Lamtumirë Ismail Kadare! Homazhe publike në TKOB, ceremonia e varrimit, familjare! Edhe nga Kosova e Maqedonia e Veriut nderojnë kolosin e letrave shqipe

TIRANË-  Shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut i dhanë sot (3 korrik) lamtumirën Ismail Kadaresë. Shkrimtari i madh që e ngriti letërsinë shqipe në panteonin e letërsisë botërore, u nda nga jeta të hënën e 1 korrikut në moshën 88 vjeçare.

E përcollën me duartrokitje, lule, nderime por dhe polemika, ashtu siç krijoi dhe vepra e tij letrare.

"Cmë panë sytë e cmë tha mendja duke u marrë me funeralin tënd. Së paku më duhet të të falenderoj për këtë telefonovelë të pashkruar e cila është padiskutim për mua ajo shenja që shkruaje se do të bëje para se do të ikje, më dhe  atë përgjigje që nuk ta mora dot së gjalli. Që më thoje nuk shkruaj më. Kur të pyesja po përse jo, ma ktheje: I kam thënë të tëra-   tregoi kryeministri Edi Rama ndër rreshtat e fjalimit të tij përkujtimor para se arkivoli të përcillej për në banesën e fundit.

Përplasjet e opinioneve në skenë dhe prapaskenë kishin lindur për vendvarrimin e tij, megjithatë në fund u vendos të respektohej dëshira dhe vullneti i familjarëve që do të ishte dhe vullneti i vetë Kadaresë. Vendosja e përkohshme në varrezat e Tufinë.

Në respekt të vullnetit të familjes Kadare, homazheve publike që zgjatën për dy orë i lanë vendin dhe ceremonisë së varrimit e cila do të ishte private dhe vetëm me praninë e familjarëve.

Me kërkesë të Helena Kadaresë, shkrimtari do të përcillet në banesën e fundit nga vetëm familjarë të tij.

Homazhet

Në Teatrin e Operas dhe Baletit u mbajtën homazhet në nder të kolosit të letërsisë shqipe, Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare. Krerët më të lartë të shtetit, politikës, personalitet të kulturës dhe diplomatë, nga Shqipëria dhe Kosova, nderuan shkrimtarin Kadare. 

Homazhet u mbajtën nga ora 09.00 deri në 12:00 dhe më pas Kadare u përcoll për në banesën e fundit me ceremoni shtetërore. Me kërkesë të bashkëshortes, Helena, ceremonia e varrimit në Tufinë do të bëhet vetëm në prani të familjarëve dhe miq të afërm. 

Arkëmorti i mbuluar me flamurin shqiptar u vendos në skenën e TKOB ndërsa në sfond ishte silueta e Nënë Terezës, me vellon e saj të murgeshës, të bardhë dhe me viza blu, duart që luten dhe rruzare me një kryq. Përpos muzikës funebre, në sfond po lexohen edhe poezitë dhe pjesë nga proza e Kadaresë.

Personalitete të larta të vendit, dhe jo vetëm personalitete nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë udhëtuar në Tiranë për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të Ismail Kadaresë. Mes tyre presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kreu i BDI-së Ali Ahmeti, kryetari i bashkisë së Tetovës. 

Ismail Kadare një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohor, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi, ndërroi jetë në moshën 88 vjeç, mëngjesin e 1 korrikut 2024. Kadare pësoi "arrest kardio-respirator", në shtëpinë e tij dhe vdiq në spitalin e QSUT në Tiranë. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:56
Homazhet për Kadarenë/ Mevlan Shanaj: Lamtumirë gjeni! Nuk vjen më një si ai

Mevlan Shanaj, aktori dhe regjisor I njohur dhe një mik i Kadaresë tha se humbja është e madhe.

Mevlan Shanaj: Ismail Kadareja na bëri të mencur e trima. Nuk vjen më një si ai. Lamtumirë gjeni
 

Ora 11:47
Lamtumira për Ismail Kadarenë/ Personalitete nga Maqedonia e Veriut në homazhe, Ali Ahmeti: Vepra e Kadaresë të vijojë! Kasemi: Nobelin ia dhanë lexuesit 

Kreu i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti dhe kryetari i Tetovës Bilall Kasami erdhën në Tiranë për ti dhënë lamtumirën e fundit  shkrimtarit Ismail Kadare.

