A mund të shmangej aksidenti tragjik i autobusit që ndodhi sot në autostradën Tiranë-Durrës? Për ekspertin e sigurisë rrugore Islam Qibini, përgjigjja duhet kërkuar te një kombinim faktorësh: shpejtësia, humbja e kontrollit, një segment rrugor në rikonstruksion dhe mënyra se si monitorohen drejtuesit e mjeteve të transportit publik.

I ftuar në emisionin "Studio Live" në Report TV, eksperti i sigurisë rrugore Islam Qibini analizoi aksidentin dhe renditi elementët që, sipas tij, mund të kenë ndikuar në tragjedi.

Sipas Qibinit, fakti që autobusi u përplas me një forcë të madhe me barrierën metalike tregon se mjeti po lëvizte me shpejtësi të konsiderueshme.

"Shpejtësia e autobusit ka qenë e konsiderueshme, kontakti ka qenë i fuqishëm. Barriera ka përshkuar nga parakolpi deri tek prapakolpi. Edhe drejtuesi në momentin e aksidentit ka qenë me shpejtësi tej normave të lejuara. Shoferi ka dalë jashtë karrexhatës, është spostuar djathtas, nuk është në korsinë që duhej të ishte. Duke dalë jashtë karrexhatës, ai nuk i ka paraprirë aksidentit. Një shofer i aftë duhet të frenonte. Nëse frenat nuk reagonin, atëherë shoferi duhej të reagonte me sistemin e drejtimit duke u spostuar në të majtë. Këtu kemi të bëjmë me një humbje kontrolli", tha Qibini.

Një tjetër element që, sipas ekspertit, duhet marrë në konsideratë është fakti se aksidenti ndodhi në një segment ku po kryhen punime.

"Rruga Tiranë-Durrës ka trafik të rënduar dhe drejtuesit e mjeteve bëhen nervozë dhe qarkullojnë me një shpejtësi mbi normat e lejuara. Kemi një ngushtim, duhet të ketë sinjalistikë vertikale dhe horizontale. Devijimet duhet patjetër të kenë sinjalistikë që të paralajmërohen drejtuesit sa i përket ngushtimit të korsive", tha ai.

Qibini ngriti pikëpyetje edhe për kriteret me të cilat pajisen shoferët me patentë për drejtimin e autobusëve.

"Organet ligjzbatuese duhet të garantojnë që këta shoferë të kenë stazhin e caktuar dhe të shihet koha e marrjes së lejes së drejtimit përkatëse. Aktualisht, në legjislacionin rrugor një drejtues mjeti i moshës 21 vjecc ka të drejtë të drejtojë edhe një mjet publik dhe të pajiset me patentë D1. Në moshën 23 vjeç ai ka të drejtë të drejtojë autobuzë me pasagjerë mbi 16 vende. Duke parë statistikat, patenta e klasit D dhe D1 duhet tu jepet atyre shoferëve që zbatojnë kriteret dhe janë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor, u shpreh eksperti.

Eksperti e lidhi këtë aksident edhe me mungesën e kulturës së qarkullimit në vend.

"Në vendet e BE-së, kemi dallim me vendin tonë. Një drejtues automjeti në BE është i aftë profesionalisht dhe drejton autobuzë brenda rregullave, këtu edukata rrugore lë për të dëshiruar, njerëzit shpërfillin rregullat dhe nuk kanë edukatën të zbatojnë rregullat. Të gjithë bëjnë atë që duan dhe jo atë që duhet. Nuk zbatojnë tabelat rrugore e as nuk ulin shpejtësinë" tha ai.

Qibini u ndal edhe te temperaturat e larta, duke theksuar se ato ndikojnë te përqendrimi i drejtuesve të mjeteve. Madje ai sugjeroi që automjete të tilla të mos qarkullojnë në pikun e vapës.

"Kur temperaturat janë të larta, vëmendja ulet dhe koha e reagimit rritet. Nëse temperaturat janë ekstreme duhet të ketë një VKM ose një udhëzim të Policisë që në pikun e vapës këto mjete të mos qarkullojnë", tha ai.

E ndërsa statistikat tregojnë një rritje të aksidenteve, eksperti kërkon nga organet ligjzbatuese më shumë bashkëpunim sidomos në stinën e verës. 

"Në krahasim me vitin 2025, kemi një rritje të numrit të aksidenteve me pasojë vdekjen. Organet ligjzbatuese duhet të bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë veprimet e tyre, sidomos tani në sezonin veror. Edhe emigrantët duhet të informohen për segmentet rrugore problematike dhe të shmangin përdorimin e alkoolit apo celularit gjatë drejtimit të mjetit", përfundoi Qibini.

Aksidentet rrugore kanë shënuar rritje në Shqipëri. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, muajin e kaluar u regjistruan 133 aksidente rrugore, nga 116 që ishin në maj të vitit 2025. Si pasojë e tyre, 181 persona mbetën të vrarë ose të plagosur, krahasuar me 157 një vit më parë.