje pozitive 8 pikave po e po, por për ta kthyer këtë moment, në çeljen e një faze të re transformimesh për universitetin. (...)

''Ju jeni 10 mijë, studentët në Shqipëri janë 140 mijë. Ju flisni dhe s'doni të dëgjoni, unë i dëgjoj të gjithë dhe dua të flas edhe me ju. Ju keni 1 pikë pastaj bëhen 4 pika dhe më pas shkojnë 8 pika, ndërsa unë kam më shumë se 8 pika. Në parim jam dakord me pikat tuaja, por secila prej tyre duhet zbërthyer dhe kthyer në një politikë financimi, investimi apo administrimi. E kjo nuk bëhet si gjëagjëzë në distancë, po si produkt i punës së përbashkët me laps e me letër (...)'' (Lexo të plotë reagimin)

Ora 11:03
PD ‘rrëmben’ protestën në Durrës, iu paguan biletën studentëve/ Në krye të tyre aktivistja demokrate

Protesta e studentëve të universitetit “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit duket se është marrë në dorëzim nga drejtuesit e PD në këtë qytet. Në krye të protestës së studentëve është Jola Hysaj, ish-lektore në këtë universitet, aktiviste e PD në Durrës. Shqiptarja.com ka mësuar se PD ka paguar edhe biletën e studentëve që janë nisur nga Durrësi drejt Tiranës. Prej ditësh PD dhe LSI janë mobilizuar në protestën e studentëve. Përditë, militantë dhe anëtarë të dy partive janë shfaqur në protestë nën ‘jelekun’ e studentit protestues. (LEXO KËTU)

Ora 10:53
Indinjata e ‘Body-gardit’ të Kryemadhit në protestën e studentëve: Jemi të ngopur me politikë, s’ka dialog dhe negociata (VIDEO)

Sekretari i Burimeve Njerëzore për LRI, Gaetano Doçi i njohur për mediat si ‘Bodyguard-i’ Monikës (lexo këtu) është bërë aktiv sërish sot në protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit. I ulur në tokë në shenjë proteste, i pyetur nga gazetarja e Report Tv, Klesiana Omeri mbi arsyet e protestës dhe vijimin e aksionit të studentëve, Doci tha se shqiptarët janë të lodhur nga kjo klasë politike, që sipas tij, në 28 vite nuk kanë realizuar asgjë për arsimin.

Kur qeveria të marrë përgjegjësitë e saj, s’ka më kthim pas. S’ka dialog dhe as negociata, ka vetëm plotësim të kërkesave. Në 28 vite jemi të ngopur me politikë dhe qeveri të korruptuara. Pikat tona duhet të plotësohen me çdo kusht, kemi pikat tona para orës 16:00. I bëj thirrje kryeministrit të plotësojë pikat tona. 

Gaetano Doci, sekretar i Burimeve Njerëzore në LRI

Ora 10:49
Gjirokastër/ Studentët dëbojnë anëtarët e FRESSH nga protesta: Turp, turp

Të rinjtë e Gjirokastrës kanë dëbuar nga protesta e sotme të rinjtë e forumit të FRESSH, Forumit Rinor të Partisë Socialiste.

Me thirrjet: “Turp, turp”, studentët duket se nuk pranojnë të tjerë të rinj në protestë.

Ora 10:33
Pamje nga lart/ Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit, thirrje: E duam Shqipërinë si gjithë Europa

Shqiptarja.com sjell pamje nga protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit. Sic shihet edhe në foto, pjesëmarrja e studentëve në protestë vijon të jetë e lartë si në ditët e tjera, ndërsa sot theksojmë se protestës i janë bashkuar edhe gjimnazistët. Studentët vazhdojnë të thonë se gjithë Shqipëria është me ta: E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Gjithë Shqipëria është me ne!

