Kryegjyshata Botërore Bektashiane në Tiranë, qindra besimtarë të të gjitha moshave u mblodhën për të ndjekur ceremoninë solemne, të udhëhequr nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj. Në fjalën e tij, ai përcolli mesazhe paqeje, duke u bërë thirrje besimtarëve për më shumë dashuri, mirësi dhe harmoni mes njëri-tjetrit.

“Kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi virtytet që na udhëheqin. Për të forcuar lidhjen tonë me Zotin, për të kultivuar dashurinë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. Ky vit ka një domethënie të veçantë për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, pasi kjo ditë përkon me 35 vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës dhe lirisë së besimit bektashi.

Një moment historik që shënon ringjalljen e besimit dhe traditës sonë shpirtërore pas periudhave të vështira. Kjo ngjarje është dëshmi e qëndrueshmërisë dhe punës së përbashkët të brezave, për të ruajtur identitetin dhe vlerat tona. Siç thoshte Haxhi Bektash Veliu ‘ai që nuk e sheh veten në tjetrin, nuk e sheh Zotin në veten e tij’. Kjo tregon se dashuria dhe përkujdesja ndaj të tjerëve, janë pasqyra e besimit tonë të thellë”, tha mes të tjerash Baba Mondi.

Për bektashinjtë, Sulltan Nevruzi shënon një moment reflektimi, shprese dhe ringjalljeje shpirtërore.

“Mbarësi e paqe në të gjithë botën. Jemi në një kohë të vështirë”, tha një qytetare. “Mirësi dhe begati për të gjithë”, thanë qytetarët.

Një nga traditat më domethënëse të kësaj dite është përgatitja e byrekut me 12 lloje barishtesh, që simbolizojnë jetën e re dhe begatinë. Brenda tij vendoset edhe një monedhë, dhe sipas besimit popullor, personi që e gjen do të ketë fat gjatë vitit.

Festimet u zhvilluan edhe në Dibër, Berat dhe Mallakastër dhe kudo ku ka besimtarë bektashinj. Ata kryen rituale fetare, u lutën dhe ndanë ushqime tradicionale, në një atmosferë bashkimi, paqeje dhe solidariteti.

Sulltan Nevruzi këtë vit përkon me 35-vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës dhe lirisë së besimit bektashi. Në Shqipëri filloi të festohej që kur u përhap bektashizmi në shekujt XIV.

Si festohet Sulltan Nevruzi?

Në këtë ditë feste, pihet një gotë qumësht, i cili simbolizon lindjen e një dite të re. 22 marsi konsiderohet nga besimtarët bektashian një ditë e shenjtë. Sot, kjo ditë, përkon dhe 31-vjetori i rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, event ku mori pjesë Nënë Tereza.

Gatimet për festën e Sulltan Nevruzit

Me këtë rast bektashinjtë gatuajnë ushqimet karakteristike, që janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh,(spinaq, lëpjetë, majdanoz, fletë lakre, kopër, gjethe prasi, labot, qepë, oriz, etj). Bimët e tokës simbolizojnë jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë, brenda në byrek futet edhe një monedhë metalike. Pasi është pjekur byreku ndahet nga amvisa e shtëpisë në pjesë dhe më pas i jepet seicilit prej anëtarëve të familjes nga një pjesë. Ai që gjen monedhën në pjesën e tij është me fat. Do të kalojë një vit të begatë e me mbarësi. Gatuhet përshesh me pulë ose mish qengji, qengji i pjekur, sultiash është ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite, sepse përbëhet nga qumështi, që është simbol i qumështit të nënës, orizi që simbolizon drithërat, bollëkun dhe sherbeti që merret i kënduar në teqe, gjithashtu në disa raste gatuhet edhe kabuni (me oriz, lëng mishi, sheqer, rrush të thatë dhe arra).

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:39
Sulltan Nevruzi në teqenë e Bllacës në Dibër kremtohet me ritualet fetare, moment bashkimi e harmonie për besimtarët

Sulltan Nevruzi festohet edhe në teqenë e Bllacës në Dibër, një nga vendet ku besimtarët mblidhen çdo vit për këtë ditë të shenjtë.

