Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, doli para mediave pak pasi Dhomat e Specializuara dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, duke e cilësuar këtë "një ditë të rëndë" dhe "një ditë të turpit për drejtësinë ndërkombëtare".

Hamza tha se vendimi ka sjellë dhimbje dhe zhgënjim në Kosovë, por theksoi se beteja nuk përfundon me aktgjykimin e sotëm. Sipas tij, procesi vazhdon në Apel dhe PDK do të mbështesë çdo hap ligjor që do të ndërmerret.

Fjala e Hamzës:

Të nderuar gazetarë,

Qytetarë të Kosovës,

Sot është një ditë e rëndë për Kosovën. Një ditë e zezë. Por, është edhe një ditë e turpit për drejtësinë ndërkombëtare.

Aktgjykimi i sotëm ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka sjell dhimbje dhe zhgënjim të thellë tek të gjithë ne.

Një dhimbje e zhgënjim që nuk e kemi pritur.

Mendjet dhe zemrat tona, para së gjithash, sot janë me Hashim Thaçin, me Kadri Veselin, me Jakup Krasniqin e me Rexhep Selimin dhe me familjet e tyre, të cilat për gati gjashtë vjet e kanë bartur peshën e këtij procesi.

Por, të lënduar, të zhgënjyer, të mllefosur jemi edhe ne, të gjithë ne, qytetarët e Kosovës dhe tërë shqiptarët në botë.

Vendimi i shqiptuar sot nuk është bërë në emër të popullit të Kosovës.

Vendimi i shqiptuar sot është bërë kundër popullit të Kosovës, kundër shtetit të Kosovës.

Ne e kemi përcjellë këtë proces me besimin se në fund drejtësia do të mbështetet vetëm në fakte, në prova dhe në përgjegjësi individuale.

Por, sot nuk pamë drejtësi.

Në Hagë sot u godit rëndë rezistenca e popullit tonë.

U fye sakrifica e popullit tonë që luftoi për liri, mbijetesë dhe çlirim nga regjimi shtetëror serb që vrau, dëboi dhe terrorizoi shqiptarët e Kosovës.

Për ne, ky aktgjykim është një padrejtësi e madhe, sepse atje u dënuan ata që rininë dhe jetën e tyre ia kushtuan lirisë.

Kësaj lirie që sot e gëzojmë të gjithë në Kosovë.

Ata katër sot u denuan për gjithçka që është propaganduar për luftën e UÇK-së dhe për evidenca rastesh që janë mbyllur nga UNMIK-u dhe EULEX-i në dy dekadat e pas luftës.

U dënuan edhe sepse e kanë mbrojtur luftën e UÇK-së nga faktorë të jashtëm, që shpeshherë kanë qenë të shtyrë nga vetë regjimi serb për ta shuar rezistencën tonë.

Po ashtu, ai vendim mbështetet edhe në pretendime e materiale që i konsiderojmë të fabrikuara dhe të ushqyera ndër vite nga aparati shtetëror dhe propaganda e Serbisë për ta kriminalizuar luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

U dënuan, ndër tjera, edhe pse ushtarët e UÇK-së kanë ndaluar dhe legjitimuar serbë në zonat e UÇK-së gjatë luftës.

Madje, u denuan edhe për raste që Tribunali Ndërkombëtar i Hagës kishte shpallur pafajësi më herët.

Qytetarë të nderuar,

Ky aktgjykim sot u shqiptua në Hagë. Por historia e Kosovës është shkruar këtu, me sakrificë, gjak dhe luftë për liri.

Dhe ajo nuk rishkruhet sot.

Historia jonë është shkruar nga populli ynë që luftoi për mbijetesë, nga mijëra dëshmorë e martirë, nga qindra mijëra qytetarë të dëbuar prej shtëpive të tyre dhe nga një aleancë historike me botën demokratike që, në vitin 1999, i dha fund represionit dhe spastrimit etnik të regjimit serb në Kosovë.

Ata katër gjatë dy viteve të luftës ishin në koordinim edhe me aleatët tanë dhe sot u denuan edhe këto aleanca.

