Të gjithë myslimanët, në mbarë botën, festojnë sot Fitër Bajramin. Me rastin e kësaj ditë shumë të rëndësishme në kalendarin fetar mysliman, mijëra besimtarë shqiptarë, kryen faljen e namazit në orën 06:40 në “Sheshin Skënderbej”, Tiranë nën drejtimin e Kryetarit të KMSH, Bujar Spahiu.

Kësaj here, mesazhi i kreut të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, iu dedikua të rinjve që të ardhmen e shohin jashtë vendit.

'Motra dhe vëllezër, kujdesuni që Kombi jonë të rritet nëpërmjet virtytit! Secili nga ne e ka detyrë të kontribuojë për të frenuar mpakjen e kombit. Po pakësohemi dita-ditës. Ne që kemi qenë një nga popujt me moshën më të re në Europë po plakemi me ritme shumë të shpejta. Pse duhet të zgjedhim rrugën më të lehtë, braktisjen e vendit, në vend të qëndrimit këtu dhe të forcimit të kombit tonë. Të lindim fëmijët këtu, t’i rrisim këtu në vendin tonë si qytetarë me virtyte dhe të dorës së parë në vend që t’i çojmë si qytetarë të dorës së dytë nëpër botë! Familja është bërthama e çdo shoqërie. Ta forcojmë atë ashtu siç e kemi traditën tonë të shkëlqyer.'- u shpreh Spahiu.

Kreu i KMSH-së në fjalën e tij përshëndetëse rikujtoi edhe shënjimin e 100-vjetorit të themelimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

‘Ka qenë një rrugëtim i mundimshëm, por i bukur. Unë personalisht dhe institucioni që drejtoj, jemi krenarë për historinë tonë. Jemi krenarë për paraardhësit tanë në këtë shekull. Ne i kemi dhënë dhe vazhdojmë t’i japim kësaj shoqërie, këtij kombi vlerat më të larta e më të sinqerta.  Falë besimtarëve dhe drejtuesve të besimeve në Shqipëri ne i kemi kontribuar këtij kombi një nga vlerat me të cilat krenohemi të gjithë, kudo, harmoninë dhe dialogun ndër fetar. I tillë do të vazhdojë ky kontribut edhe në të ardhmen me lejen e Zotit. Për të patur vazhdimësi kjo vlerë e komuniteteve fetare, duhet që çdo komponent i shoqërisë tonë të kujdeset për të mbrojtur meritën dhe ta shpërblejë atë kudo që ajo ndodhet.’- tha Spahiu.

Bajrami u festua edhe në qytetet e vendit, ku besimtarët kryen faljen e namazit. Festimet vijojnë më pas me drekën e Bajramit e më pas me vizita mes miqve dhe të afërmve. Besimtarët myslimanë kremtojnë festën e Fiter Bajramit pas 30 ditëve të agjërimit në muajin e shenjtë të Ramazanit.

Redaksia e Shqiptarja.com dhe e Report Tv urojnë të gjithë besimtarët myslimanë gëzuar Fitër Bajramin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:55
Festa e Bajramit, i riu nga India fal namaz në Tiranë: Po e shijoj Shqipërinë! Lus Zotin të martohem vitin tjetër

 

Mijëra besimtarë myslimanë falën namazin ditën e sotme në sheshin “Skënderbej” pas një muaji agjërimi e sakrificash.

Mes besimtarëve kishte edhe të huaj. Një i ri nga India shpreson që kjo ditë e madhe t’i sjellë mbarësi e t’i japë fund beqarisë.

“Elhamdulilah. Është shumë bukur .Është shumë e mrekullueshme. Është një kohë e shkurtër që jam në Shqipëri dhe po e shijoj. Do të rri këtu deri në dy muaj. Nuk jam i martuar ishallah vitin tjetër do të martohem.’- u shpreh ai.

Ora 08:53
Pamje me dron nga sheshi Skënderbej, Veliaj uron besimtarët myslimanë për Fitër Bajramin: Gëzuar nga Tirana

 

Besimtarët myslimanë kanë falur namazin e ditës së sotme në sheshin Skënderbej. Kryebashkiaku Erion Veliaj ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit duke e shoqëruar urimin e tij me një video me dron ku shihen pamje nga lart të sheshit kryesor të qytetit që është i tejmbushur me besimtarë.

“Gëzuar Fitër Bajramin nga Tirana”-shkruan Veliaj.

Ora 08:52
Kremtohet Fitër Bajrami në Elbasan, besimtarët falen në sheshin ‘Gensher’

 

Pas një muaji agjërim gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarët myslimanë kremtojnë sot festën e Fitër Bajramit.

Ishin të shumtë ata besimtarë të cilët kryen faljen e namazit në orën 06:40 në sheshin “Gensher ”, nën drejtimin e Myftiut Agim Duka, i cili përcolli për të pranishmit urimet dhe mesazhin  e kësaj dite gëzimi për të gjithë besimtarët myslimanë .

Sipas besimit mysliman, kjo ditë, është ajo në të cilën Zoti shpërblen besimtarët për gjithë sakrificën e tyre gjatë muajit të Ramazanit. Ky shpërblim, vjen në formën e paqes shpirtërore dhe faljes së mëkateve.

