“Vallja dyshe myzeqare është një valle autoktone e krahinës së Myzeqesë, një ndër më të mëdhatë të trojeve shqiptare. Është një valle që vjen nga mijëvjeçarët. Ajo na tregon marrëdhëniet dhe lidhjet e popullit të Myzeqesë me tokën. Ndaj quhet dhe “Vallja e tokës”.
Kështu e përkufizon studiosi Maksim Zarka një ndër dy vallet e traditës myzeqare. Vallja dyshe e burrave dhe Vallja e Ngjalës janë shpallur vlerë kombëtare e trashëgimisë kulturore jomateriale. Kjo u arrit pas aplikimit të bërë nga Bashkia e Lushnjës në Ministrinë e Kulturës dhe një pune gjashtëmujore për përgatitjen e dokumentacionit. Ky vendim i ekspertëve në Ministri i hap rrugën edhe aplikimit për në UNESCO.
Vallja Dyshe Myzeqare është ndër më të ndërlikuarat e zonës, me mbi 200 elemente lëvizjeje, ndërsa Vallja e Ngjalës është rituale, shumë e vjetër me formacione karakteristike.
“Vallja dyshe myzeqare nëpërmjet çdo veprimi tregon diçka” shprehet Arben Byzyka, valltar në Ansamblin Folklorik “Myzeqeja” në Fier.
Valltari më i vjetër i këtin Ansambli Kujtim Senka tregon se si trajtë vallja dyshe e burrave fillon me “të shtruarën” dhe mbyllet me “kthesën” siç emërtohet nga vendasit pjesa e dytë e saj.
Valltarët në fillim ecin lirshëm e ngadalë drejt njëri - tjetrit, dhe me t’u kapur gisht për gisht turren me vrull përpara, e qëndrojnë 4-5 hapa më tutje gjysmë të përkulur e me një të lehtë të gjurit ku mbështeten, ndërkohë që këmba tjetër ka dalë në të njëjtën kohë përpara tyre me thembrën e vendosur në tokë. Këtu fillon vallja dyshe.
Interesant është fakti se valltarët sa nisin vallen marrin një shprehje hijerëndë e të menduar. Ata ndjekin me kërshëri lëvizjet e shputës së këmbës para tyre që dridhet lehtas djathtas e majtas me lëvizje gjarpëruese njëlloj si lodhja, brenga dhe vuajtjet që u rëndojnë myzeqarëve mbi supe.
Toka është obiekti kryesor për të cilën në këtë valle është ngritur pa fjalë një rit dashurie i pafund. Lëviz e merr frymë e pastaj gjallërohet si vetë toka nę pranverë. Toka është ajo që myzeqari me aq kënaqësi e përkëdhel pas vetes, i gëzohet bereqetit të saj.
Ai i frikësohet rrëmbimit të tokës dhe është ajo për të cilën luftojnë në pjesën e dytë të valles duke e mbrojtur me dyluftimin e tyre aq të çuditshëm koreografik.
“Vallja dyshe myqeqare ka një karakter burrëror e luftarak” thotë valltari Senka dhe kudo ku është prezantuar në festivale kombëtare e ndërkombëtare ka magjepsur publikun dhe është nderuar me një sërë çmimesh.
Ndërkohë për valltarin e 4 dekadave Arben Byzyka vallja dyshe myzeqare është një valle magjike ku fustanellat e valltarëve fluturojnë lehtë.
“Drithërima e këmbës shoqërohet me krahun hark e shikimin përpara drejt sa kërcimtari mendon të zgjedhë me kujdes vendin ku do të vendosë këmbën” shpjegon ai.
Çdo lëvizje nuk ka kuptim pa kostumin tradicional të myzeqesé nën tingujt virtuozë të klarinetës dhe lëvizjeve të defit.
Ndërkohë fluturimi në ajër dhe përplasja fort e këmbës në tokë duket sikur do të thotë” Ejj ne jemi bijtë e kësaj toke dhe këtu do të qëndrojmë gjithmonë.
Kjo valle dhe Vallja e ngjalës janë të trashëguara brez pas brezi nga gurra popullore burimore, falë punës këmbëngulëse të bashkisë Lushnje dhe ministrisë së kulturës janë shpallur trashëgimi kombëtare.
Dokumentacioni i plotë për këto dy valle do të dërgohet në UNESCO për të marrë statusin e trashëgimisë jomateriale botërore.
“Ekzistojnë dhe janë mbledhur të gjitha faktet historike që këto valle të trevës së Myzeqesë, të marrin këtë status.” shprehet drejtori i muzeut historik të Lushnjes z. Niko Ferro.
Dëshmi të dokumentura të vallës dyshe na sjellin vëllezërit korçarë, Kostandin e Terpo Zografi. Ata kanë pikturuar në murin jugor të bazilikës së Libofshës në Myzeqe një moment nga kërcimi i Vallës Dyshe Myzeqare.
“Madje do të thosha me bindje se është i vetmi afresk në tërë trojet shqiptare që na jep një moment valleje burrash. Hedhja me penel në afresk i “Valles Dyshe Myzeqare” brenda një objekti kulti të krishterë me emrin Shën Gjergj, na jep të drejtën të themi me gojën plot, se kemi një dëshmi të qartë mbi shenjtërimin e kësaj perle shpirtërore të popullit myzeqar. Dhe dihet, kur diçka shenjtërohet, ajo është e bekuar nga zoti dhe e pavdekshme.” shprehet studiuesi Maksim Zarka
Aqif Senka valltar i ansamblit “Vaçe Zela” në Lushnje tregon se për herë të parë i ka kërcyer këto valle në moshën 14-vjeçare në vitin 1958, të trashëguara nga gjyshi dhe babai i tij. Edhe sot në moshën 82 vjeçare e ndjen veten të aftë t’i interpretojë ato.
“Më vlon zemra e nuk mund ta le kërcimin.” thotë ai.
Drejtuesi i grupit folklorik “Vaçe Zela” në Lushnje, njëkohësisht valltar, zoti Novruz Xhaferri pohon se prej 45 vitesh interpreton këto perla të zonës së Myzeqesë duke fituar mbi 80 çmime kombëtare e ndërkombëtare si grup dhe personale.
Për valltarin tjetër, Sako Murati, fitues i shumë çmimeve, ky është një amanet i lënë edhe nga Vaçe Zela.
“Unë dhe fëmijët vazhdojmë ta ruajmë traditën.” thotë ai.
Trashëgimia te brezat e rinj mbetet një sfidë. Koreografi Halit Baçinozi, thotë se me vështirësi në grupin e valleve janë regjistruar rreth 40 fëmijë të grupmoshës 5- 10 vjeç për të cilët nuk ka qënë e lehtë t’i përshtaten karakterit të vështirë të valles dyshe myzeqare.
“Do t’i bëja thirrje prindërve që fëmijët t’i aktivizojnë sa më shumë me vallen popullore që traditat të mos zhduken.”
Kjo pasuri e çmuar kombëtare duhet ruajtur e pastër dhe pa ndërhyrje me elementë bashkëkohorë të cilët e cënojnë identitetin e saj ka thënë Baçinozi duke u shprehur i bindur se teksa i ka rezistuar pushtimeve të ndryshme ndër shekuj, vallja dyshe myzeqare do vijojë të mbetet pranverë e shpirtit myzeqar.
Komente











