Sot është heshtje zgjedhore, ndërsa të dielën 334.539 mijë votues të pesë bashkive do të votojnë për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj. KQZ ka shpërndarë materialet zgjedhore në 5 bashkitë, Vlorë, Berat, Cërrik, Mat, Tepelenë.  Report Tv do të jetë në një transmetim maratonë me lidhje direkte nga gazetarët në terren dhe analizë me të ftuar në studio.

Sipas Kodit Zgjedhor, kur data e zgjedhjeve caktohet në periudhën zgjedhore nga 15 tetori deri më 15 nëntor, qendrat e votimit hapen në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 18:00.

Për mbarëvajtjen e procesit të votimit, Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash. Në 5 bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet, Policia e Shtetit ka marrë në ruajtje 9 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve, si edhe 473 objekte që do të shërbejnë si qendra votimi.

Në total, janë 612 punonjës policie që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve. Policia e Shtetit i bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast që synon të tjetërsojë votën e tyre.

Kjo shënohet si fushata më jo tipike, pasi kandidatët e kanë zhvilluar fushatën e tyre pa protagonizëm politik, dhe as liderët e partive të mëdha, Rama e Berisha, nuk janë shfaqur në asnjë miting apo takim elektoral.

Në Vlorë, numri i qytetarëve me të drejtë vote është afro 172 mijë, në Berat mbi 82 mijë, në Cërrik afro 39 mijë, në Mat 29 mijë ndërsa në Tepelenë, 12 600.

Partia Demokratike dhe opozita zyrtarisht nuk kanë kandidatë të regjistruar në siglën e tyre, por kanë deklaruar mbështetjen për disa emra të cilët janë shpallur si të pavarur, të cilët do të jenë përballë 5 socialistëve por edhe disa emrave të tjera.

Në Vlorë, Brunilda Mersini e PS, e cila la mandatin e deputetes për kandidimin si kryebashkiake, do të garojë përballë dy demokratëve, kandidatit të mbështetur PD, Dionis Sota, teksa në garë do të jetë edhe Gjergj Nika, anëtari i Këshillit Bashkiak i zgjedhur nën siglën e Parisë Demokratike.

Në Berat, PS ka propozuar kandidatin Ervin Ceca, i cili do të jetë përballë Pavlo Shkarpës.

Një garë treshe do të ketë edhe në bashkinë e Matit. Altin Bojni do të jetë kandidati socialist, ndërsa një tjetër socialiste ka sfiduar propozimin e Ramës duke shpallur kandidaturën e pavarur, ish kryetarja e Gruas në PS-në lokale, Suzana Pasha. Ndërkohë që PD dhe opozita mbështet kandidaturën e pavarur të Eduart Brahilikës.

Në Cërrik, Florenc Doka i PS do të kandidojë përballë kandidatit të pavarur Amarildo Hoxha, për të cilën ka deklaruar mbështetjen edhe PD e Berishës. Në këtë bashki do të ketë edhe një kandidat i tretë, nën logon e partisë ‘Lëvizja Shqipëria Bëhet’ është Eligert Hima.

Në Tepelenë, PS ka propozuar kandidatin Gramoz Sako, ndërsa opozita do të mbështesë të pavarurin Gabriel Guma.

Mandati i kryebashkiakëve të rinj do të jetë vetëm një vit e gjysmë, derisa të mbahen zgjedhjet lokale në pranverën e vitit 2027.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:06
Nesër zgjedhjet/ Vlorë, 265 policë që do të marrin pjesë në proces zhvillojnë instruktazhin e fundit

 

265 efektivë të policisë së Vlorës që do të marrin pjesë në procesin zgjedhor kanë zhvilluar instruktazhin e fundit përpara datës së zgjedhjeve. 

Shpëtim Hasanaliaj, nën drejtor i policisë së Vlorës, ka drejtuar sesionin e fundit të trajnimit për policinë e Vlorës. Hasanaliaj ka shpjeguar për të gjithë efektivët e policisë mënyrën se si duhet të sillen ditën e procesit zgjedhor dhe numërimit të votave. 

Gjithashtu ka dhënë porositë e fundit për të gjithë efektivët, se si duhet të vëzhgojnë ambientet zgjedhore, KZAZ apo qendrat e votimit. 

Po ashtu, ka caktuar për çdo efektiv policie të gjitha detyrat që duhet të zbatojë ditën e zgjedhjeve dhe më pas. 

Për strukturat e policisë janë ndarë edhe oraret se kur duhet të jenë në detyrë, por edhe mënyra se si duhet të vishen, qëndrojnë dhe komunikojnë pranë çdo qendre votimi apo KZAZ-je.