Ahmeti përcolli mesazhin për të gjithë të rinjtë që duan të ndjekin artin ecin në gjurmët e Kadaresë.

Ali Ahmeti: “Atyre që krijojnë prozë e poezi të vijojnë vazhdimisësinë e Kadaresë dhe Agollit” tha ai.

Bilal Kasemi: Sot Tetova humb një qytetarë të saj. Ismail Kadare mbetet shkrimtari që padrejtësisht iu mohua cmimi Nobel për letërsinë, por besoj se cmimin ia dhanë lexuesit”

Pak kohë më parë Tetova i dha Kadaresë titullin “Qytetar Nderi’

 

Ora 11:30
Lamtumira për Kadarenë/ Fatos Kongoli: Ishte shkollë letrare! Rita Petro: donte një diell perëndimor për Shqipërinë

Në homazhe për t'i dhënë lamtumirën Ismail Kadaresë erdhën dhe shkrimtarë shqiptarë.

Shkrimtari Fatos Kongoli e quajti një shkollë letrare, Ismail Kadarenë dhe tregon bisedat e fundit me të.

Fatos Kongoli: “Kadare është shkrimtar i madh i përmasave botërore. E kam adhuruar gjithmonë si autor Kadarenë dhe atëherë kur nuk më shkonte mendja të bëhesha unë shkrimtar. Vitet e fundit u miqësuam me njëri tjetrin. Kishim një mik të përbashkët dhe vila e Kadaresë në Qerret takoheshim shpesh. Më ndodhte të takohesha dhe në raste festash.Ismaili nuk është shkrimtar i zakonshëm. Është shkollë letrare” 

Rita Petro: Shkrimtari Kadare do të vijojë të jetë mes nesh edhe kur ne të mos jemi. Nuk ka shtëpi pa një libër të Kadaresë. Madje dy ditët e para, 1 dhe 2 korrik, (Kadare vdiq më 1 korrik) qielli ishte shumë I ngrysur njëlloj si në romanet e Kadaresë. Ai donte një diell perëndimor. Është shkrimtari I të gjithë shqiparëve.

 

Ora 11:19
FOTO+VIDEO/ Dy ish-presidentët Meidani e Moisiu nderojnë Ismail Kadarenë

 

Të shumtë janë personalitetet që kanë kryer homazhe në nder të shkrimtarit Ismail Kadare.

Në homazhe u panë edhe dy ish-presidentët, Alfred Moisiu e Rexhep Meidani, të cilët nderuan Kadarenë.

1719997715_moisiu.jpg

Ora 11:14
Kosova nderon Ismail Kadarenë, Albin Kurti homazhe për kolosin e letërsisë shqiptare

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga delegacioni it ij ka mbërritur në Teatrin e Operas dhe Baletit për të nderuar kolosin e letërsisë shqiptare, Ismail Kadare.

Kurti, Mimoza Kusari Lila me delegacionin, kryetari i Kuvendi Glauk Konjufca morën pjesë në homazhet për Kadarenë.

Ora 11:09
Fatos Kongoli, Reshat Arbana dhe Luftar Paja homazhe për Ismail Kadarenë

Personalitete të artit dhe letërsisë ndodhen në TKOB për të dhënë lamtumirën e fundit shkrimtarit që I frymëzoi në karrierën e tyre.

Mes tyre dhe shkrimtari Fatos Kongoli dhe aktori Reshat Arbana, e Luftar Paja, Timo Flloko, Vera Grabocka, Kastriot Çaushi.

Fatos Kongoli një nga mjeshtrat e letërsisë shqipe në një intervistë tha se Kadareja ishte shkrimitari më mirëfillti shqiptar

Mbaj mend një artikull idiot që e sulmonte se Kadareja nuk shkruante për lexuesin shqiptar. Kadareja nuk është lexuar si shkrimtar i mirëfilltë, por ai ka qenë më mirëfillti shqiptar. Kadareja ishte njeri i zgjuar, nuk ishte naiv dhe ai e përdori regjimin në interes të krijimtarisë së tij.

Ka pasur smirë, ligësi sa të duash. Kjo smirë dhe ligësi e kolegëve e ka ndjekur deri në fund Kadarenë, por pjesa më e madhe e adhuronin se ishte shkrimtar i madh”-u shpreh Kongoli në një intervistë për top channel më 1 korrik.

