/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Itali-Angli, miqësore ose jo është një betejë që nuk duhet humbur.
Përfaqësuesja e kaltër dhe ajo e tre luanëve janë dy nga skuadrat të cilat sa herë ngjiten në katërkëndëshin e gjelbërt për t'u ndeshur mes tyre ofrojnë emocione dhe surpriza të pafundme, mjafton këtu të kujtosh Kampionatin Europian të vitit 2012 dhe Kampionatin Botëror të Brazilit një vit më parë, ku të dy përfaqësueset u ndeshën për të disatën herë.
Sot në mbrëmje spektakli përsëritet, teksa ndërron teatri ku kampionët do të ngjiten. Kështu, në orën 20:45, Italia dhe Anglia do të përballen mes tyre në "Juventus Stadio" në një miqësore luksi që ofron nuancat e një ndeshje të kampionatit botëror. Është një miqësore, që brenda vetes mbart histori dhe rivalitet.
Dy përballjet e fundit kanë nxjerrë fitues skuadrën italiane. Në Kampionatin Europian, Italia eliminoi përmes 11 metërshave ishullorët, të cilët i'u dorëzuan klasit të Pirlos. Në botëror ndeshja përfundoi brenda 90 minutave dhe sërish të fituar dolën të kaltërit. Kësaj here, hero u kthye Baloteli me dopjetën e tij. Mund të themi me plot gojë se ishte e vetmja gjë që bëri Baloteli në atë botëror, më pas avulloi.
Antonio Conte, tekniku i Kombetare Italiane te Futbollit
Përgatitjet dhe deklaratat: Antonio Konte, tekniku i Italisë shprehet i emocionuar për kthimin në stadiumin ku u shpall për tre vite rradhazi kampion Italie.
Në përfundim të stërvitjes së fundit përgatitore, Konte tha se takimi me Anglinë është mjaft i rëndësishëm. "Nga njëra anë kjo miqësore na ndihmon që të integrojmë të rinjtë e grupit, ndërsa nga krahu tjetër kjo miqësore do të na shërbejë për të kuptuar pikat e dobëta dhe të forta të skuadrës sonë", është shprehur tekniku nga Leçia.
Konte gjithashtu ka bërë të ditur dhe formacionin. Në portë do të jetë Buffon. Në mbrojtje, Ranoçhia, Bonuçi dhe Chiellini. Mesfusha do të përbëhet nga Florenzi, Soriano, Valdifiori, Parolo dhe Darmian, teksa në sulm do të jetë dyshja Pelle-Eder.
"Tre luanët" mrekullohen në "Juventus Stadio:
Përfaqësuesja ishullore, ashtu si edhe vendasit kanë kryer pasditen e të hënës stërvitjen e fundit dhe janë njohur me terrenin ku do të zhvillohet takimi. Mediat britanike kanë bërë të ditur se shumë prej lojtarëve të skuadrës së Roy Hodgson kanë mbetur të mrekulluar nga stadiumi ku luan ndeshjet shtëpiake Juventus, teksa kanë vizituar edhe muzeun ku janë radhitur trofetë e shumtë të fituar nga "Zonja e vjetër".
"Dailly Mail" ka "spiunuar" seancën stërvitore të anglezëve dhe sipas saj, Hodgson ka vendosur që në sulm të jenë Harry Kane (njeri i momentit në Angli) dhe bomberi i djajve të kuq, Wayne Rooney.
Sipas të përditshmes britanike mësohet se Hodgson, edhe pse ndeshja me Italinë është vetëm një miqësore, nuk ka ndërmend të lëshojë pe dhe do të fusë në lojë 11 lojtarët më në formë të momentit, duke nisur nga sulmuesi i Tottenham, që është dhe golashënuesi më i mirë i Premier Ligës.
"Ndeshja me Italinë është një test i mirë për të kuptuar vlerat e skuadrës sonë. Në dy përballjet e fundit me të kaltërit kemi humbur dhe tani duhet të marrim hak në njëfarë mënyre, edhe pse është vetëm një miqësore", ka thënë Hodgson në deklaratën për shtyp të pragsfidës. Wayne Rooney nga krahu tjetër është shprehur se mbrëmja e sotme do të jetë magjike për kolegun e tij të Tottenham. "Kjo do të jetë mbrëmja e Kane. Ai është i ri dhe ka nevojë për eksperiencë. Do të bëhet një sulmues i madh, që do të ndihmojë Anglinë të fitojë trofe", vlerëson bomberi veteran i djajve të kuq.
                                                                                          Statistikat:  Anglia vjen në këtë takim pas pesë fitoreve radhazi, ndërsa Italia pas barazimit në Bullgari. Të kaltërit në pesë takimet e fundit kanë arritur 3 fitore 2 barazime.
Italia dhe Anglia janë ndeshur mes tyre plot 25 herë, 11 fitore Italia, 8 Anglia dhe 6 ndeshje të përfunduara në barazim.
Në përballjet mes tyre Anglia ka shënuar  dy gola më shumë, 31 kundrejt 29 të tillë.
Në shtatë përballjet e fundit të kaltërit kanë fituar 4 ndeshje, kanë barazuar 1 herë, teksa dy beteja i ka fituar përfaqësuesja e "Tre luanëve".