Pranë Memorialit “Nëna Shqipëri” këtë të shtunë u grumbulluan familjarë dëshmorësh dhe veteranësh të Luftës Nacional-Çlirimtarë, por jo të gjithë u lejuan të hyjnë. Teksa kryhej ceremonia shtetërore e homazheve, protokolli nuk lejoi të hynin anëtarë të Partisë Komuniste, dhe as të tjerët që kishin ardhur me vonesë.
Presidenti i Republikës, tha se falë sakrificës së popullit tonë fituam lirinë të cilën duhet ta mbrojmë.
"Guximi, qëndresa dhe gjaku i tyre janë themelet mbi të cilat qëndron liria jonë. Mirënjohja jonë nuk është vetëm kujtesë historike, por detyrim i përditshëm për të mbrojtur lirinë, dinjitetin njerëzor dhe paqen.", shkroi presidenti.
“Me urimin për festën kombëtare të çlirimit, ju uroj të gjithëve një fundjavë të paqtë”, shkroi Rama.
Lënia e komunistëve jashtë portës, nuk pengoi që në ceremoninë shtetërore të kishte simbole të asaj kohe, si ky nderim me grusht që bënë këta veteranë të përzgjedhur për të kryer homazhe bashkë me krerët e shtetit.
Ilir Meta nuk mund të vendoste kurorë me lule, por nga qelia, ai uroi ditën e çlirimit, duke nderuar dëshmorët, para të cilëve u përkulën, veçmas qeverisë, funksionarë të partisë së tij.
Fanatikët e Enver Hoxhës kryen ritualet e tyre të përvitshme, kur të gjithë të tjerët kishin ikur.
Demokratët edhe këtë vit, të bindur se gjermani i fundit ka ikur nga Shkodra më 28 dhe jo më 29 nëntor, nuk e celebruan festën kombëtare.
Dita e Çlirimit të vendit, u përkujtua me një sërë veprimtarish solemne në nder të dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare në mbarë vendin.
Shqipëria u çlirua nga forcat fashiste dhe naziste më 28 nëntor 1944, pas një periudhe pesëvjeçare pushtimi që nisi me agresionin fashist italian më 7 prill 1939. Pas kapitullimit të Italisë në vjeshtën e vitit 1943, vendi ra nën kontrollin e gjermanëve. Lufta për çlirim kulmoi në nëntor të vitit 1944.
Tirana u çlirua më 17 nëntor të atij viti, ndërsa Shkodra dhe zona veriore më 29 nëntor, duke shënuar fundin e pushtimit gjerman në të gjithë vendin.Shqipëria mbetet i vetmi vend në Ballkan që arriti të çlirohej kryesisht me forcat e veta, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit u ndihmuan nga Ushtria e Kuqe.

Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka përkujtuar 81-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë. Ai bëri homazhe në Monumentin Nëna Shqipëri në nderim të Dëshmorëve, nga ku përcolli edhe një mesazh. Blushi uroi në emër të kreut të PL-së, Ilir Meta ditën e çlirimit, ndërsa shtoi se ky përvjetor e gjen vendin të uzurpuar nga një "sekt", duke iu referuar qeverisë.
"Në emër të Presidentit Meta dhe të Partisë së Lirisë, duam t'i urojmë sot të gjithë shqiptarët, Gëzuar Ditën e Çlirimit! Sot përulemi me mirënjohje, me respekt dhe me nderimin më të thellë para të gjithë të rinjve dhe të rejave, nga Mujo Ulqinaku dhe të gjithë ata të rinj, të cilët që ditën e parë të pushtimit të Shqipërisë, kundërshtuan dhe luftuan me armë në dorë bishën nazi-fashiste. Nderojmë Qemal Stafën, Margarita Tutulanin, Vojo Kushin dhe mijra të rinj dhe të reja që në lule të rinisë dhanë jetën në luftë me pushtuesin për t'i rikthyer lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin Shqipërisë.
Për fat të keq, ky përvjetor çlirimi e gjen sot vendin të uzurpuar nga një sekt, i cili jo vetëm ka tradhëtuar vlerat e lirisë, jo vetëm e ka shndërruar Shqipërisë në një vend me të burgosur politik, por dhe në një vend ku më shumë se kurrë të rinjtë dhe të rejat në radhë të parë, duhet të marrin në dorë fatet e tyre për t'i rikthyer njëherë e përgjithmonë lirinë të gjithë shqiptarëve. Ndaj ky është dhe do të jetë misioni i Partisë së Lirisë, t'u rikthejmë lirinë të gjithë shqiptarëve. Lavdi dëshmorëve të Atdheut!", tha Blushi.
Edhe në qytetin e Elbasanit u përkujtua 81-vjetori i çlirimit të vendit. Drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të forcave politike, familjarë të dëshmorëve e qytetarë kryen homazhe në varrezat e dëshmorëve.