Ora 10:16
Pikante nga protesta/ ‘Të q*fsha negociatën’, pankartat e studentëve në protestën e sotme (FOTO)

Studentët vazhdojnë të jenë kreativë në krijimet e fotomontazheve në protestën e tyre që sot kulmon në ditën e 8-të. Shqiptarja.com sjell disa nga pankartat më pikante që po mbajnë studentët në protestë, ku spikatin krijimet me personazh kryesor ministren e Arsimit, Lindita Nikolla.  Por nuk kanë munguar pankartat me fjalë ofenduese, ku në disa prej tyre dallohet indinjata dhe gjuha vulgare e përdorur nga disa prej studentëve.

Ora 10:03
Foto/ Studentët iu hedhin në tokë vezët gjimnazistëve, i mbledh qytetarja: Janë blerë me lekë

Gjimnazistët e Tiranës kanë shkuar të ‘pajisur’ me vezë në protestën që do të zhvillohet sot tek Ministria e Arsimit. Ata kishin blerë vezë por kanë qenë studentët ata që i kanë hedhur përtokë kutitë e vezëve. Siç shihet edhe në foto ka qenë një qytetare që ka mbledhur kutitë e vezëve të hedhur përtokë dhe iu ka thënë: Pse i hidhni përtokë, janë blerë me lekë! Ndërkohë që protestuesit vazhdojnë me thirrjet: Gjithë Shqipëria është me ne! Protesta do të vazhdojë derisa të plotësohen të 8-ta kërkesat.

Qytetarja duke mbledhur vezët e hedhura në tokë nga studentët
Ora 09:50
Protesta e studentëve në Tiranë/ Marshim duke kënduar drejt MASR, bashkë me ta edhe gjimnazistët

Studentët e Fakulteteve kryesore në Tiranë janë mbledhur në sheshin Nënë Tereza për të marshuar drejt Ministrisë së Arsimit. Studentë të Fakultetit të Gjeodezisë, Shkencave Sociale, Ekonomikut, dhe Mjekësisë me pankarta në duar ku shkruhet: “Tarifa më të ulëta, duam kushte më të mira”, studentët pritet të mblidhen tek MASR ku do të qëndrojnë deri në orën 16:00, që është edhe afati i fundit i vendosur prej tyre për pranimin e 8 kërkesave nga qeveria. Studentët e Akademisë së Arteve kënduan himnin kombëtar dhe luajtën me vegla muzikore në shenjë proteste. Një nga protestuesit është shprehur: Do protestojmë derisa të plotësohen kërkesat tona.

Ora 09:45
Pamjet nga lart, studentët e Universitetit Bujqësor nisin marshimin drejt protestës te Ministria e Arsimit

Këto janë pamjet kur studentët e Universitetit Bujqësor nisen nga Kamza për te protesta para Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Ora 09:33
Sot dita e tetë e protestës, nis marshimi i studentëve drejt Ministrisë së Arsimit ( FOTOT)

Ka nisur në Tiranë marshimi i studentëve për në protestën para Ministrisë së Arsimit.

Ora 09:13
Protesta në Tiranë/ Studentët bllokojnë rrugën e Elbasanit, masa të shtuara sigurie

Ka nisur grumbullimi i studentëve në disa nga pikat kryesore në Tiranë. Studentët e Shkencave Sociale dhe Fakultetit Ekonomik kanë marshuar në Rrugën e Elbasanit duke bllokuar qarkullimin në një nga arteriet kryesore të lëvizjes në kryeqytet.

Me pankartën: Kërkesat tona të panegociueshme, studentët kanë bllokuar rrugën dhe po marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit. Shqiptarja.com ka mësuar se në Tiranë janë vendosur masa të shtuara sigurie për të garantuar mbarëvajtjen e protestës.

Ora 09:06
Protesta e studentëve në Tiranë, organizim paralel edhe në rrethe

Paralelisht me protestën e studentëve që do të zhvillohet në Tiranë sot në orën 10:00, studentë të Universiteteve në rrethet Shkodër, Gjirokastër, Korçë, Vlorë, Elbasan, Durrës dhe Sarandë po protestojnë në rrethe, ndërkohë që disa autobusë nga këto qytete janë nisur drejt Tiranës për të protestuar.

Protestës i janë bashkuar edhe gjimnazistë. Protestuesit kanë marshuar në rrugë si edhe kanë bojkotuar orët e mësimit.