Ora 11:06
Lamtumirë Ismail Kadare, në homazhe edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës

Figura të larta nga Kosova kanë nderuar Ismail Kadarenë. Në homazhe në nder të shkrimtarit mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Ora 11:05
Lamtumirë Ismail Kadare, në homazhe Taulant Balla

 

Ministri i brendshëm Taulant Balla mori pjesë në homazhet për shkrimtarin Ismail Kadare.

Balla ishte i shoqëruar nga disa efektivë policie.

Ora 11:01
Preç Zogaj homazhe për Ismail Kadarenë: Themeloi letërsinë e re moderne shqipe

 

Shkrimtari Preç Zogaj mori pjesë në homazhet për Ismail Kadarenë. Ai u ndal edhe në një prononcim për mediat, ndërsa kujtoi edhe takimet me Kadarenë.

Vdekja e tij do shërbeje për të rivendosur në lartësinë e merituar konceptin për letërsinë. Ka një keqkuptim për letërsinë sot, se shumë autorë, nuk e startojnë nga majat. Majat janë fillesat e gjithë atyre që fillojnë.

Takimi i fundit me Kadarenë? Takimet e fundit kanë qenë spontante gjatë shëtitjeve të tij, ose në ndonjë kafe. Jam takuar në bulevard jemi ulur në kafe. Kadareja ka qenë disi i sofistikuar, duhet të zotëroje një lloj kodi për komunikimet me të. Shakatë e tij nuk ishin të rëndomta. Kjo është mbresa që kam ruajtur, nuk bëhej kurrë banal. Dinte të qëndronte gjithnjë mbi, duke i thënë të gjitha.

Shkrimtari që ka dijen e dhuntisë, ka një mision ta ruajë dhuntinë. Kadare këtë bëri, e sendërtoi dhuntinë me vepra që themeluan letërsinë e re moderne shqipe.

Ora 10:41
Homazhet për Ismail Kadarenë, Helena me dy vajzat me lot në sy

I jepet lamtumira e fundit shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cilësuar si kolosi i letërsisë shqipe që futi Shqipërinë në hartën botërore letrare.

Homazhet po mbahen në Teatrin të Operas dhe Baletit, ku marrin pjesë familjare, miq, figura dhe personalitete të larta e dashamirës.

Në këtë foto shihet edhe bashkëshortja e tij, Helena Kadare dhe vajzat e saj, veshur në të zeza e me lot në sy.

Ora 10:21
Lamtumira për Kadarenë, në homazhe edhe Basha e Meta

Deputeti demokrat Lulzim Basha mori pjesë në homazhet për Ismail Kadarenë. Në homazhet në nder të shkrimtarit mori pjesë edhe Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili shoqërohej nga Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho.

Basha në një prononcim për mediat vlerësoi figurën dhe krijimtarinë e Kadaresë, ndërsa një mesazh kishte edhe për të rinjtë të cilëve u thotë se duhet t’i lexojnë veprat e kolosit të letërsisë shqipe.

"Kadare është ngjitur në Panteonin e përjetësisë si njeriu që në kohën më të vështirë për kombin shqiptar i kujtoi bashkëkombësve dhe gjithë botës se ne jemi një ndër kombet e identitetit europian dhe i formimit të identitetit europian. Kjo në një kohë që u bë çdo përpjekje për të shkatërruar lidhjet shqiptarëve me habitatin e tyre që është Europa. Kisha një mesazh për të rinjtë, që të përpiqen të lexojnë qoftë edhe një poezi, apo roman të Ismail Kadaresë se do ti shndërrojë dhe do ti ndryshojë, të kuptojë vlerën e tyre si shqiptarë, qoftë edhe si individ", tha Basha. 

Meta u shpreh se Kadare me krijimtarinë e tij e ngriti Shqipërinë në majat e letërsisë botërore.

“Për t’i dhënë lamtumirën gjeniut të kombit që me penën e tij e ngriti Shqipërinë dhe shqiptarët në majat e letërsisë botërore atëherë kur Shqipëria ishte më e izoluar se kurrë. Me sakrificë i parapriu një epoke të re. I përjetshëm kujtimi i shkrimtarit tonë të madh dhe të papërsëritshëm”, tha Meta.

Ora 09:43
Homazhet për Ismail Kaderenë në TKOB me simbolin e Nënë Terezës! Lexohen poezitë dhe pjesë të prozës së tij

 

Në sallën e TKOB kanë nisur homazhet publike dhe ceremonia shtetërore e lamtumirës për gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadare. Bashkëshortja Helena dhe bijat e shkrimtarit të ndjerë po presin ngushëllimet e një kortezhi të vazhdueshëm personalitetesh shtetërore por edhe qytetarësh të thjeshtë.