Nën ritmet e Orkestrës Frymore të qytetit, u vendosën kurora me lule në shenjë nderimi dhe respekti për të rënët në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.
81-vjetori i çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashist u përkujtua edhe në qytetin e Gjirokastrës.
Në nderim të kësaj ngjarje të rëndësishme, veteranë të luftës, pasardhës të familjeve të dëshmorëve, përfaqësues të institucioneve vendosën kurore me lule dhe bënë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve.
Edhe në Berat është përkujtuar 81-vjetori i çlirimit të vendit. Drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të forcave politike dhe besimeve fetare, familjarë të dëshmorëve, deputetë e qytetarë kryen homazhe në Lapidarin kushtuar Dëshmorëve të Atdheut, në lagjen "Dëshmorët e Kombit".
I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo. Nën ritmet e Orkestrës Frymore të qytetit, u vendosën kurora me lule në shenjë nderimi dhe respekti për të rënët në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.
Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo theksoi rëndësinë e kësaj dite të shënuar, duke e cilësuar "sublime" luftën heroike të dëshmorëve dhe gjakun e dhënë prej tyre për çlirimin e vendit.
Në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare nga qyteti i Beratit kanë dhënë jetën për çlirimin e atdheut 322 dëshmorë.
81-vjetori i çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashist u përkujtua edhe në Lezhë. Në nderim të kësaj ngjarje të rëndësishme, veteranë të luftës, pasardhës të familjeve të dëshmorëve, përfaqësues të institucioneve dhe deputet të Partisë Socialiste vendosën kurore me lule dhe bënë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve.
Kryetarja e Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të tyre në Lezhë, Marte Simoni solli në kujtesë sakrifricën dhe kontributin e të gjithë atyre që dhanë jetën për çlirimin e vendit.
Në aktivitetin e organizuar nga Bashkia Lezhë për 81-vjetorin e çlirimit nuk mori pjesë asnjë përfaqësues i opozitës në këtë qytet.
Një ditë pas festimeve tê Ditës së Pavarësisë, Fieri ka vijuar festimet kuq e zi në kuadër të 29 Nëntorit, Ditës së Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi- fashistë. Në ceremoninë e zhvilluar në orën 10:00, në Varrezat e Dëshmorëve, ishin të pranishëm autoritetet më të larta vendore, deputetë të Partisë Socialiste, pasardhës të familjeve të dëshmorëve, përfaqësues të Drejtorisë Vendore të Policisë dhe të komuniteteve fetare, të cilët vendosën kurora dhe buqeta me lule në obeliskun kushtuar dëshmorëve.
Fjala përshëndetëse u mbajt nga nënkryetari i organizatës së veteranëve të Lanç, Vangjel Ndreko, i cili pohoi se lufta nacional çlirimtare është një pasuri e çmuar e kombit tonë që na lanë të parët dhe duhet ta ruajmë e t’ua përcjellim brezave.
Ndërkohë, në prononcimin e tij për mediat, kryebashkiaku Armando Subashi ka vlerësuar sakrificën e bijve dhe bijave të Fierit që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë që ne gëzojmë sot ndërsa mungesën e opozitës në festime e ka konsideruar si vendim i tyre por ne jemi në anën e duhur, ka thënë Subashi.
"Sot përulemi me respekt të gjithë para heronjve e dëshmorëve të luftës nacional çlirimtare. Është një ndjenjë krenarie për të gjithë ne. Kemi shumë pjesëmarrës, pa dallim moshe dhe padyshim se është tregues i mirë që vlerat e luftës do të përçohen brez pas brezi. Është lavdi e dëshmorëve, e përjetshme e jetës dhe veprës së tyre. Opozita? Duhet të jetë por kjo i takon opozitës.", tha Subashi.
Ndërkohë, për herë të parë homazheve në obeliskun e dëshmorëveiu është bashkuar “Lëvizja Bashkë”. Kreu i degës së Fierit, Elis Baba, tha se merr pjesë si një parti antisistem, ndërsa shtoi se është e rëndësishme që sakrifica e dëshmorëve të nderohet çdo ditë dhe jo me ditë të caktuara historike.
"Ne si përfaqësues të popullit, i ndjejmë festat në realitetin e tyre. Jemi këtu sot si një parti antisistem. për të kujtuar vërtet vlerat e festës së Çlirimit, në emër të bijve të të gjithë Shqipërisë, por edhe të Fierit që kanë dhënë jetën për liri. Kemi ardhur këtu për të kujtuar se këto vlera duhen respektuar edhe në jetën e përditshme, jo vetëm për evente të mëdha, por në punën në përditshmëri, në drejtësinë që i japim komunitetit dhe duke ruajtur sovranitetin territorial, të mos e lëshojmë këtë për vende si Gjadri apo marrëveshje si me Greqinë. ", u shpreh ai.