 

Ora 09:02
Studentë nga Durrësi dhe Elbasani nisen në Tiranë, gjimnazet bojkot mësimit në Gjirokastër

Studentë nga qyteti i Durrësit dhe Elbasanit janë nisur drejt Tiranës për t’ju bashkuar protestës së studentëve. Gjimnazistët e Elbasanit ndërkohë kanë bojkotuar mësimin për të qenë në mbështetje të studentëve. Bojkot të orëve të mësimit ka patur edhe në Gjirokastër. Në Gjirokastër kanë qenë studentët që kanë shkuar në 4 shkollat e mesme të qytetit dhe kanë apeluar për bojkot.

Ora 08:47
Gjimnazistët e Tiranës bojkotojnë mësimin, i bashkohen protestës së studentëve (VIDEO)

Gjimnazistët e Tiranës i janë bashkuar protestës së studentëve. Gjimnazistët e ‘Sami Frashërit’, Qemal Stafës, dhe disa shkollavë të tjera të mesme në vend kanë bojkotuar mëngjesin e sotëm mësimin duke iu bashkuar protestës së studentëve. Gjimnazistët kanë bllokuar edhe rrethrrotullimin te Zogu i Zi dhe po marshojnë drejt MASR për t’ju bashkuar studentëve.

Ora 08:20
Studentët nga Vlora dhe Gjirokastra nuk i bashkohen protestës në Tiranë, organizime në Shkodër e Korçë

Studentët e Gjirokastrës dhe Vlorës, nuk i janë bashkuar protestës së studentëve që pritet të zhvillohet ditën e sotme para Ministrisë së Arsimit. Shqiptarja.com ka mësuar se studentët e Universitetit ‘Eqerem Çabej’ në Gjirokastër, ‘Ismail Qemali’ në Vlorë, nuk do t’i bashkohen protestës në Tiranë. Nga këto qytete nuk ka organizim për t’ju bashkuar protestës, ndërkohë që deri më tani nga Shkodra dhe Korça janë nisur një grup studentësh për t’ju bashkuar protestës në Tiranë. Nga Korça janë nisur rreth 40 studentë, ndërkohë që në këtë qytet pritet të protestojnë edhe gjimnazistët në shenjë solidariteti me protestën që do të zhvillohet paralelisht në kryeqytet.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fatmiri: 11/12/2018 15:21

    Aman a ma tregon dot njeri ca lidhje la ky lusha me arsimin qe del aty

    Përgjigju
  • Liku: 11/12/2018 13:42

    Eshte hera e pare qe shoh nje levizje studentore jasht politikes. Dhe un kam organizu protesta. Por ama ishin politike. Tani me vjen peshtire qe isha pjese e ketij llumi politik. Rama dikur propogandote se eshte faji i sistemit dhe ne e besuam. Genjej se pati koh te fillote te ndryshote sistemin. Por sot ai eshte pjese e llumit politik. Bir i sistemit te kaluar. I uroj suksese protestes. Ta shporrin kete klase qe ne nuk mujtme.

    Përgjigju
    • Granit: 11/12/2018 18:08

      O Liku topja. Kjo levizje eshte e sponsorizuar nga qarqet me te errta te politikes nga ato qarqe qe vota popullore I hodhi ne grope. A I sheh fantazmat e urritura per gjak si levizin mes turmes si Saleh Lushaj dhe kokpalare te tjere tropojane dhe te leshelise.

  • toni: 11/12/2018 12:45

    thuaju me ze qe i plotesova kerkesat,se po ua plotesove me te shkruajtur gjysma e tyre sdin te lexojn dhe protesta vazhdon...

    Përgjigju
    • opinion: 11/12/2018 13:34

      shume e sakte

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Lojtari shijakas dërgohet në spital, pse u ndal ndeshja Flamurtari - Erzeni në Kategorinë e Parë

VIDEO/ Lojtari shijakas dërgohet në spital, pse u ndal ndeshja Flamurtari - Erzeni në Kategorinë e Parë