Protokolli ka menduar edhe të vendosë simbolet e Nënë Terezës në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit ku është vendosur arkivoli i shkrimtarit, i cili është i mbuluar me flamurin shqiptar. 

Ndërkohë në sfond lexohen poezitë dhe pjesë të prozës së Kadaresë nën ingujt e muzikës funebre. 

Ora 09:35
Homazhe për Ismail Kadarenë, Alda Bardhyli: Iku i qetë, e botoi krijimtarinë e tij

 

Kadare iku i qetë pasi ai mendonte se e kishte kryer atë që ishte shumë e rëndësishme për një shkrimtar, botimin veprës së plotë. Kjo e bënte atë të qetë.

Kështu është shprehur studiuesja e njohur e letërsisë, Alda Bardhyli, në ditën e përcjelljes për në banesën e fundit të Ismail Kadaresë.

Bardhyli ka qenë një nga personat që i ka qëndruar pranë shkrimtarit, sidomos vitet e fundit.

Ora 09:19
Lamtumira për Ismail Kadarenë/ Helena me të zeza mbërrin në TKOB e shoqëron Veliaj

 

Bashkëshortja e shkrimtarit të ndjerë Ismail Kadare ka mbërritur në Teatrin e Operas dhe Baletit  ku dhe do të mbahen homazhet. Ajo është parë të shoqërohet nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj.

Në homazhe do të marrin pjesë krerët më të lartë të shtetit, politikës dhe personalitete të artit.

Ora 08:57
Sot homazhet për Ismail Kadarenë, arkëmorti mbërrin në Teatrin e Operas dhe Baletit! E bija në lot

 

Në Teatrin e Operas dhe Baletit mbahen homazhet për shkrimtarin Ismail Kadare, i cili u nda nga jetë në moshën 88-vjeçare. Krerët më të lartë të shtetit, politikës e personalitete të artit do të marrin pjesë në homazhe.

Në Teatrin e Operas dhe Baletit ka mbërritur edhe arkëmorti i Kadaresë, ndërsa vajza e tij Besjana Kadara dallohet në lot.

I pranishëm ishte edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

SI.E./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Populli: 03/07/2024 12:19

    Qe ta kuptoni nje here e mire, ata qe planifikojne te tilla provokime (duke vendosur kryq tek nje figure kombetare) nuk jane besimtar, por vegla te nje grupi te caktuar. Nqs doni per tu futur dhe nga ana fetare, kryqi dhe gjysem hena nuk kane lidhje me besimin, nuk permenden as ne Bibel e as ne Kuran. Nji besimtar i mirefillte i di keto gjera, kurse fatkeqsisht masa nuk i percepton. Jezusi nuk i tha njerezve perdorni kryqin, por i tha besoni ne Zot. Muhamedi nuk i tha njerezve perdorni gjysemhenen, por i tha po percjelli fjalen e Zotit ashtu siç e percjellen dhe profetet e meparshem.

    Përgjigju
  • Pensionisti: 03/07/2024 10:41

    Si kuptoj keta njerez qe shkojne ne nje ceremoni mortore shtetrore me kapele, xhinse, bluza apo edhe me shapka e sandale disa sikur po ven per kafe apo ne pazar. Edhe mbahen per intelektual! Turp, pa pike etike dhe klasi.

    Përgjigju
  • adela: 03/07/2024 10:38

    tani me falni, se sjam as besimtare asgje. PO ai e ka emrin ISMAIL... clidhje ka kryqi. e para qe nga emri tij e dyta SJEMI AS VEND KATOLIK AS MYSLIMAN. Mund ti kursenin keto rite fetare idiote

    Përgjigju
    • Mara emigrante ne Itali: 03/07/2024 11:09

      Po çfar rendesie ka emri moj Adele,edhe une emrin e kam katolik dhe fene myslimane .tregove se sa e zgjuar je .Populli shqiptar nuk eshte nisur nga feja per te vendosur emra .Injorante .

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

I dënuar përjetë për masakrën e Lushnjës, Laert Haxhiu ekstradohet sot nga Greqia

I dënuar përjetë për masakrën e Lushnjës, Laert Haxhiu ekstradohet sot nga Greqia