Ora 20:01
Zgjedhjet e pjesshme lokale/ Policia e Shtetit plan masash për procesin zgjedhor, 55 efektivë në dispozicion të KQZ

1761731728_policiaeshtetit.jpg

Policia e Shtetit garanton sigurinë e procesit zgjedhor, duke vënë në dispozicion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 55 efektivë dhe 7 mjete të Njësive pë Sigurine Publike në 5 bashki të vendit.

Forcat policore janë angazhuar në shoqërimin dhe mbrojtjen e materialeve zgjedhore nga pikat kufitare dhe magazinat e KQZ-së drejt qendrave të numërit në Vlorë, Tepelenë, Berat, Burrel dhe Cërrik, si edhe në ruajtjen e rendit publik në zonat me risk.

Policia deklaron se mbetet në gatishmëri të plotë pë të siguruar një proces zgjedhor të qetë, të ligjshëm dhe të mbrojtur në cdo cep të vendit.

Njoftimi i plotë

Në zbatim të detyrimeve që ka Policia e Shtetit gjatë proçesit zgjedhor, të përcaktuara në pikën 2 të nenit 4 dhe pikën 6 të nenit 7 të Vendimin Nr. 12, datë 30.12.2020, të KQZ "Rregullat e veprimtarisë së Policisë së Shtetit në shërbim të zgjedhjeve", Vendimi nr.25, datë 27.03.2025 të Komisionit Rregullator "Për disa ndryshime në Vendimin Nr.12, datë 30.12.2020", ju përcjellim informacionin si më poshtë:

Nisur nga situata e përgjithshme e rendit dhe sigurisë publike, bazuar në kërkesat e Drejtorive Vendore të Policisë, kërkesën e Federatës Shqiptare të Futbollit, për garantimin e rendit gjatë aktiviteteve sportive (ndeshjet e futbollit të kategorisë Superiore dhe kategorisë së Parë), me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë, është vlerësuar e domosdoshme përdorimi i forcave të Njësive për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Forcës Kombëtare të Sigurisë pranë DPPSH, për mbështetjen e Drejtorive Vendore të Policisë.

Në mbështetje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për kryerjen e shërbimit, Shoqërimin, sigurimin e materialeve zgjedhore gjatë transportit nga P.K.K. Hani i Hotit, Shkodër për në ambientet e magazinave të KQZ-së në Vaqarr, Tiranë, janë angazhuar 7 (shtatë) punonjës policie dhe I (një) mjet të Njësisë për Sigurinë Publike Shkodër. Shërbimi filloi në orën 08.00 të datës 06.11.2025 dhe përfundoi në orën 02.00, datë 07.11.2025.

Në mbështetje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për kryerjen e shërbimit, Shoqërimin. sigurimin e materialeve zgjedhore gjatë transportit nga magazinat e KQZ-së në Vaqarr, Tiranë, në drejtim të KZAZ-së në Bashkitë Vlorës, Tepelenë, Berat, Burrel, Cërrik, dhe mbështetjen e Drejtorive Vendore të Policisë për garantimin e rendit publik, janë angazhuar me shërbim 40 (dyzet) punonjës policie dhe 5 (pesë) mjete të Njësisë për Sigurinë Publike Fier dhe Tiranë. Shërbimi ka filluar në datën 07.11.2025, ora 06.00, deri në një urdhër të dytë.

Në mbështetje të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë për kryerjen e shërbimit, mbështetje të strukturave të policisë vendore për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike në territorin në juridiksion të kësaj drejtorie, janë angazhuar me shërbim, 8 (tetë) punonjës policie dhe I (një) mjet të Njësisë për Sigurinë Publike Fier. Shërbimi do të fillojë në datën 07.11.2025, ora 14.00, deri në një urdhër të dytë.

Policia e Shtetit, është e angazhuar maksimalisht për zbatimin rigoroz të ligjit dhe akteve nënligjore, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.

Ora 17:27
Zgjedhet e pjesshme lokale, IdentiTek: Do të jemi të hapur edhe gjatë fundjavës

Teksa jemi prag të zgjedhjeve të pjesshme lokale, IdentiTek ka njoftuar sot se zyrat e tyre do të jenë të hapura edhe në fundjavë për të gjithë qytetarët që duan të tërheqin kartën e identitetit.

Njoftimi i plotë

Ju bëjmë me dije se zyrat e IdentiTek do të jenë të hapura:

Ditën e shtunë nga ora 09:00 deri në 15:00

Ditën e diel nga ora 08:00 deri në 12:00

Zyrat do të jenë të hapura për shpërndarjen e ID-ve në bashkitë që do të zhvillojnë zgjedhje lokale, si më poshtë:

Vlorë

Berat

Tepelenë

Burrel

Cerrik

SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?