Sot, qytetarët e Kosovës, janë të lënduar dhe të zhgënjyer nga ky aktgjykim i padrejtë, i cili është një goditje e rëndë për luftën e UÇK-së, lirinë, pavarësinë dhe shtetin e Kosovës.

Nuk ka fat popujsh e shtetesh që ndërlidhet me shumë sesa fati i popullit dhe shtetit tonë me emrat e tyre.

Prandaj, sot të dënuar jemi të gjithë, si popull dhe si shtet.

Sot është një ditë e rëndë për Kosovën. Por sot nuk përfundon as historia, as beteja jonë për të vërtetën.

Procesi juridik nuk ka përfunduar dhe fjala e fundit e drejtësisë ende nuk është thënë.

Nuk është e njëjta gjë të provohet se gjatë luftës janë kryer krime dhe të provohet se katër individë të caktuar kanë pasur një qëllim të përbashkët kriminal për kryerjen e tyre.

Për secilin prej të akuzuarve duhet të provohet, jo vetëm pozita që ka mbajtur, sepse pozita në një strukturë nuk mund ta zëvendësojë provën e përgjegjësisë individuale.

Gjatë këtij procesi janë dëgjuar dëshmi të rëndësishme për strukturën dhe funksionimin real të UÇK-së.

Njerëz që gjatë viteve 1998 dhe 1999 kishin kontakte të drejtpërdrejta me UÇK-në, përfshirë përfaqësues të lartë amerikanë dhe të NATO-s, të cilët kanë dëshmuar për natyrën e decentralizuar të organizimit të saj dhe për kufizimet e strukturës së komandës dhe kontrollit.

Këto dëshmi nuk e përcaktojnë vetvetiu rezultatin e një procesi gjyqësor.

Por ato kërkojnë përgjigje: si janë peshuar përballë konkluzionit se ekzistonte një qëllim i përbashkët kriminal që formulohej dhe zbatohej përmes strukturave të UÇK-së?

Si është përcaktuar autoriteti real i secilit të akuzuar dhe përgjegjësisë së tyre individuale?

Po aq i rëndësishëm është një konstatim tjetër i aktgjykimit të sotëm.

Edhe çështja e dëshmitarëve kërkon vëmendje të veçantë.

Vetë Paneli ka folur për probleme serioze me dëshmitë e disa prej tyre.

Prandaj duhet parë me rigorozitet sesi janë vlerësuar deklaratat e ndryshme, si janë trajtuar kundërthëniet dhe mbi cilat dëshmi janë mbështetur konkluzionet vendimtare për fajësinë.

Në fund, të gjitha këto çështje kthehen te një standard i vetëm: përtej dyshimit të arsyeshëm.

Në të drejtën penale nuk mjafton që një version i ngjarjeve të jetë i mundshëm, apo edhe më bindës se një tjetër.

Kur një njeri dënohet me 13, 18 apo 25 vjet burg, fajësia e tij individuale duhet të jetë provuar përtej dyshimit të arsyeshëm.

Prandaj presim që në Apel të shqyrtohen me rigorozitet të plotë konkluzionet mbi qëllimin e përbashkët kriminal, përgjegjësinë individuale, autoritetin dhe kontrollin real, vlerësimin e dëshmive dhe çdo çështje faktike apo juridike që mund të ketë ndikuar në aktgjykim.

Sepse e drejta e Apelit ekziston pikërisht që një aktgjykim me pasoja kaq të rënda t’i nënshtrohet edhe një herë provës së ligjit, të fakteve dhe të standardit më të lartë të drejtësisë.

Partia Demokratike e Kosovës do të jetë në përkrahje të luftës së drejtë dhe të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Do të jetë në përkrahje të plotë të udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme demokratike dhe ligjore, që kanë të bëjnë me këto proces.


Lajmi kryesor:

Ditë e zezë për Kosovën/ Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së për krime lufte! Nga 25 vite për Thaçin e Krasniqin, rrëzohen akuzat për krime kundër njerëzimit (VIDEO)