81-vjetori i Çlirimit të vendit është përkujtuar pranë Varrezave të Dëshmorëve në Lushnje. Të pranishmit kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule në memorialin që simbolizon luftën për çlirim kombëtar.
Homazheve i parapriu kryetarja e bashkisë Eriselda Sefa, deputetët Kiduina Zaka e Elton Korreshi, përfaqësues të forcave të armatosura, efektivë të policisë së shtetit dhe familjarë të të rënëve.
Kryebashkiakja dhe deputetët dhanë mesazhe përkujtimore.
Vlora ka përkujtuar sot 29 Nëntorin, Ditën e Çlirimit të vendit, me një sërë aktivitetesh solemne në nder të dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Në këtë 81-vjetor, qyteti simbol i Pavarësisë dhe një nga qendrat kryesore të qëndresës antifashiste, u mbush me emocione dhe mesazhe mirënjohjeje për sakrificën e brezave që luftuan për lirinë e Shqipërisë.
Përfaqësues të pushtetit vendor, deputetë, veteranë, organizata të shoqërisë civile dhe qytetarë të shumtë morën pjesë në homazhet e mbajtura pranë lapidarit të dëshmorëve, ku u vendosën kurora dhe buqeta me lule në nder të bijve dhe bijave që dhanë jetën në luftën kundër pushtuesve nazifashistë.

Presidenti Bajram Begaj ka uruar 81-vjetorin e Çlirimit të vendit. Në një postim në rrjete sociale, teksa ka ndarë një foto nga homazhet e mbajtura pak më herët te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, kreu i shtetit thekson se mirënjohja ndaj të rënëve nuk duhet të jetë vetëm një kujtesë historike por një detyrim i përditshëm për lirinë e paqen.
"Gëzuar festën e Çlirimit, Shqipëri! Dje, sot dhe përgjithmonë besnikë ndaj të njëjtave vlera. Sot përkulemi me nderim para sakrificës së popullit tonë dhe dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore, që dhanë jetën për lirinë dhe çlirimin e atdheut. Guximi, qëndresa dhe gjaku i tyre janë themelet mbi të cilat qëndron liria jonë. Mirënjohja jonë nuk është vetëm kujtesë historike, por detyrim i përditshëm për të mbrojtur lirinë, dinjitetin njerëzor dhe paqen.", ka shkruar presidenti.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar 81-vjetorin e Çlirimit të vendit. Nga qelia, ku ndodhet prej tetorit të vitit të kaluar, Meta thotë se përulemi me respekt para atyre që luftuan për lirinë dhe vuajtën persekutimin.
“Gëzuar ditën e Çlirimit! Nuk ka liri pa sakrificat më sublime!
Nderim dhe mirënjohje të përjetshme për Dëshmorët dhe Heronjtë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, për bijtë dhe bijat më patriotë të këtij vendi, nga Mujo Ulqinaku e deri te të gjithë ata që luftuan dhe derdhën gjakun për mbrojtjen e Lirisë, Pavarësisë dhe Sovranitetit të Shqipërisë.
Kujtojmë dhe përulemi me respektin më të madh jo vetëm ndaj atyre që ranë për Atdheun, Qemal Stafën, Margarita Tutulanin, Vojo Kushin dhe mijëra të rinj të tjerë, por edhe para të gjithë patriotëve zemërluanë që luftuan për lirinë e vendit dhe më pas vuajtën persekutimin e regjimit totalitar.
Lavdi të përjetshme! “, shprehet Meta.

Kryeministri Edi Rama ka uruar 81-vjetorin e Çlirimit të vendit. Teksa ka ndarë një foto nga Memoriali “Nëna Shqipëri”, kreu i qeverisë ka shkruar:
“Mirëmëngjes dhe me urimin për festën kombëtare të çlirimit, ju uroj të gjithëve një fundjavë të paqtë”.
Postimi i kryeministrit Rama
Komente












Gezuar 29 Nentorin,diten e clirimit,te gjithe shqiptareve! Nuk pyet njeri nese e njeh apo jo PD-ja 29-en,rendesi ka qe e njeh populli,por do te doja qe si feste clirimi te festohej ndryshe!Si sot,si ne 5 maj-dita e deshmoreve festohet njelloj me homazhe,nuk ka dallim.Sot eshte dite e gezueshme,dite clirimi,le te festohet ndryshe,me gezueshem,jo si kur eshte perkujtimore.Nuk pres parada ushtarake si Franca,por dicka festive qe kujton fitoren.Gjithashtu do te doja qe kreret e shtetit te ishin fizikisht te pranishem ne festime sic ishin dje,postimet ne rrjetet sociale nuk mjaftojne!
Përgjigju