Një nga përballjet më delikate të sezonit në Superligën e futbollit do të zhvillohet sot në Vlorë duke nisur nga ora 19:00, aty ku Flamurtari pret KF Tiranën në një duel direkt për mbijetesë, sfidë kjo që vlen për raundin e 30-të.
Dy skuadrat historike të futbollit shqiptar ndodhen në fundin e renditjes dhe kjo sfidë pritet të jetë vendimtare për fatin e tyre në elitë. Presioni është maksimal për të dyja ekipet që kërkojnë me çdo kusht pikët për të shmangur rënien. Presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi ka motivuar të tijtë duke vendosur 10 milionë lekë (të rinj) premio për 'kokën' e KF Tiranës.
Nga ana tjetër, trajneri i bardhebluve, Orges Shehi e cilësoi takimin si tepër të rëndësishëm dhe një nga shtatë finalet e mbetura deri në fundin e sezonit. Pushimi për ndeshjet e Kombëtares ka ardhur në momentin e duhur për KF Tiranën, pasi skuadra ka rikuperuar disa lojtarë të rëndësishëm si Redon Xhixha dhe Tabekou.
“Pauza e kombëtares mund të na ketë shërbyer deri diku edhe për rikuperimin e Xhixhës dhe Tabekou, për arsyet e dëmtimit që ato kishin. Gjithmonë pauzat janë të programuara dhe nuk mund të japësh definicionin e saktë nëse na ka ndihmuar apo dëmtuar. Sa i përket ndeshjes me Flamurtarin, dihet që është e rëndësishme për ne. Për pozicionin ku jemi, për një kundërshtar që kërkon të bëjë mirë. Janë dy skuadra me histori, që kanë historinë dhe fanellën. I kanë dhënë shumë futbollit shqiptar. Mendoj se mund të jetë ndeshje e luftuar dhe e bukur për t’u parë.
Forma juaj? Gjendja e skuadrës mendojmë që është e mirë, për atë që kanë bërë në stërvitje. Ne luajmë të premte (sot), për shkak se nuk donim të rrezikonim dëmtime, nuk menduam që të bënim një miqësore. Mos të prishnim procesin stërvitor. Pjesa tjetër e skuadrës është gati. Duhet të jemi me kokën e qetë dhe me idenë që çdo ndeshje është finale, duke filluar që nesër. Është moment i rëndësishëm, por jo më vendimtar. Vendimtare janë të gjitha ndeshjet, por duhet t’i marrim një nga një.
Kanë mbetur vetëm shtatë finale. Një nga ato është kundër Flamurtarit, shpresojmë që të marrim më të mirën e mundshme”, tha Shehi për mediet.
Pas 29 ndeshjeve të luajtura, Vllaznia, AF Elbasani, Egnatia dhe Partizani janë për momentin në 'Final 4', mini-turneun që në fund të sezonit të rregullt të lejon të garosh për titullin kampion. Në fund Vora, KF Tirana dhe Flamurtari.
Superliga, raundi i 30-të:
Flamurtari - KF Tirana 3 prill 2026, ora 19:00, stadiumi “Flamurtari”
Egnatia - Bylis, 4 prill 2026, ora 17:00, stadiumi “Arena Egnatia”
Partizani - Vllaznia, 4 prill 2026, ora 17:00, stadiumi “Arena e Demave”
Dinamo - AF Elbasani, 4 prill 2026, ora 20:00, stadiumi “Air Albania”
Vora - Teuta, 5 prill 2026, ora 15:00, stadiumi “KF Vora”
Renditja:
Komente