Në teqenë e Bllacës, besimtarët kryejnë rituale fetare, bëjnë lutje dhe ndajnë ushqime tradicionale në një atmosferë bashkimi dhe harmonie.

Zona e Dibrës njihet për ruajtjen e traditave bektashiane dhe festa e Sulltan Nevruzit aty merr një dimension të veçantë kulturor e fetar, ku përveç aspektit shpirtëror, shërben edhe si moment bashkimi për komunitetin.

Në këtë ditë, teqetë si ajo e Bllacës kthehen në vende pelegrinazhi për shumë besimtarë nga e gjithë zona dhe më gjerë.

Fjalën e rastit në mungesë të Baba Halil Currit i cili ndërroi jetë në shkurt të këtij viti, e mbajti sekretari i kësaj teqeje Bektash Jangulli i cili përshëndeti të pranishmit.

Ora 15:11
Simbol shprese e ringjalljeje, Berati feston Sulltan Nevruzin

Besimtarët e Beratit kanë festuar sot Sulltan Nevruzin, një nga ditët më të rëndësishme për komunitetin bektashian.

Ceremonia u organizua nga Tarikati islam Rifai, nën drejtimin e Sheh Ali Xhemil Hoxha dhe mblodhi dhjetëra besimtarë, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore, forcave politike dhe komuniteteve të tjera fetare.

Gjatë aktivitetit u mbajtën ligjërata fetare mbi jetën dhe veprën e Imam Ali, ndërsa u theksua rëndësia e kësaj dite si simbol i shpresës, ringjalljes dhe fillimit të ri.

Sulltan Nevruzi përkon me ditëlindjen e Imam Aliut dhe shënon nisjen e vitit të ri sipas traditës bektashiane.

Sipas Sheh Ali Xhemil Hoxhës, kjo festë bashkon besimtarët dhe përcjell mesazhe paqeje, harmonie dhe solidariteti.

Në përfundim të festimeve, familjet kremtojnë në shtëpitë e tyre, ndërsa të nesërmen shpërndajnë ndihma për njerëzit në nevojë, duke vijuar kështu një traditë të hershme të kësaj dite të shënuar.

Ora 11:38
Dita e Sulltan Nevruzit, Baba Mondi nga Kryegjyshata e Bektashinjve: Mundësi për të reflektuar mbi virtytet që na udhëheqin! Dashuria ndaj tjetrit, pasqyra e besimit tonë

 

Kryegjyshi Botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj (Baba Mondi) ka mbajtur një fjalë ditën e sotme nga ambientet e Kryegjyshatës, për ditën e Sulltan Nevruzit.

Gjatë fjalës së tij, Baba Mondi tha se kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi virtytet që na udhëheqin.

Po ashtu, Baba Mondi tha se ky vit përkon me 35 vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës dhe lirisë së besimit Bektashi, një moment historik që sipas tij shënon ringjalljen e besimit dhe traditës sonë shpirtërore pas periudhave të vështira.

Duke cituar një fjalë të Haxhi Bektash Veliut, Baba Mondi tha se pasqyra e besimit bektashi është dashuria dhe përkujdesja ndaj të tjerëve.

“Kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi virtytet që na udhëheqin. Për të forcuar lidhjen tonë me Zotin, për të kultivuar dashurinë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. Ky vit ka një domethënie të veçantë për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, pasi kjo ditë përkon me 35 vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës dhe lirisë së besimit Bektashi.

Një moment historik që shënon ringjalljen e besimit dhe traditës sonë shpirtërore pas periudhave të vështira. Kjo ngjarje është dëshmi e qëndrueshmërisë dhe punës së përbashkët të brezave, për të ruajtur identitetin dhe vlerat tona. Siç thoshte Haxhi Bektash Veliu ‘ai që nuk e sheh veten në tjetrin, nuk e sheh Zotin në veten e tij’. Kjo tregon se dashuria dhe përkujdesja ndaj të tjerëve, janë pasqyra e besimit tonë të thellë”, tha mes të tjerash Baba Mondi.