SHKODËR - Ministria e Financave dhe Ekonomisë bllokon funksionimin e Bashkisë së Shkodrës, në kushtet kur sot, më 20 gusht, përfundoi zyrtarisht mandati i kryetares së Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. Sot Ministria e Financave bllokoi përmes degës së Thesarit procedurat e likuidimit për fondet dhe investimet e bashkisë Shkodër. 

Ditën e sotme, Dega e Thesarit nuk ka pranuar të kryejë veprimet përkatëse për likujdimin e faturave për shërbimet e bashkisë Shkodër. Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, ka bërë një komunikim me e-mail sot në orën 15:02 me degën e Thesarit të Shkodrës, ku i njofton se "sipas ligjit, kryetares së Bashkisë i mbaron mandati më datë 20.08.2019, ora 16:30 sipas orarit zyrtar, për ditët në vijim do të jetë këshilli bashkiak që duhet të zgjidhë problemin".

Me vënien në dijeni të këtij vendimi, ish-kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, i ka dërguar një letër ministres së Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, për dijeni edhe të gjithë ambasadorëve të akredituar në Shqipëri, ku thotë se ku është një veprim i paprecedentë, politik dhe i paligjshëm.

"Në asnjë ligj apo akt nënligjor nuk është Ministria e Financave që gjykon për mandatin e kryetarit të bashkisë apo atë cfarë bën një këshill bashkiak. Ligji për vetëqeverisjen vendore përcakton se ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në castin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës.

Komunikimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit përmes Degës së Thesarit Shkodër është i pakuptimtë dhe në shkelje të ligjit. Nëse po përpiqeni të veproni në bazë të urdhrave politiko-parrtiakë, në shkelje të kushtetutës e të ligjeve, në kundërshtim me kartën e Autonomisë Vendore ligjin për vetëqeverisjen vendore, duke bllokuar në aktivitetin e saj administrative dhe financiar qeverisjen vendore, konkretisht bashkinë e Shkodrës, do të përballeni me reagimin tonë institucional dhe të qytetarëve.

Ju kërkojmë të tërhiqeni sa më shpejt nga një qëndrim i tillë, duke qenë thjesht zbatues të ligjit dhe jo të orientimeve partiake-politike që dëmtojnë Shkodrën dhe qytetarët e saj", - thuhet në letrën e Voltana Ademit, ku në pjesën e fundit, me fjalët: reagimin e qytetarëve, lihet të kuptohet se do të ketë protesta kundër vendimit të Ministrisë së Financave. 

Kryebashkiaku i zgjedhur në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Valdrin Pjetri, u tërhoq nga gara pas publikimit të një vendimi të drejtësisë italiane që e kishte dënuar më dëbim nga shteti dhe gjobë për drogë. Këshilli Bashkiak i Shkodrës u konstituua ditën e djeshme, por në kushtet kur Bashkia nuk e ka një kryetar, në mungesë kjo edhe të një date të re zgjedhjesh nga Presidenti Ilir Meta që tha se zgjedhjet në të gjitha bashkitë do të bëhen më 13 tetor, Ministria e Financave është detyruar të marrë këtë vendim. 

Kryebashkikja Voltana Ademi, që sot i përfundoi mandati, ka deklaruar se do të qëndrojë në detyrë deri kur të mbahen zgjedhje të ligjshme, ato të 13 tetorit.

Ka qenë fillimisht dega e thesarit të Shkodrës që i ka dërguar një e-mail Drejtorisë së Përgjithshme ku i kërkon informacion se si të veprojë në lidhje me "disa veprime urdhër shpenzime për t'i regjistruar në sistem, që bashkia e Shkodrës i ka dërguar degës së Thesarit, dhe disa protokolle dhe shkresa të tjera që datojnë më 20 gusht". Dega e Thesarit Shkodër shkruan në e-mail se këto vendime janë jashtë kompetencave të saj, dhe i kërkon "interpretim dhe autorizim Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit për të vijuar ose jo më tej me veprimet e Bashkisë së Shkodrës".

Përgjigjja e marrë është:

"Të kryhen veprimet sipas ligjit: Kryetares së Bashkisë i mbaron mandati më datën 20.08.2019 ora 16:30 sipas orarit zyrtarë, për ditët në vazhdim do të jetë këshilli bashkiak që duhet ta zgjidhë problemin".

Kliko KETU për korrespodencat mes bashkisë së Shkodrës dhe Ministrisë së Financave