Një protestuese ka përkujtuar Indrit Carën, i njohur ndryshe edhe si ‘Ushtar Kavaja’, gjatë tubimit të sotëm para Kryeministrisë, teksa sot heroi do të festonte 55-vjetorin e tij.

Gjatë fjalës së saj, ajo tha se nëse Cara do të ishte gjallë, ‘sot do të kishim një hero mes nesh’, teksa shtoi se si Cara, ka shumë shqiptarë që ngrihen për të mbrojtur atdheun.

“Shqiptarët nuk janë ngritur vetëm tani. Gjithmonë kanë treguar shpirtin e tyre të lirisë. Sot do të kishim një hero midis nesh, që do të festonte 55-vjetorin e tij. Por vendosi që në lule të rinisë ta japë jetën për çlirimin e Mëmëdheut tonë, pjesës tonë, Kosovës. Ai është Indrit Cara nga Kavaja, i cili sot do të festonte 55-vjeç dhe në lule të rinisë, 28-vjeç dha jetën për Kosovën”, tha mes të tjerash protestuesja.

Por kush është Indrit Cara, heroi nga Kavaja që dha jetën në moshën 28-vjeçare për çlirimin e Kosovës?

Indrit Cara, i njohur ndryshe si "Ushtar Kavaja", ishte një aktivist dhe ushtarak shqiptar që u bë simbol i sakrificës për lirinë e Kosovës gjatë Luftës së Kosovës. Ai lindi më 11 korrik 1971 në Kavajë dhe ra dëshmor më 31 mars 1999 në Malin e Gallushës, në zonën e Pashtrikut.

Indrit Cara u rrit në një familje punëtore në Kavajë dhe ndoqi shkollën e mesme ushtarake "Skënderbej" në Tiranë, të cilën e përfundoi me rezultate të shkëlqyera më 1989. Më pas, ai emigroi në Londër, ku jetoi dhe punoi për disa vite.

Në fillim të vitit 1999, Indrit Cara u kthye nga Londra për të marrë pjesë në Luftën e Kosovës. Pas një përpjekjeje të parë të pasuksesshme për të hyrë në Kosovë përmes Kukësit, ai arriti të kalojë në zonën e Pashtrikut, ku iu bashkua Brigadës 125 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Për shkak të përvojës së tij ushtarake, ai u emërua si komandant në këtë zonë.

Më 31 mars 1999, gjatë një beteje të ashpër në Malin e Gallushës, Indrit Cara ra heroikisht në përpjekje për të mbrojtur një pikë strategjike nga sulmet serbe. Ai u varros me nderime ushtarake në fshatin Negroc.

Pas vdekjes, Indrit Cara u shpall "Dëshmor i Kombit" dhe u nderua me medaljen "Luftëtar i Lirisë – Adem Jashari" nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në vitin 2009.


Lajmi kryesor:

Dështon thirrja për bojkotin e koncertit të Kanye West, qytetarët nuk i përgjigjen protestës kombëtare! Mijëra të rinj në stadium