Kremtimet e Fitër Bajramit zhvendosen në familje ku konsumohet dreka sigurisht që prania e mishit është e padiskutueshme në një tryezë feste në Shqipëri.

Ora 08:48
Besimtarët myslimanë në Lezhë festojnë Fitër Bajramin , namazi falet në xhaminë e qytetit

 

Pasi kanë përmbyllur 30 dite agjërim të muajit të Ramazanit, besimtaret mysliman në Lezhë kanë festuar festen e Fitër Bajramit. Falja e namazit është kryer në orët e para të mëngjesit në xhaminë e qytetit, ndërsa gjatë paradites autoritetet lokale dhe përfaqësues politik zhvilluan vizita pranë myftinisë duke uruar festen e Fitër Bajramit.

Myftiu i Lezhës Sadedin Kotrri, në fjalën e tij tregoi rëndësinë e kësaj feste, duke kujtuar të gjithë ata që agjëruan për 30 ditë.

Të shumtë ishin besimtarët lezhjane që pas 30 ditëve agjërim ju drejtuan mëngjesin e sotëm xhamisë së qytetit për faljen e namazit, ku për shkak të pjesëmarrjes së lartë një pjesë e besimtareve u detyruan ta falin namazin në pjesën e jashtme të xhamisë.

Ora 08:37
Festohet Fiter Bajrami në Vlorë, besimtarë falen në sheshin para xhamisë së Plumbit

 

Pas agjërimit të muajit të Ramazanit, besimtarët myslimanë  festojnë sot festën e Fitër Bajramit.

Në Vlorë, rreth orës 7 të mëngjesit besimtarët myslimanë kanë falur namazin në sheshin para xhamisë së Plumbit. Ceremonia e faljes është drejtuar nga kreu i myftinisë së Vlorës, Armand Asllani,i cili ka përcjellë mesazhin për më shumë  paqe dhe respekt ndaj njëri tjetrit.

Sipas myftiut Asllani ,kjo festë simbolizon sakrificën ndaj Zotit, prandaj kërkohet më shumë dashuri midis njerëzve .

Pas kryerjes së ritit të faljes së namazit të Fiter Bajramit, besimtarët uruan njëri- tjetrin për më shumë begati në familje.

Ora 08:15
Festohet Fitër Bajrami në Korçë, besimtarët urojnë për më shumë mbarësi e begati

Qindra besimtare myslimanë mëngjesin e kësaj te premte u mblodhën për të falur namazin e festës së shenjtë të Fitër Bajramit.

Ceremonia ka nisur rreth orës 06:40 minuta në sheshin e xhamisë Iljaz Bej Mirahori.

Pas faljes besimtarët uruan njëri-tjetrin për sa më shumë mbarësi, begati dhe shpresa në familjet e tyre.

Atmosfera e festes ndihej dhe ne Xhaminë “Ebu Beker” ne Pogradec, ku mijëra besimtare falen namazin e Bajramit!

Ora 08:08
Besimtarët myslimanë në Lushnjë festojnë Fiter Bajramin, falin namazin në sheshin e qytetit

 

Besimtarët myslimanë në Lushnjë kanë falur namazin e Fitër Bajramit në sheshin kryesor të qytetit.

Pas agjërimit një mujor besimtarët tejet të shumtë në numër janë falur këtë mëngjes teksa faljen e drejtoi imami i xhamisë Lushnje ndërsa pas faljes fjalën përshëndetëse e mbajti myftiu i Lushnjës Gramos Blliku.

Ora 08:05
Kremtohet Fiter Bajrami në Kukës, falja bëhet në Xhaminë e Madhe të qytetit

 

Besimtarët myslimanë festojnë festën e Fitër Bajramit. Festë kjo që vjen pas Muajit të shenjtë të Ramazanit.

Në Kukës, ceremonia kryesor është mbajtur në Xhaminë e Madhe të Qytetit. Myftiu i Kukësit Islam Hoxha, pas faljes së namazit të Fiter Bajramit ka uruar besimtarët.

Mesazhe urimi dhanë edhe qytetarët pas faljes së namazit të Fitër Bajramit.

Kjo festë pason muajin e Ramazanit, i cili filloi më 23 mars dhe u përmbyll më 20 prill. Traditë në festën e Fitër Bajramit janë vizitat nëpër familje mes të afërmve dhe miqve.

Ora 07:49
Festohet Fitër Bajrami në Berat, besimtarët falën namazin në pedonalen e qytetit

 

Edhe në Berat është festuar Bajrami i Madh. Falja e namazit të Fitër Bajramit u krye në pedonalen e qytetit Beratit. Besimtarët mysliman të cilët agjëruan  për një muaj rresht.

Në faljen e Bajramit morën pjesë dhe vajza burra gra por edhe fëmijë. Të pranishëm në faljen e mëngjesit edhe pushtetar si dhe kryetar qarkut e deputet. Falja u drejtua nga hoxhë Ferbent  Dura i cili uroi besimtarët mysliman për paqe dashuri mirësi.